Kryeministri në ikje, Sali Berisha, refuzon të hapë punimet e Kuvendit të ri të Shqipërisë, të cilat sipas traditës i hap gjithnjë politikani më i vjetër në moshë. Pasditen e sotme ai ka shpallur nisjen e luftës opozitare që në këtë hap. Arsyet e refuzimit ai i shpjegon duke hequr një paralele ndërmjet Papandreut – Ramës – Metës dhe duke bërë një parashikim: Dy vjet pas mega-mashtrimeve, qytetarët “i prenë biletën”, Papandreut; së shpejti, me siguri kjo do ndodhë edhe me Edi Ramën në Shqipëri.
Pas refuzimit, i takon deputit socialist Namik Dokle të hapë punimet e Kuvendit të ri.
Ja çfarë deklaron ai në profilin e tij në Fb:
“Unë refuzoj të hap nesër, punimet e Kuvendit. Mazhoranca e “Piktorit” është ngritur mbi mashtrimin, krimin, paratë e drogës!” – Kjo është sinteza e mesazhit që Berisha përcjell, duke shpjeguar më poshtë, arsyet e refuzimit.
“Të dashur miq, unë dua t’ju sqaroj pse refuzoj të hap nesër punimet e Kuvendit të ri. Kjo nuk ka asnjë lidhje me faktin se ne kaluam në opozitë, por sepse kjo mazhorancë erdhi në pushtet me mashtrime antiglobaliste, si ato të Papandreut në Greqi. Papandreu mashtroi grekët, duke iu deklaruar se “paratë janë, por duhet të jemi ne”, pra duhet të më votoni mua për të dalë nga kriza.”
Dhe, kësaj radhe, Kryeministri i ditës së fundit, pasi godet Papandreun – “mikun e Ramës në Shqipëri” – bën një ndërlidhje mes palëve, duke mos kursyer akuzat as ndaj ish-aleatit të vet, Ilir Metës, si bashkëpunëtor i tyre në “mashtrim”:
“Miku i tij në Shqipëri, “Piktori” i dështuar, duke përdorur si dëshmitar të rremë Ilir Metën, iu premtoi shqiptarëve se shërbimi shëndetësor do të jetë falas, pa kontribute; legalizimet do bëhen falas; çmimet do ulen për të gjitha ushqimet dhe energjinë për të gjithë shqiptarët, taksat do ulen për 95 % të shqiptarëve; do të krijojë 300 000 vende pune dhe të përndjekurit do t’i dëmshpërblejë brenda dy viteve, madje me 25 euro për diteë e vuajtjes. Por, për të arritur këto, duhet të më votoni.
Dy vjet pas mega-mashtrimeve, Papandreu zhyti shume thellë Greqinë në krizë, ndaj dhe qytetarët i prenë biletën dhe ai u zhduk. Së shpejti, me siguri kjo do ndodhë edhe me Edi Ramën në Shqipëri. Kjo mazhorancë nuk qëndron, sepse është ngritur mbi mega-mashtrimin, paratë e drogës dhe krimit të organizuar,”- përfundon Berisha.