Ndërkohë që qëllimi i konferencës së djeshme ishte një reagim për situatën e fundit të krijuar mes Kosovës dhe Serbisë, kryeministri Sali Berisha mendjen duket se e ka patur tjetërkund. Sapo kanë filluar pyetjet e gazetarëve, të cilat kanë sjellë në fokus politikën e ditës dhe ndryshimet kushtetuese për të cilat është shprehur kryetari i opozitës Edi Rama, Berisha ka rifilluar me thumbat karakteristikë të diskursit të tij, prej të cilëve ata më ironizuesit i shkuan Presidentit të Shqipërisë, Bamir Topit.
Kështu, pyetjes së një gazetari nëse mazhoranca ka në plan që vitin e ardhshëm të zgjedhë një president konsensual, bashkë me opozitën, Berisha iu përgjigj pa doreza duke thënë: “Oferta ime është zbatimi dhe respektimi i Kushtetutës. Unë nuk e bëj këtë për interesin e mazhorancës apo të qeverisë, por e bëj këtë për interesin jetik të çdo qytetari shqiptar. Ju e shihni se z. Rama e pati Presidentin. Presidenti votoi për të, kjo u faktua me votë. Unë dua të theksoj këtu se janë jo të paktë ata që më thonë, a ndiheni i tradhtuar nga ky veprim. Absolutisht, nuk ndihem aspak i tradhtuar, sepse duhet të jeni të bindur se thelbi i përpjekjeve të jetës sime ka qenë që njerëzit të votojnë të lirë. Këtë ideal nuk mund të ma errësojë as edhe një interes tjetër i ngushtë. Jo! Njerëzit do të votojnë për atë që duan”.
Më pas Berisha vijoi të komentonte për një lidhje politiko-shpirtërore mes presidentit Topi dhe kryetarit të opozitës Rama, por toni e fjalët e përdorura, duket sikur i kundërviheshin vetë asaj çka tha në fillim kryeministri, pra faktit që nuk është ndjerë i tradhtuar: “Zoti Rama e pati Presidentin me mish e me shpirt, sepse ai që të jep votën të jep shpirtin e tij politik, ai firmos për ty, me vullnetin e tij politik. Dhe çfarë i solli kjo? 140 mijë vota më pak në rang vendi, 10.999 vota më pak në Tiranë. Sepse në fund të fundit, secili këtu, në një vend të lirë, ka vetëm një votë. Zoti Rama e ka të vështirë të nxjerrë mësime. A mund të më thoni; kush duhet të prevalojë, të mbizotërojë: flirtet, prapashpinëzat, apo Kushtetuta. Sigurisht do të mbizotërojë Kushtetuta”.
Në vijim të përgjigjeve Berisha la të kuptohet se nuk i qëndron ofertës për një president konsensual, sepse, sipas fjalëve të tij “Presidenti i Republikës do të zgjidhet tërësisht në përputhje me Kushtetutën”. Berisha madje nuk harroi të merrte përsipër dhe rolin e mësuesit të opozitës, duke thënë se nuk socialistëve nuk u duhen ndryshime kushtetuese për të ndikuar mbi presidentin, sepse atë e kanë me vete e gjithsesi nuk fitojnë. Sipas Berishës, Topi është “plotësisht në xhepin e opozitës”.
Pas këtyre shprehjeve aspak të matura dhe larg sensit të politikbërjes qytetare, ka ardhur dhe reagimi i Topit i cili nuk u komunikua nga vetë presidenti, por nga zyra e shtypit të presidencës. Në mesazhin e zyrës së komunikimit të presidencës shkruhej: “Presidenti i Republikës zoti Bamir Topi ka qenë, është dhe do të jetë tërësisht në funksionin e tij kushtetues, jashtë çdo ndikimi dhe angazhimi direkt apo indirekt të partive politike. Çdo përpjekje apo aludim tjetër që tenton ta pozicionojë politikisht Presidentin, është e gabuar, spekulative dhe e pamoralshme”. Mirëpo në mesazhin e vet duket se edhe Topi ka lëshuar disa thumba, duke e akuzuar në mënyrë indirekte Berishën si pjesëtar të “një loje që ka të njëjtët aktorë dhe të njëjtat sjellje apolitike prej më shumë se një dekade”. Topi gjithashtu nuk ka harruar të hedhë ironi mbi strategjitë e praktikat e Berishës për të krijuar armiq të paqenë, siç bëri pas 21 janarit kur hodhi publikisht idenë e një “putsch-i” për të marrë pushtetin e kryeministrit. Berisha asokohe tha se ky grusht shteti ishte një konspiracion mes kryetarit të opozitës, presidentit, kryetarit të shërbimit informativ dhe prokurores së përgjithshme, por natyrisht që ky skenar rezultoi thjesht fiktiv. Pikërisht kësaj situate, si edhe akuzës direkte sipas së cilës Topi ka votuar për Ramën i referohej mesazhi i presidencës: “Individë e institucione politike që kanë detyrë të zbatojnë kushtetutën dhe ligjet, në mënyrë sistematike ia lejojnë vetes të krijojnë situata të paqëna, të shpikin vota dhe kundërshtarë politikë, të krijojnë tension artificial midis qytetarëve dhe institucionit të kreut të shtetit, si dhe të tërheqin vëmendjen nga nevoja jetike që ka vendi për reforma të prekshme dhe rezultate konkrete në përmbushjen e standardeve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian”. Gjithsesi përgjigjja e Topit mbetet shumë më e zbehtë se sa sulmi i Berishës, ndërkohë që ping-pongu i batutave e sulmeve mes dy politikanëve tregon për një konflikt që tashmë nuk është më i heshtur, midis dy ish-miqve e ish-kolegëve në Partinë Demokratike, ku duket se nuk do të ketë më vend për Topin, pasi ky të largohet nga presidenca.