Home Aktualitet CNN: Policia afgane qelloi pas grindjes me trupat shqiptare

CNN: Policia afgane qelloi pas grindjes me trupat shqiptare

860
0

Zyrtarët amerikanë dëshmojnë në Kongres: Ushtarët afganë nuk janë pjesë e rebelëve, veprojnë vetëm.
Raporti i CNN bazuar në mediat lokale: Janë 3 të plagosur.
Një burrë me uniformë të Policisë afgane hapi zjarr ndaj trupave të NATO-s në Afganistan, duke vrarë një, ka njoftuar NATO, në atë që duket të jetë rasti i fundit, në dhjetëra raste të kthimit të armëve të forcave afgane të sigurisë nga trupat ndërkombëtarë, të cilët janë aleatët e tyre.
Një ushtar shqiptar u vra dhe tre trupa të tjerë u plagosën, duke përfshirë dy shqiptarë dhe një amerikan, sipas qeverisë lokale në Kandahar, ku ndodhi ngjarja. Dhuna rezultoi nga një grindje ndërmjet policisë afgane dhe ushtarëve të koalicionit, të cilët ishin duke shpërndarë dokumente për studentët në zonë, tha zyra e medias në Kandahar. Një person është arrestuar dhe incidenti po hetohet, ka informuar zyra për media. Forca e Ndihmës Ndërkombëtare për Sigurinë, në NATO lëshoi †një deklaratë të shkurtër që konfirmon të shtënat dhe vdekjen, pa dhënë shtetësinë e ushtarit apo hollësi të tjera.
Ka pasur të paktën 42 sulme nga forcat afgane të sigurisë kundër aleatëve të tyre ndërkombëtarë në pesë vitet e fundit, kështu ka deklaruar këtë muaj një ligjvënës i lartë amerikan. Para Komisionit për Forcat e Armatosura, në Dhomën

Vendi ku ndodhi ngjarja dje ne Kandahar te Afganistanit
Përfaqësuese zyrtarët amerikanë të mbrojtjes kanë dëshmuar se shumica e sulmuesve veprojnë më vete dhe nuk janë kukulla të grupeve kryengritëse. Franca pezulloi operacionet e saj në Afganistan këtë vit, pas dy incidentesh të tilla, të cilat morën jetën e gjashtë ushtarëve francezë. Republikani në SHBA, Buck McKeon, nga Kalifornia, i cili drejton Komitetin për Shërbimet e Armatosura, detajoi të paktën 42 sulmues, të gjithë anëtarë të Forcës së Sigurisë Kombëtare Afgane, mes viteve 2007-2011. Paneli dëgjoi dëshmi nga zyrtarë të mbrojtjes që parashtruan çështje delikate që kanë të bëjnë forcat afgane të sigurisë, në mes tyre verifikimin e afganëve të sjellë në bazat e koalicionit për të garantuar sigurinë. Zyrtarët e mbrojtjes tha se në 58 për qind të rasteve, sulmuesit kanë vepruar në marrëveshje me veten, ndoshta pas një mosmarrëveshjeje personale. “Sherre të tilla mund të lindin nga keqkuptimi kulturor, fetar dhe ideologjik apo stresi i luftimit”, tha gjeneral brigadieri Stephen Townsend, drejtor i Koordinimit Pakistan/Afganistan në zyrat e përbashkëta të shefave të shtabit. Ai tha se trajnimi kulturor ka qenë jetik për ushtarët amerikanë, dhe tani afganët janë duke bërë të njëjtën gjë në sigurimin e të kuptuarit më të mirë të amerikanëve.
