Home Kosova Cooper në Prishtinë, shpresa të vakëta për dialogun

Cooper në Prishtinë, shpresa të vakëta për dialogun

648
0

Autoritetet e Prishtinës i bënë të qartë ndërmjetësit të BE-së në bisedat Kosovë-Serbi, Robert Cooper, se Kosova është e gatshme të dialogojë me të gjithë fqinjët lidhur me zgjidhjen e problemeve praktike ndërshtetërore, në këtë kuadër edhe me Serbinë, por jo edhe për pikat doganore në Jarinje dhe Bërnjak, ashtu siç kërkon pala serbe. Gjatë vizitës së tij në Prishtinë, ndërmjetësi i BE-së Cooper u takua me kryeministrin Hashim Thaçi dhe me kryesuesen e delegacionit të Kosovës në dialogun teknik, Edita Tahiri. Takimi ishte me dyer të mbyllura dhe i vetmi njoftim nga ky takim ishte, një komunikatë e shkruar nga kabineti i kryeministrit Hashim Thaçi. Kryeministri Thaçi theksoi se Kosova ka treguar përgjegjshmëri të lartë në procesin e dialogut, të cilin vlerësim e ndajnë edhe Brukseli dhe Uashingtoni. Sipas tij Kosova e ka platformën e qartë me vijat e kuqe të cilat janë pavarësia, integriteti territorial dhe rregullimi i brendshëm i Kosovës. “Dialogu për çështje teknike me Serbinë është rrugë përmes së cilës të dy shtetet do të mund të zgjidhin çështjet e bashkëpunimit ndërfqinjësor dhe të interesit të ndërsjellë të qytetarëve të të dyjave vendeve”, thuhet në njoftimin e kryeministrit Thaçi. Ndërkohë gjatë vizitës në Beograd, Robert Cooper u takua me kryesuesin e delegacionit serb në bisedat Kosovë-Serbi, Borisllav Stefanoviç ku ky i fundit i ka bërë të qartë ndërmjetësit të BE-së, se Serbia ulet në tavolinën e bisedave me Prishtinën, vetëm nëse pjesë e këtyre bisedave do të jetë edhe veriu i Kosovës dhe dy pikat kufitare, në Jarinje dhe Bërnjak. Ndërkohë analistët politikë në Prishtinë, bazuar në qëndrimet të kundërta në këtë fazë mes Prishtinës dhe Beogradit për dialogun teknik, parashikojnë edhe fundin e tij, pa ndonjë rezultat. Megjithatë, se çfarë rruge do të marrë dialogu teknik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, kjo pritet të sqarohet në ditët në vijim nga zyra e Baroneshës Ashton.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here