Home Aktualitet Rama: Nuk kam shkop magjik ti zgjidh te gjitha problemet, duhet pune

Rama: Nuk kam shkop magjik ti zgjidh te gjitha problemet, duhet pune

469
0

rama-puikturaKryeministri i Shqipërisë Edi Rama e ka për zemër artin bashkëkohor. Në bisedë me gazetën zvicerane «Ostschëeiz am Sonntag» ai thotë se një vend pa skenë aktive të artit do të ishte vend i varfër.

Zoti Rama, çfarë thonë miqtë tuaj artistë në lidhje me përcaktimin tuaj për politikë? A nuk ju kanë akuzuar për tradhti? Zakonisht këto dy kampe qëndrojnë diametralisht kundër.
Edi Rama: Mund të thuhet kështu, po. Por kanë ndodhur shumë gjëra në të njëjtën kohë. Është histori e gjatë dhe ndoshta mund të shpjegohet kështu: personi i gabuar në kohën e duhur në vendin e duhur. Po ashtu mund të shihet se edhe në vende të tjera ish-komuniste shumë artistë, shkrimtarë dhe poetë janë kyçur në politikë. Situata – ta quajmë kalim nga ferri në liri – nuk mund të krahasohet me situatën politike në Zvicër.
Ju keni menduar se si politikan mund të bëni më shumë për vendin tuaj.
Edi Rama: Nuk është puna se çfarë kam menduar unë. Kjo kishte të bënte me bindjen time të brendshme, me besimin në ndryshim, këtë e duan të gjithë këtu.
Babai juaj, skulptori Kristaq Rama, nën regjimin e Enver Hoxhës ka qenë një artist i njohur shteti. Si e ka karakterizuar kjo rrethanë fëmijërinë tuaj?
Edi Rama: Jam rritur në një rreth, ku arti ishte vetëm shprehje e propagandës. Babai im shte pjesë e krijimtarisë artistike zyrtare, të ashtuquajtur realsocialiste. Nuk kishte fare liri, ka qenë vështirë për të gjithë ne. Shumë nga bashkëkohësit e babait tim u futën në burg, sepse kundërshtuan sistemin, nuk durohej kurrfarë kritike – madje as kritikë e llojit artistik. I jam mirënjohës babait tim që më ka pranuar si rebel të ri, siç kam qenë gjatë kohës së studimeve, dhe nuk ka hequr dorë prej meje. Kjo ishte më shumë se e vetëkuptueshme.
Po nëna juaj, si ishte ajo?
Edi Rama: Besoj se nuk ka burrë të madh pa një grua të fuqishme pas tij. Ajo ishte gruaja e fuqishme pas babait tim, ajo ishte gruaja e fuqishme që më mbështeste përherë edhe mua, familjen e saj. Ky ka qenë roli i nënës sime, pastaj i gruas sime, mund të ndihem i lumtur për këtë.
Çfarë vendi zë arti sot në Shqipëri?
Edi Rama: Konsideroj se është e rëndësishme të përkrahen artistët. Kemi disa artistë të mëdhenj në botën e jashtme. Dhe disa talente shumë premtues këtu, unë kujdesem që për ta të krijohen qasje dhe platforma të reja.
A keni krijuar mundësi të reja arsimimi?
Edi Rama: Jo, por jemi të angazhuar në projekte të ndryshme, ku unë marrë pjesë personalisht.
Për shembull?
Edi Rama: Për shembull kati në përdhese këtu. Këtu synohet të hapet një hapësirë e shkëmbimit dhe hulumtimit, ku do të kenë qasje të gjithë njerëzit, artistët e të gjitha gjeneratave dhe nga të gjitha pjesët e vendit. Po përpiqemi të organizojmë evenimente dhe punëtori.

Njerëzit në rrugë shprehen të pakënaqur. Ata thonë se ju nuk po i mbani premtimet elektorale. Në dy vitet e kaluara që kur keni ardhur në pushtet prej tre milionë banorëve gati gjysmë milioni janë larguar nga Shqipëria. A ju shqetëson kjo?
Edi Rama: Besoj se njerëzit në Shqipëri kanë të drejtë të jenë të padurueshëm pas aq shumë vitesh shtypjeje dhe mjerimi. Por unë nuk kam shkop magjik për t’i zgjidhur brenda dy viteve problemet që ekzistojnë në Shqipëri dhe për të bërë atë që presin dhe e meritojnë njerëzit. Mendoj se vendi ka ndryshuar mjaft dhe politika ka ndryshuar drejtimin. Por duhet të bëhet edhe më shumë.
A janë përparësitë për Shqipërinë në rast të hyrjes në BE, siç synoni ju, vërtet më të mëdha se të metat?
Edi Rama: Kjo është rruga e vetme e mundshme për Shqipërinë. Vendi duhet të modernizohet dhe bëhet ekonomikisht i pavarur, me administratë stabile dhe me një shoqëri civile të fuqishme dhe të sigurt në vete.
Ka shumë zona rurale që ende janë shumë të prapambetura dhe pothuaj nuk janë zhvilluar fare.
Edi Rama: 25 vjet nuk mjaftojnë për ta bërë Shqipërinë prej një vendi dikur komunist dhe plotësisht të pazhvilluar në një shtet model si Zvicra. Kjo ndoshta nuk do të ishte qasja e duhur për neve, sepse ndoshta do të ishte monotone. Mirë, momentalisht mbretëron pak kaos – si në Itali -, por kjo disi është edhe joshëse.
Në Zvicër shpesh ekziston një pasiguri se kush mund të llogaritet si shqiptar dhe kush jo. Shumë emigrantë nga Kosova apo vendet e tjera të Ballkanit e quajnë veten po ashtu shqiptarë. Popullsia e Shqipërisë, ndërkaq, bën një dallim të qartë mes vetes dhe Ballkanit tjetër.
Edi Rama: Po, ka dallime, kjo është e vërtetë. Shqipëria është më mediterane se Ballkani tjetër, ku jetojnë shumë shqiptarë etnikë. Por para 20 vitesh, duke pasur parasysh sfondin e historisë së ndryshme, vendet e Ballkanit kanë qenë shumë më larg njëri-tjetrit se sot. Ka afërsi të reja tani.
A është duke bërë Zvicra sa duhet për Shqipërinë?
Edi Rama: Në një kohë kur të gjithë më parë i shkurtojnë financat se sa i rrisin, unë do të isha qesharakë po të deklaroja se Zvicra duhet të bëjë këtë apo atë më shumë. Zvicra bën një punë të mirë: cilësia e saj është që me projekte të vogla t’u tregojë njerëzve se si duhet vepruar. Për shembull: si të qeveriset një komunë. Me rëndësi të madhe janë edhe këshillat në sektorin e shëndetësisë.
Çfarë mund të bëjë arti për dallim nga politika?
Edi Rama: Arti bashkëkohor kurrë nuk do të jetë në gjendje të ndalë luftëra, as t’i ndalë idiotët që i ndezin ato. Por arti në një vend të lirë do të jetë përherë i rëndësishëm për ata që nuk janë të gatshëm të pranojnë budallallëkun.
A jeni penduar që keni ndërruar kampin?
Edi Rama: Nuk pendohem për asnjë vendim. Të bëj gabime është pjesë e jetës sime, kam bërë shumë gabime, por nuk pendohem. Dua të mësoj prej tyre, që të mos i përsëris, sepse kjo do të ishte monotone.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here