Një tjetër grup kriminelësh ka përfshirë kryengritës të cilët ishin në gjendje ta prezantonin veten si ushtarë afganë dhe të depërtonin në baza. Incidentet përfaqësojnë një pjesë të vdekjeve të përgjithshme të koalicionit në luftë, por janë jashtëzakonisht dëmtuese, duke nxitur një mosbesim të ndërsjellë në një moment kritik të tranzicionit në Afganistanit, shprehen ekspertët. Koalicioni ushtarak i drejtuar nga NATO po përpiqet të ndihmojë forcat lokale në tranzicion për të marrë përsipër sigurinë në Afganistanin e shkatërruar nga lufta, ndërsa nivelet e trupave të huaj po bien. Presidenti Barack Obama ka njoftuar tërheqjen amerikane në vitin 2014. Franca ka pezulluar operacionet e saj, pasi katër ushtarë francezë janë vrarë nga homologët afganë në provincën lindore Kapisa në janar. Këto të shtëna pasuan një incident në dhjetor, ku një ushtar afgan vrau dy ushtarë francezë. “Ushtria franceze nuk është në Afganistan për t’u qëlluar nga ushtarët afganë”, tha Presidenti francez, Nikolas Sarkozi.
“LATimes”: Sulmuesi i shqiptarëve në burg, së bashku me 5 oficerë të tjerë
Ishte një lloj misioni ushtarak perëndimor, me qëllimin për të ndihmuar të fitohet mbështetja e popullit afgan: shpërndarja e mjeteve shkollore në një lagje të varfër të provincës Kandahar.
Në vend të kësaj, trupat perëndimore që po merrnin pjesë në patrullimin e fshatit Rabat, një përzierje amerikanësh dhe shqiptarësh u sulmuan nga një polic afgan. Të paktën njëri nga ushtarët shqiptarë u vra në sulmin e së hënës dhe një i dytë u plagos, së bashku me një tjetër anëtar të kontingjentit perëndimor, kombësia e të cilit nuk u zbulua. Zyrtarët në provincën Kandahar thanë të martën se sulmuesi ishte në burg, së bashku me pesë oficerë të tjerë të policisë. Gul Mohammad, shefi i policisë në Spin Boldak, ku ndodhet fshati, tha se kishte shpërthyer një debat midis perëndimorëve dhe afganëve vetëm pak para se të ndodhte sulmi. Përveç debatit, motivet e sulmuesit nuk ishin të qarta, thanë zyrtarët afganë. Ata konfirmuan të martën se ai ishte një anëtar i forcave të policisë dhe jo thjesht i maskuar si i tillë. Të shtënat renegate si ky rast po bëhen një çështje serioze, në kohën që Shtetet e Bashkuara po dërgojnë më shumë trupa për të vepruar si trajnues në Policinë afgane dhe ushtarin e vendit. Forcat e NATO-s po e dorëzojnë gradualisht territorin nën kontrollin e trupave afganë të sigurisë, një proces që pritet të përfundojë kryesisht deri në fund të vitit të ardhshëm.
Pasqyrimi i ngjarjes
Mediat në botë, raportime ndryshe: Një, gjashtë apo 11 të arrestuar
Mediat ndërkombëtare vazhduan edhe gjatë ditës së djeshme të pasqyrojnë me interes lajmin mbi vrasjen tragjike të një komandoje shqiptar në provincën Kandahar të Afganistanit dhe plagosjen e rëndë të një shqiptari tjetër, sulmet e para ndaj kontingjentit tonë atje. Pjesa më e madhe e raportimeve u referohej burimeve nga Ministria shqiptare e Mbrojtjes apo raportimeve të “Associated Press”, por kishte edhe emra prestigjiozë që kishin kryer “hetimet e tyre”. Burimet e shumta japin versione të ndryshme. Ndërsa pjesa më e madhe e mediave mbarëbotërore kanë përcjellë deklaratën e zyrtarëve shqiptarë, se njëmbëdhjetë policë afganë u arrestuan pas sulmit ku humbi jetën një komando shqiptar, CNN raporton arrestimin e vetëm një polici. Ndërsa “Los Angelos Times”, duke iu referuar burimeve nga Policia në Kandahar, raportoi se është arrestuar polici sulmues dhe pesë oficerë të tjerë që ishin të pranishëm.
