Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot dy ish-Presidentët e Shqipërisë, Rexhep Meidani dhe Alfred Moisiu, me të cilët zhvilloi një bisedë të përqendruar në situatën politike të krijuar dhe rolit të Kryetarit të Shtetit, në respekt dhe zbatim të Kushtetutës, për zgjidhjen sa më të shpejtë dhe efikase të mosmarrëveshjeve politike dhe nxjerrjes së vendit nga gjendja e patolerueshme e hendekut politik mes palëve, përshkallëzimit të gjuhës së urrejtjes edhe në drejtim të institucioneve të larta kushtetuese e të pavarura të vendit.
Nga ana e tyre, dy ish-presidentët vlerësuan lart rolin moderator dhe të ekuilibruar të Presidentit të Republikës, Bamir Topi dhe apelet e vazhdueshme të tij për partitë politike, ku bëhet thirrje për vendosjen e dialogut politik, konstruktiv, thelbësor në shërbim të interesave të vendit dhe të qytetarëve të tij si garant i Kushtetutës dhe i unitetit të popullit.
Zoti Meidani dhe zoti Moisiu u shprehën se mbështesin fort rolin e Kryetarit të Shtetit duke nënvizuar rëndësinë e institucioneve të pavarura, theksuan nevojën urgjente për rikthim në normalitetin politik institucional, si dhe që politika dhe udhëheqësit politikë duhet të ndalin menjëherë çdo sulm ndaj institucioneve të pavarura kushtetuese. Njëkohësisht u vu në dukje domosdoshmëria për t’u lënë hapësirën dhe kohën e nevojshme organeve të specializuara ligjore që të zhvillojnë një hetim tërësor, profesional, transparent e të paanshëm.
Pasi u dënua dhuna e ngjarjeve të 21 janarit dhe sulmet verbale kundër institucioneve, rendit publik dhe vetë jetës së qytetarëve, në takim u theksua nevoja jetike e shtyrjes apo anulimit të çfarëdolloj tubimi masiv publik që mund të shkaktojë ngjarje të padëshirura, e ruajtjes së gjakftohtësisë dhe komunikimeve me tone të qeta, të maturuara dhe mendimet vizionare në frymën e Kushtetutës së Shqipërisë – që do të ishin hapat e parë konkretë në kërkim të zgjidhjes së drejtë për të dalë nga kjo gjendje, e cila cenon demokracinë në vend dhe dëmton rëndë imazhin e Shqipërisë në botë.
Presidenti takoi sot edhe përfaqësuesin e kryetarit të radhës së OSBE-së, zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Lituanisë, Evaldas Ignatavitius dhe delegacionin që e shoqëron në këtë vizitë të tij në vendin tonë, të përbërë nga Ambasadori Eugen Volfart, Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Rytis Paulauskas i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Lituanisë dhe Françesko Pagani, zyrtar i mbështetjes së politikave në Qendrën e Parandalimit të Konflikteve pranë OSBE-së në Vjenë.
“Edhe këtë radhë vëmendja e faktorit ndërkombëtar është fokusuar në Shqipëri për shkak të situatës dhe klimës politike në vendin tonë, të rënduar së tepërmi sidomos për shkak të ngjarjeve tragjike të 21 janarit dhe për këtë gjendje ne ndajmë shqetësimin e jashtëzakonshëm”, – u shpreh Presidenti Topi.
Pasi nënvizoi qëndrimin e tij institucional dhe vullnetin maksimal për vendosjen e një dialogu të menjëhershëm mes partive politike në vend, të shoqëruar nga pjekuria, vizioni dhe toleranca politike, Presidenti Topi vuri në dukje se të gjitha këto duhet të nxiten dhe të udhëhiqen nga nevoja e qytetarëve shqiptarë për qetësi dhe stabilitet në shërbim të mirëqenies dhe një të ardhmeje të sigurt për ta.