Gjatë kohës që Banka e Shqipërisë u përfshi në skandalin e vjedhjes së thesarit, arrestimin e ish-guvernatorit Fullani dhe zhvillime të tjera që e pasuan, nga Banka Qendrore është nxjerrë informacion i klasifikuar. Në fakt ky konstatim erdhi më herët në formën e akuzës, nga ish-kryeministri Sali Berisha i cili tha se anëtarja e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, Ermelinda Meksi, kishte sjellë në parlament dosjen top sekrete të bankës qendrore.
Por këtë radhë, është vetë Banka e Shqipërisë që zyrtarisht thotë se nga institucioni më i lartë financiar në vend ka rrjedhur informacioni i klasifikuar.
Ky fakt është bërë publik në deklaratën e publikuar në faqen zyrtare të Bankës së Shqipërisë, pas mbledhjes që Këshilli Mbikëqyrës zhvilloi të mërkurën nën drejtimin e guvernatores në detyrë, Elisabeta Gjoni.
“Keshilli Mbikëqyres i Bankës së Shqipërisë u njoh dhe vlerësoi masat e marra nga Banka e Shqipërisë për ecurinë normale të veprimtarisë operacionale të emisionit monetar dhe garantimin e sigurisë fizike të vlerave monetare. Banka e Shqipërisë siguroi se ka nën kontroll ruajtjen dhe sigurinë e vlerave monetare, përfshirë dhe ambientet ku ato magazinohen. Zhvillimi i ngjarjeve të fundit ka sjellë rrjedhje të informacionit të klasifikuar të niveleve të ndryshme sipas përcaktimeve ligjore, por Banka e Shqipërisë ka marrë dhe po ndërmerr masa për garantimin dhe forcimin e elementeve të sigurisë”, thuhet në deklaratën për shtyp të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.
Në mbledhje e djeshme, Banka e Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit të lekut në 2.5 %.
Sakaq, akuzat e bëra ditën e sotme nga ish-Kryeministri Sali Berisha ndaj anëtares së Këshillit Mbikëqyrës së BSh, kanë sjellë reagimin e menjëhershëm të Ermelinda Meksit. Berisha akuzon anëtaren e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, Ermelinda Meksi se i ka dhënë Parlamentit dosjen me sekretet e institucionin më të lartë financiar në vend.