Vendimi kundër “zjarrit mik”
Ministria afgane e Mbrojtjes nis përgjimet ndaj ushtarëve të saj
Zyrtarët në Afganistan, të shqetësuar pas incidenteve të fundit kundër trupave ndërkombëtarë nga vetë forcat e tyre, po ndërtojnë një plan ambicioz për të spiunuar ushtarët e vet, si përpjekja më serioze deri tani për të ndalur një varg sulmesh nga trupat afganë kundër aleatëve të tyre perëndimorë. Lajmi u konfirmua nga liderët afganë dhe komandantë amerikanë. Agjentë të Drejtorisë Kombëtare të Sigurisë (NDS), agjencia e spiunimit në vend, do të vendosen brenda njësive të ushtrisë në të gjithë vendin për të monitoruar ushtarët afganë në çdo hap, nga rekrutimi e trajnimi deri në zbatimin e detyrës dhe kthimin në shtëpi. “Qëllimi është të identifikojmë dhe të përjashtojmë ndonjë problematikë të mundshme përpara se ky problem të kthehet në vdekjeprurës”, tha ministri afgan i Mbrojtjes, Abdul Rahim Vardak. Sulmet nga ushtarët afganë në personelin e koalicionit kanë shkaktuar të paktën 77 ushtarë ndërkombëtarë të vrarë në pesë vitet e fundit, me tre të katërtat që ndodhën nga viti 2010 deri tani. Lajmin e konfirmoi edhe Daniel Bolger, komandant i Misionit të Trajnimit të NATO-s në Afganistan.
“Vrasësit u arrestuan në 4 minuta”
Ngjarja në Kandahar, Dritan Demiraj: Policia afgane është e ndarë sipas fiseve, del shpeshherë nga kontrolli.
Komandanti i Voglit: Ishin në frontin e luftës, po hetojmë ngjarjen

Komandanti i Forcave Speciale të Ushtrisë, Dritan Demiraj
Skuadra ushtarake ku bënin pjesë Feti Vogli dhe Aleksandër Peci ka qenë e përgatitur për luftime. Komandanti i Batalionit të Forcave Speciale të Ushtrisë shqiptare, Dritan Demiraj, deklaroi dje se Feti Vogli, i rënë në Afganistan, ishte një nga efektivët më të dalluar. Zyrtari i lartë ushtarak ka thënë se në ngjarjen e ndodhur në Kandahar të Afganistanit ka pasur shkëmbim zjarri. Nga burime të tjera të Ushtrisë mësohet se trupat shqiptare dhe amerikane janë qëlluar papritur në befasi dhe më pas është dashur të kundërpërgjigjen. Nga ana tjetër, me gjithë ngjarjen e ndodhur, komandanti Demiraj ka thënë dje se efektivat e forcës speciale shqiptare, por edhe amerikane, nuk e kanë dhënë veten. “Ata, falë përgatitjes së lartë, kanë arrestuar brenda katër minutave personat që qëlluan me armë”, tha dje në TV Klan komandanti i Batalionit të Forcave Speciale të Ushtrisë shqiptare, Dritan Demiraj. “Forcat speciale janë qëlluar pabesisht, ndërsa ishin në front lufte. Ka pasur viktima dhe nga ushtarët amerikanë, dhe afganë”, tha dje Demiraj, i cili ndodhej në banesën e Feti Voglit për t’i shprehur ngushëllimet familjes së ushtarakut të rënë në krye të detyrës. Sipas komandantit të Batalionit të Forcave Speciale, incidente me forcat speciale shqiptare ka pasur edhe më parë, por pasojat nuk kanë qenë kaq të rënda. Ngjarja e ndodhur të hënën paradite me ushtarakët shqiptarë, ku zyrtarisht konfirmohet se ka pasur edhe një amerikan të plagosur, është duke u hetuar. Ndonëse fillimisht u tha se ishte qëlluar nga pesë persona, ditën e djeshme njoftohej se ka pasur një të arrestuar, i cili është duke u marrë në pyetje. Sipas burimeve ushtarake shqiptare, policia afgane paraqet problematikë të madhe sa i përket sigurisë, pasi brenda saj ka grupime të ndryshme sipas fiseve, të cilat shpeshherë veprojnë në mënyrë të pakontrolluar dhe tëpaparashikueshme. Të hënën, në momentin kur ndodhi ngjarja, trupat speciale të ushtrisë shqiptare kanë qenë së bashku me ushtarakë amerikane duke shoqëruar personelin civil amerikan të USAID-it për hapjen e disa shkollave në fshatin Robat të Kandaharit në Afganistan. tr.so

Feti Vogli dhe Aleksandër Peci

Vogli hero, Peci në Gjermani
Komisioni për dhënien e statusit shpall “Dëshmor të Atdheut” Feti Voglin, sot pritja në Rinas
Mori tre plumba në Kandahar, ka ende shanse jete.
