“Zoti Topi ditën e parë nuk pa policë që gjuheshin barbarisht, nuk pa policë që u hudhej flaka për t’u djegur, nuk pa policë të shtrirë përtokë dhe që kafshët u vërsuleshin me tërbimin më të madh, nuk pa flamurin që një bandit e hodhi si leckë dhe një hero e veshi.
Po them një të vërtetë shumë të trishtë, shumë të hidhur. Kjo është një e vërtetë që do të dalë nga komisioni hetimor, që do të hetojë çdo gjë”. Këto janë fjalët e kryeministrit pak minuta më parë gjatë konferencës për shtyp para demonstratës-homazh.
Në konferencën për shtyp, pak para fillimit të tubimit-homazh të opozitës në nderim të viktimave të 21 janarit, kryeministri Berisha, për të disatën e herë i quajti ngjarjet e kësaj date një puç ndaj tij dhe qeverisë që ai drejton. Berisha u ndal me detaje në ato që ai i quajti të dhëna për puçin që nuk arriti të finalizohej.
Sipas Berishës, gjatë ditëve të fundit ai ka marrë të dhëna në lidhje me “përpjekjen e banditëve e kriminelëve për të sjellë në karrigen e kryeministrit Haxhi Qamilë”. Sipas tij, demonstrata që vazhdon ta etiketojë si puç është financuar me një shumë prej 2 milionë dollarësh, me qëllim përmbysjen e kryeministrit. “Disponojmë të dhëna të plota për sasitë e eksplozivit, tritolit dhe kallashnikovëve me të cilat do të organizohej sulmi, mbi armët e sofistikuara, çadrat pistoletë, stilolapsat pistoletë, që do të përdoreshin në stadet e caktuara të këtij grushti shteti”.
Berisha shkoi më tej në deklaratën e tij kur përmendi të ashtuquajturën qeveri të re që do të dilte pas rrëzimit të qeverisë së tij me anë të puçit. Sipas Berishës, postet e saj ishin ndarë që më përpara dhe pritej me padurim rënia e tij nga pushteti.
“Kryepuçisti që rrethoi për 5 orë kryeministrinë me një grusht horrash të armatosur do ta ketë të qartë se çdo tentativë tjetër… vërtet ai sot ka futur në xhep prokurorinë e vendit dhe ka marrë paralajmërim të mos e keq përdor, por me këtë i ka bërën një dëm vetes së tij. Detyra e qeverisë është të mbrojë çdo qytetar dhe do ta bëjë këtë. Nëse Rama tenton një herë të dytë, do të përballet me pasoja që ia vet s’i imagjinon. Të shtatat janë familjare, meditim, janë meditim më intim, bashkohem me familjet e viktimave në ngushëllimin tim edhe në të shtatat. Por ai që solli njerëzit të paguar për të marrë këshillin e ministrave, është një profani…”, deklaroi ndër të tjera kryeministri.