Shitja fiktive e skrapit nga 8 kompani fantazëm i ka kushtuar buxhetit të shtetit një dëm prej 26 milion dollarë, kjo si pasojë e skemës së rimbulsimit të TVSH. Një skemë e tillë është përdorur nga 10 persona të cilët janë vënë në pranga nga njësia hetimore Task-Forcë, ku mes tyrë është dhe ekonomistja që bënte bilancet e kompanive fiktve shtetësja Hava Muçollari, e cila ndodhet në masën e “Arrestit shtëpiak”. Hetimi i prokurorisë së Tiranës ka provuar se pjesa më e madhe të dokumentacionit të këtyre kompanive është përpiluar nga noterja D.Pepi, ndërkohë që rrëgjistrimi në QKR dhe në Drejtorinë e Tatim-Taksave është bërë vetëm me qëllim tërheqjen e blloqeve, me faturat e TVSH.
Pas kësaj e gjithë veprimtaria e kompanive ka qënë fiktive, dhe një pjesë e kompanive tashmë figurojnë të çregjistruara në QKR. Për zbërthimin e kësaj skeme mashtruese, njësia Task-Forcë, ka bashkëpunuar ngushtë me drejtorinë e tatimeve. Nga veprimet proceduriale, ka rezultuar se personat e arrestuar janë administratorë të kompanive të konsideruara të Nivelit II, të cilët operojnë në veprimtarinë e mbledhjes dhe përpunimit të skrapit. Këta persona dyshohet se kanë krijuar në mënyrë fiktive subjekte të konsideruara të Nivelit III, nëpërmjet të cilave deklaronin se kishin kryer aktivitet shitje-blerje.
Skema e mashtrimit
Subjektet Tregtare “Ajsi”, “Aleksi & Ajsi”, “Allmeta”, “Jurkli-2012”, “Vakum”, “Lu-Ka-Grup”, “Xhois Grup”dhe “Hoxha, të konsideruara të Nivelit II, sasitë e skrapit i sigurojnë duke e blerë nga shtetas të ndryshëm, nga fitimi i tenderëve të ndryshëm për blerje hekuri për skrap, apo nga subjekte të tjerë, të cilët janë të regjistruar në QKR dhe në Sistemin Informatik të Tatimeve, me aktivitet grumbullim e shitje skrapi. Por, në fakt shumica e subjekteve, të konsideruara të nivelit III, janë të regjistruar si në QKR ashtu edhe në tatime në mënyrë fiktive, vetëm për të tërhequr blloqet me fatura TVSH-je në Drejtoritë Rajonale të Tatimeve, dhe perdorimin e këtyre blloqeve, duke lëshuar fatura shitje me TVSH fiktive, për shitje skrapi, për subjektet e Nivelit II.
Sipas prokurorisë fiktiviteti i faturës qëndron në faktin se është bërë vetëm lëshim i faturës tatimore të shitjes, për efekt të kreditimit të TVSH-së, nga subjektet e nivelit të dytë, pa dërguar në fakt skrapin. Nisur nga këqyrjet e vendeve të ushtrimit të aktivitetit, deklarimet e shtetasve dhe deklarimet në sistemin informatik të tatimeve, etj, rezulton se shumica e subjekteve të nivelit të III, janë krijuar nga vetë administratorët e subjekteve të nivelit të II, kjo duke shfrytëzuar njohjet e tyre me persona me gjendje të rëndë ekonomike, persona të panjohur në shoqëri, apo persona që nuk kanë fare dijeni mbi legjislacionin tatimor.
26 mln dollarë
Si pasojë, nga mosdeklarimi në shitje nga subjektet e nivelit të III i faturave tatimore, nuk bëhet derdhja e TVSH së dalë nga këto fatura në organet shteterore, pasi janë fatura të padeklaruara.Ndërkohë që nga deklarimi i tyre nga subjektet blerëse u jep të drejtën atyre që të kërkojnë kreditimin e shumave të TVSH-së të dala nga këto fatura, kreditim që është bërë faktikisht. Nga funksionimi i kësaj skeme për një periudhe të gjatë kohe rezulton se ajo i ka sjellë dëme të konsiderueshme shtetit, nje dëm që nga vleresimet e administratës tatimore arrin rreth 26 milion dollarë.
Të arrestuar
1. AVNI HOXHA,
2. HAVA MUCOLLARI
3. GJERGJ LAMI,
4. ILIR ALLMETA,
5. JOSIF KADRIA,
6.JUXHIN ZEQAJ,
7. PËRPARIM ZEQAJ,
8.RAMIZ VEIZAJ,
9. KADRI RAMA,
10. ROBERT HOXHA.
Policia e prokurora kontradikta me shifrat
Lidhur me arrestimin e 10 personave të akuzuar për veprën penale të “Mashtrimit” dhe “Falcifikimit të dokumentave”, policia dhe prokuroria kanë dalë me dy deklarata të ndryshme për sa i përket personave të arrestuar. Në deklaratën e policisë, u raportuar emrat e 9 personave, ndërkohë që prokuroria raportoi për 8 individë të ndaluar. Nuk dihet me saktësi se përse nuk rakodruan shifrat e personave të arrestuar, por burime pranë prokurorisë thanë se operacioni ishte ende në vijim e sipër. Për nëntë nga personat e ndaluar gjykata e Tiranës, ka vendosur masën e “Arrestit me burg”.