Ministria e Mbrojtjes shpalli dje “Dëshmor të Atdheut” kapitenin Feti Vogli, i vrarë në Kandahar të Afganistanit tri ditë më parë, pasi u qëllua nga një person i veshur me uniformën e Policisë vendëse. Ndërkohë që efektivit të forcave speciale të ushtrisë po i bëhen nderimet e fundit pas rënies në krye të detyrës, lajme shpresëdhënëse vijnë nga Afganistani për jetën e nëntetar Aleksandër Pecit, efektivi tjetër i forcës speciale të Ushtrisë shqiptare, i plagosur rëndë në ngjarjen e tri ditëve më parë. Sipas burimeve zyrtare nga Ministria e Mbrojtjes, “gjendja shëndetësore e nëntetar Aleksandër Pecit vazhdon të përmirësohet pas ndërhyrjes kirurgjikale në Spitalin Ushtarak në Bazën Ajrore të Kandaharit në Afganistan”. Ministria theksoi dje, në një njoftim të orës 13:40, se autoritetet ushtarake përgjegjëse të operacionit të ISAF po përmbyllin masat për transportimin e të plagosurit drejt Gjermanisë.
Vogli, hero
Për efektivin e vrarë, Feti Vogli, mësohet se ditën e djeshme në Kandahar të Afganistanit janë zhvilluar ceremonitë e nderimit ushtarak dhe më pas trupi i pajetë ka nisur procedurat e riatdhesimit. Sipas Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, trupi i pajetë i Feti Voglit do të pritet sot në Rinas me protokoll dhe nderime ushtarake dhe do të shoqërohet më pas nga truproja e nderit deri në shtëpi për kryerjen e ceremonive familjare. Më pas, një homazh do të zhvillohet në nderim të oficerit special të Ushtrisë shqiptare para përcjelljes së tij në banesën e fundit. Sipas burimeve nga Ministria e Mbrojtjes, kapiteni Vogli do të prehet në Varrezat e Dëshmorëve, pasi ra në krye të detyrës.
“Komisioni qendror për dhënien e statusit ‘Dëshmor i Atdheut’ i ka akorduar kapiten Feti Voglit statusin e Dëshmorit të Atdheut. Varrimi i Dëshmorit të Atdheut, kapiten Feti Voglit, do të bëhet në varrezat e Dëshmorëve të Kombit”, deklaroi dje gjatë një komunikimi me median Viktor Berdo, gjeneral Brigade.
Peci në Gjermani
Menjëherë pas ngjarjes së ndodhur të hënën në Kandahar, i plagosuri rëndë Aleksandër Peci i është nënshtruar një operacioni kirurgjikal në spitalin e bazës ushtarake ajrore në Kandahar. Mjekët konfirmuan aty se gjendja ishte e rëndë, por speciali shqiptar kishte shpresa për jetë, pasi organet jetësore nuk ishin prekur. Ushtaraku shqiptar është mbajtur nën kujdesin mjekësor, ndërkohë që ISAF, misioni i koalicionit ndërkombëtar në Afganistan dhe NATO kanë marrë masat për transportimin e tij në Gjermani për kurim të mëtejshëm. Një fakt i tillë u konfirmua edhe në Tiranë. “Gjendja shëndetësore e nëntetar Aleksandër Pecit vazhdon të përmirësohet pas ndërhyrjes kirurgjikale në spitalin ushtarak të bazës ajrore Kandahar në Afganistan. Autoritetet ushtarake përgjegjëse të operacionit të ISAF po përmbyllin masat për transportimin e të plagosurit drejt Gjermanisë”, tha gjeneral Brigade, Viktor Berdo. Sipas zv.ministrit të Mbrojtjes në Tiranë, Arjan Starova, i cili vizitoi dje familjet e ushtarakëve, nëntetar Aleksandër Peci ka marrë tre plumba në trup. Plagët kanë qenë të rënda në pjesën e qafës dhe tek mesi, ku i kanë dëmtuar legenin e këmbëve, por pasojat nuk kanë qenë serioze e mbi të gjitha nuk kanë prekur organet jetësore.
Zi në Zall Herr
Në Repartin e Trupave Speciale të Ushtrisë shqiptare në Zall Herr ka rënë zia. Një fotografi e Feti Voglit, në qoshen e së cilës është lidhur një fjongo e zezë, ka zënë vendin e kapitenit të rënë në krye të detyrës. Ditën e djeshme në këtë institucion dhe në gjithë të tjerat e Ushtrisë shqiptare, flamuri është ulur në gjysmështizë. Kolegë, miq, dashamirë dhe shokë të armës kanë shkuar në banesën e Feti Voglit në Baldushk, ku i kanë shprehur ngushëllimet e solidaritetin familjarëve e të afërmve të ushtarakut të rënë në krye të detyrës.
Lapsusi i dytë i Ministrisë me ngjarjen në Afganistan
Deklarata për arrestimin e 11 sulmuesve del e pasaktë
TIRANE – Ministria e Mbrojtjes bëri një gafë ditën e hënë, kur deklaroi se nga sulmi i armatosur në fshatin Robot 2 të Kandaharit kishin humbur jetën dy efektiva të Ushtrisë shqiptare. Pak orë më vonë rezultoi në fakt se Aleksandër Peci ishte i plagosur, në gjendje të rëndë, por më e rëndësishmja, nuk kishte vdekur. Ministria u detyrua të pranojë publikisht këtë fakt dhe të bëjë një deklaratë të dytë, ku të theksonte se për nëntetarin kishte shpresa jete. Megjithatë, kjo nuk rezulton gafa e vetme e Ministrisë së Mbrojtjes në raport me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Afganistan me trupat tanë atje. “Grupi në detyrë ka bërë arrestimin e 11 policëve afganë, të cilët kanë hapur zjarr në drejtim të efektivave tanë”, thuhej në deklaratën e shpërndarë nga Ministria e Mbrojtjes. Sipas kësaj deklarate, 11 persona të veshur si afganë ishin arrestuar pasi sulmuan komandot shqiptarë. Ndryshe nga shifra prej 11 sulmuesish që dha Ministria e Mbrojtjes, informacionet e medias ndërkombëtare por edhe të vetë Ushtrisë shqiptare, janë se ka qenë vetëm një sulmues dhe që ka vetëm një të arrestuar në lidhje me sulmin ndaj komandove shqiptarë.
Politikanët vonojnë meshën, gënjyen se do të merrnin pjesë
Lutje në kishën e Bathores për jetën e Aleksandrit.
Dom Patrizio: “E dimë që politikanët janë të mëdhenj, por jo më shumë se sa Zoti”

Topi në shtëpinë e Feti Voglit në Baldushk

Dje pasdite duhej të ishte edhe mesha e politikanëve, por komandoja i plagosur në Afganistan ditën e hënë gjatë luftimeve pranë Kandaharit, Aleksandër Peci, duket se nuk kishte miq të tillë. Ata, shokët e vërtetë, fqinjët, të afërmit, por edhe kolegët, u lutën dje për jetën e tij në kishën e Bathores, ndërsa zyrtarët që kishin paralajmëruar pjesëmarrjen u shfaqën me vonesë në derë, ose… nuk u dukën fare! Madje duket se politikanët e kishin konfirmuar prezencën nëpërmjet telefonatave, si dhe kishin qenë ata arsyeja kryesore që mesha të mbahej për pasdite në orën 17:00, për shkak të angazhimeve nëpër dikasteret përkatëse gjatë paradites. Nuk bëhet e ditur se cilët janë këta emra politikanësh, pasi drejtuesit e kishës në Bathore nuk u morën me personazhe konkrete, por, gjithsesi, dom Patrizio Santinelli, që mbajti meshën, ua tha çfarë kishte “për t’u thënë”, pa asnjë lloj droje e sikleti.
Mesha
Ideja e meshës ishte e dyanshme dhe ishte menduar që një natë më parë si nga drejtuesit e kishës, ashtu edhe nga familjarët Peci, që i përkasin besimit të krishterë. Gjatë paradites së djeshme, në të gjithë Bathoren ishin ngjitur letra të thjeshta fletoreje ose fletë-format, ku lexohej lajmërimi me shkrim dore: “Sot në orën 5 pasdite në kishë. Lutje për Sandrin”. Një njoftim amator, por që e kishte dhënë efektin e tij në maksimum. Ende pa shkuar ora 17:00, kisha e vogël e Bathores kishte hapur dyert modeste dhe brenda saj dalloheshin pjesëmarrësit e parë, po kaq modestë. Kur shkoi fiks 17:00, dom Patrizio Santinelli zuri vend në krye të sallës së zbukuruar me qirinj dhe shihte herë derën e herë të pranishmit. Pasi vijoi kështu për pak minuta, me një buzëqeshje ironike po aq sa edhe fjalët që do të përdorte më pas, ai tha: “Kishim rënë dakord që mesha do të mbahej në një orar të përshtatshëm për të gjithë për shkak të angazhimeve në punë, në orën 17:00. Tashmë kanë kaluar 5 minuta dhe politikanët që na lajmëruan gjatë ditës se kishin dëshirë të merrnin dhe ata pjesë, nuk erdhën. Ishte vetë dëshira e shumë prej tyre që të merrnin pjesë në meshë dhe na patën konfirmuar pjesëmarrjen. Megjithatë, ata nuk janë të detyruar të vijnë. Këtu mund të vijë kushdo që e ndien për t’u lutur në këto momente për jetën e Aleksandrit. I vlerësojmë politikanët për punën e tyre dhe e dimë që janë të zënë, por nuk mund të presim dot më shumë për Aleksandrin. Ai ka nevojë për lutjet tona në këto momente dhe mendoj se ne që jemi këtu, jemi të gjithë të gatshëm që t’ia japim. I respektojmë politikanët dhe e dimë se janë të mëdhenj, por jo më të mëdhenj se Zoti”. Duke buzëqeshur sërish, kësaj here me shumë mirësi karshi besimtarëve të krishterë, por edhe atyre që nuk ishin të këtij religjioni dhe merrnin pjesë vetëm për hir të lutjeve ndaj Aleksandrit, dom Patrizio pyeti: “A fillojmë tani?”. Nga stolat prej dërrase të lirë, si në korr erdhën zërat e të pranishmëve, duke tundur njëkohësisht kokat në shenjë pohimi: “Shumë e drejtë, fillojmë”. Sakaq, një murgeshë nisi të shpërndante fletë dhe libra të vegjël me liturgji biblike dhe u tregonte me radhë se ku duhet të lexonin së bashku. Ishin zgjedhur vargje që flisnin për shpresat e jetës, për shpëtimin, për besimin në Zot.
Me vonesë
Kisha e vogël nisi të kumbonte nga zërat, të cilët dëgjoheshin edhe në shtëpinë e Aleksandrit, për shkak se janë thuajse ngjitur. Duke qenë se ajo nuk nxinte shumë persona brenda, por edhe për shkak të besimeve të ndryshme në zonë, pjesa tjetër e vizitorëve prisnin jashtë dyerve ose në rrugën kryesore. Ishin me dhjetëra dhe gjithnjë vinin duke u shtuar, madje duke zënë portën e madhe hyrëse. Megjithatë, ata u hapën shumë shpejt dhe u radhitën në formë korridori sepse një makinë me targa zyrtare mori kthesën drejt kishës. Kureshtarët u shtynë për të parë se kush do të zbresë, por ikën tutje nga truprojat, ndaj më të duruarit shikuan para tyre. Dera u hap dhe nga makina zbriti kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila edhe pse me vonesë, ishte e vetmja politikanë që arriti të marrë pjesë në meshën e lutjeve për komandon që po lufton me jetën, Aleksandër Peçi. Aty doli për ta pritur vetë babai i tij, Jak Peçi, por edhe kryetari i Bashkisë Kamzë, Xhelal Mziu. Që të tre u vunë në rreshtin e parë të kishës dhe iu bashkuan lutjeve të dom Patrizios, murgeshave dhe të të gjithëve. Mesha zgjati edhe për një gjysmë ore dhe pas mbarimit, kryeparlamentarja u largua. Ata që mbetën në kishë dhe për një tjetër gjysmë ore ishin ata të fillimit: shokët e vërtetë, fqinjët, të afërmit, por edhe kolegët.
Krerët e shtetit e Arvizu, ngushëllime në familjen e Feti Voglit
Topi: “Medalje e Artë e Shqiponjës” për dy ushtarakët
Berisha: Vogli vdiq për një qëllim, duhet të jeni krenarë
Kapiteni Feti Vogli, i cili humbi jetën një ditë më parë gjatë një misioni paqeruajtës në Kandahar, Afganistan, është dekoruar nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, me Medaljen e Artë të Shqiponjës. Presidenti Bamir Topi, njëherësh Komandat i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, ka zhvilluar dje një vizitë në Baldushk të rrethit të Tiranës pranë familjes së të ndjerit Feti Vogli. Topi i ka shprehur ngushëllimet familjarëve dhe në të njëjtën kohë ka vlerësuar lart kontributin e kapiten Feti Voglit. Presidenti Topi i ka akorduar Medaljen e Artë të Shqiponjës dhe nëntetarit të plagosur, Aleksandër Peci. “Unë nga ana ime, para se të vij këtu, kam ushtruar të drejtën time si President dhe si Komandat i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura për të dhënë ‘Medaljen e Artë të Shqiponjës’ për kapiten Voglin, i cili shkoi deri në vetëmohim në këtë mision, por edhe për nëntetar Pecin, i cili së bashku me kolegët e tij përballuan një mision jashtëzakonisht të vështirë”, theksoi Topi. Familjarët e Feti Voglit dhe Aleksandër Pecit janë vizituar dje dhe nga krerët e lartë të shtetit: Kryeministri Sali Berisha, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Aleksandër Arvizu dhe kryesocialisti Edi Rama. Kryeministri Berisha gjatë vizitës në familjen Vogli ka përcjellë dhe ngushëllimet e gjeneralit John Allen, komandantit të NATO-s në Afganistan, i cili shprehu dhimbjen më të madhe për rënien në krye të detyrës të kapiten Voglit. Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë zhvilloi homazhe pranë familjes së të ndjerit Feti Vogli. “Askush nuk e di se përse Feti Vogli ishte personi që u vra, por ai vdiq për një qëllim dhe ju duhet të jeni krenarë për atë se çfarë ka bërë”, deklaroi ambasadori Arvizu.
Sekretari i SHBA, Paneta, telefonon Imamin

Arvizu dhe Imami

Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-ve, Leon Panetta, i ka shprehur ngushëllimet e tij dhe të qeverisë amerikane, ministrit të Mbrojtjes Arben Imami, për humbjen e jetës së kapiten Feti Voglit, gjatë një misioni të përbashkët në rajonin Shadizi Robat, Afganistan. “Marrim pjesë në dhimbje dhe lutemi së bashku me familjen e kapiten Feti Voglit”, u shpreh sekretari i Mbrojtjes Panetta, duke shprehur njëkohësisht të gjithë gatishmërinë e qeverisë amerikane për çdo ndihmë në rast nevoje. “Gatishmëria e trupave tuaj për të luftuar deri në sakrificën e fundit është për t’u vlerësuar thellë”, tha Panetta, ndërsa shtoi se SHBA dhe populli amerikan vlerëson shumë mbështetjen e pandërprerë të qeverisë dhe popullit shqiptar. Ministri Imami i konfirmoi Panetta-s angazhimin e palëkundshëm të qeverisë shqiptare për të vazhduar kontributin për paqen dhe sigurinë në Afganistan, përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të gjithë aleatëve të tjerë.
Radhë për vizitë në familjen Peci
Babai i Aleksandrit: Jemi qetësuar disi, por sërish kemi ankth
Aleksandri, “ushtari i lagjes”, kthehet në hero për banorët

Familjare te Feti Voglit dje ne fshatin e lindjes

Për gati katër vjet ai shihej si “ushtari i lagjes” për shkak të rrobave laramane që mbante dhe nga padija e banorëve të zonës mbi domethënien e uniformave ushtarake. Ndërsa prej dy netësh, Aleksandër Peci, komandoja që u plagos gjatë atentatit të së hënës në Afganistan, është kthyer në heroin e tyre, në krenarinë e Bathores. Në shtëpinë e prindërve të tij, Jakut dhe Mrikës, nuk kishte më vend brenda për vizitorët. Për t’u dhënë dorën atyre duhej të mbaje radhë. Dhe derisa të të vinte, mund të uleshe në oborrin e shtëpisë, që për këtë rast ishte mbushur plot me karrige. Kafe e cigare, shpresë dhe lutje. Fatmirësisht koha ishte e ngrohtë dhe e mirë. Ashtu si edhe lajmet që vinin orë pas ore rreth jetës së Aleksandrit. “Jemi qetësuar disi. Vazhdojmë të kemi ankth, por kemi besim të madh te mjekët që po e kurojnë Aleksandrin. Kemi shumë besim dhe në Zot. Ishte misioni i tij i parë në Afganistan dhe nuk është se di më tepër”, thotë babai i komandos, Jak Peçi, ndërsa e pyesim rreth djalit që tashmë ndodhet për një trajtim më të specializuar në Gjermani. Sipas tij, nuk ka pasur nevojë që ai t’u bjerë celularëve të funksionarëve të Ministrisë së Mbrojtjes për të marrë vesh mbi shëndetin e të birit, pasi ata vetë i kanë telefonuar çdo gjysmë ore. “Më kanë qenë në shtëpi për vizitë funksionarë të lartë, grupe-grupe, politikanë, diplomatë, por edhe njerëz të thjeshtë që unë as i njoh. Madje edhe nga Kosova e Maqedonia. Kam mbetur i çuditur. Gjej rastin që t’i falënderoj”, shprehet Jaku, të cilit ndryshe nga një natë më parë, entuziazmi i shihet qartë në fytyrë. Po ashtu edhe bashkëshortes së tij, Mrikës, apo vajzës 18-vjeçare, Ina. Kjo e fundit ishte aq e tronditur kur mori vesh lajmin e rremë mbi vdekjen e të vëllait, saqë u vizitua nga dy mjekë dhe u vu nën efektin e qetësuesve. Dje, herë ndriçohej në fytyrë e herë trishtohej, por kthimi nga Italia i vëllait tjetër, Bashkimit, më në fund “e çeli”. Ai është i pari i fëmijëve të familjes Peci dhe si vëlla i madh priste e përcillte njerëzit që hynin e dilnin në shtëpi. Vizita që nuk dije se ç’emër t’u vije, veçse dukeshin qartë që ishin të gëzuara dhe të mbushura me shpresë. Kështu dukeshin edhe miqtë e Aleksandrit, shokë vegjëlie, por edhe ushtrie. Disa prej tyre, që për nga uniforma dallonin si komando, rrinin në prag të derës gjatë gjithë kohës. Shumë të rinj për nga mosha, ashtu si dhe Aleksandri, ata nuk mund të zhvillonin biseda me njerëzit. Përveçse ishin për vizitë, ata ishin edhe në detyrë dhe ndërroheshin me turne. Për çdo informacion të ri nga eprorët ata e raportonin në familje. Detyra u bëhej më e lehtë me kalimin e orëve, pasi gjendja e Aleksandrit vinte drejt përmirësimit dhe kjo i bënte që të shkonin me lumturi drejt babait Jak për t’i dhënë lajmet e mira. E pas tyre, kryefamiljarit i turreshin sa njerëz ishin brenda e jashtë, në mënyrë që të merrnin vesh informacionin e radhës. “Na thanë se është nisur për në Gjermani dhe se gjendja e tij shëndetësore është premtuese. Nuk kemi pasur mundësi për të folur me shokët e Aleksandrit në Kandahar për arsye se ishim të tronditur. Megjithatë, ne na raportojnë vazhdimisht nga Shtabi”, thotë xhaxhai i Aleksandrit, Nikoll Peci, pasi ka folur diçka vesh më vesh me Jakun. Vesh më vesh na vijnë edhe ne lajmet e radhës për Aleksandrin. E rëndësishme është që janë shumë të mira: Ai është jashtë rrezikut për jetën.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here