Home Andrea Stefani Berisha, padrinoja që nxorri në pritë Azem Hajdarin?

Berisha, padrinoja që nxorri në pritë Azem Hajdarin?

1203
2

berisha-azemiSali Berisha ka qenë personi që ka nxjerrë Azem Hajdarin në pritën që i mori jetën? Deri më sot është formuluar si akuzë politike, si dyshim, por edhe si hipotezë e imponuar nga logjika e ngjarjeve që pasuan vrasjen e Hajdarit. Por tashmë ajo po konfirmohet prej ish-bashkëpunëtorëve të afërt të tij. Më i fundit është Izet Haxhia, ish-kryebadigard i Berishës, që sapo ka pohuar publikisht se, edhe pse e dinte se ç’e priste jashtë “liderin e dhjetorit”, qe dora vetë Berisha, atë natë shtatori të vitit 1998 që i tha Azem Hajdarit, dil! Dhe e nxiti të shkojë drejt vdekjes!

***

Ky dhe pohime të tjera të Izet Haxhisë e nxjerrin Berishën si një politikan të paskrupullt që nuk prapset para asgjëje, as para metodave dhe teknikave mafioze kur është fjala për të kapur pushtetin. Një politikan që ka nxitur deri hedhjen në erë të shtyllave të tensionit për të destabilizuar vendin dhe për të rrëzuar qeverinë kundërshtare. Që frika dhe ankthi i ndëshkimit e bëjnë të lakmojë kthimin me aq urgjencë nën strehën mbrojtëse të pushtetit, sa të mos ndalet as para viktimizimit të një bashkëpunëtori të afërt, të cilin edhe pse e kish denoncuar dikur deri edhe si terrorist, sot e quan Hero të Demokracisë. Dhe i vë lule mbi varrin ku vetë e paska kallur?! Një politikan që në luftën për pushtet, brenda PD por edhe në shtet, po sipas asaj çka na zbulon Haxhia, është mbështetur edhe në kriminelë, sigurimsa, të inkriminuar të diktaturës komuniste por edhe të periudhës post-diktatoriale. Akuza që i kanë formuluar më parë edhe të tjerë kundër Berishës, për shembull Arben Imami, por që sot, i përsërit saktësisht ish-badigardi i tij, dikur aq besnik, Izet Haxhia.

***

Si asnjë politikan tjetër, Sali Berisha dhe karriera e tij pluskojnë në një kënetë akuzash për krime dhe vrasje. Një nga më të rëndat është vrasja e Azem Hajdarit. Por dyshime të forta bien mbi Berishën edhe po të gjykosh vrasjen e Azem Hajdarit sipas logjikës që Ciceroni përdori në gjyqin e famshëm kundër Krisogonit, duke shtruar të njëjtën pyetje ciceroniane: Cui Bono, “kush përfitoi” nga krimi? Në këtë rast, kush përfitoi politikisht prej tij? Është logjika e ngjarjeve që na ka bërë të dyshojmë te Berisha për atë që nuk e qartësonin dot fakte të mbetura në errësirë dhe që sot po dalin në shesh nga deklarime si këto të Izet Haxhisë. Jam përpjekur, vite më parë, të bëj një analizë të tillë duke zëvendësuar mungesën e fakteve me logjikën e ngjarjeve që burojnë nga pyetja: Kush përfitoi politikisht nga vrasja e Azem Hajdarit? Ka vetëm një përgjigje: Sali Berisha. Pushtetarët socialistë nuk kishin fare interes për një incident të tillë të përgjakshëm. Grushti i shtetit i 14 shtatorit, që pasoi vrasjen e Hajdarit, tregon se incidenti i duhej Berishës për të luftuar socialistët po aq sa, për shembull, djegia e Rajhshtagut i duhej Hitlerit për të luftuar komunistët. Kam qenë i pranishëm kur Berisha, në përfundim të konferencës për shtyp menjëherë pas vrasjes së Hajdarit, përplasi pëllëmbën mbi tavolinë, duke dhënë me këtë gjestikulacion nervoz, sinjalin e qartë se kjo punë nuk ndahej kollaj. Gjithë veprimet e Berishës dhe ngjarjet që pasuan të shtyjnë të dyshosh se grushti i shtetit qe pjesë e një skenari të hartuar që më parë.

***

Në një analizë politike rezulton se Berishës i duhej një incident i tillë si vrasja e Hajdarit. Nuk duhet harruar se Berisha, pas humbjes së pushtetit në 1997, ndodhej në një pikë të vdekur të karrierës së tij politike. Të gjithë, miq të afërt ia kishin kthyer shpinën. Por ndërkaq, ia kish arritur të përhapte rrenën se nuk kish qenë fare fajtor ai për piramidat dhe se qe viktimë e një komploti dhe kryengritjeje të armatosur mafiozo-komuniste. I trembur se përgjatë një qeverisjeje 4-vjeçare të socialistëve mund të përgjigjej para drejtësisë për piramidat dhe deri ngjarjet e vitit 1997, Berisha ishte në alarm. Mekanizmi i drejtësisë nuk duhej të niste të funksiononte, sepse ingranazhet e tij, do të përfshinin shumë shpejt edhe Berishën vetë. Kjo shpjegon edhe reagimin e tij të ashpër dhe me të gjithë energjitë kundër arrestimit të gjashtë drejtuesve të PD të akuzuar për krime në ngjarjet e vitit ‘97. Protesta të shumta dhe të egra me konfrontime me policinë u organizuan për ditë me radhë shoqëruar edhe me hedhje bombash molotov mbi ndërtesat e ministrive. Mesazhi qe i qartë. Nëse drejtësia do të guxonte të vepronte, reagimi do të ishte lufta civile.

***

Ndërkaq Berisha e dinte sesa më shumë kohë kalonte, aq më shumë forcohej pushteti socialist dhe rrezikshmëria e tij për Berishën. Ndaj a nuk do të ishte më mirë që socialistët të largoheshin sa më shpejt nga pushteti, mundësisht pa e mbushur ende mandatin? Por për një gjë të tillë nuk mund të arrihej veçse me dhunë të armatosur. Berishës i duhej kështu një pretekst i fortë që do të justifikonte përdorimin e dhunës. Si një pretekst i tillë do të përdorej vrasja nga “qeveria komuniste” e liderit të dhjetorit Azem Hajdari. Ndërkaq, duket se Berisha kish nisur të besonte edhe vetë gënjeshtrat që kish prodhuar. Në rastin në fjalë, gënjeshtrën se e majta e kish marrë pushtetin me kallash. Ndaj duket dhe arsyetonte: Nëse Perëndimi, SHBA dhe Europa toleruan marrjen e pushtetit me kallash nga socialistët, përse të mos iu imponohej një gjë e tillë edhe nga demokratët? Shihej qartë se Berishës i duhej një pretekst që të rikthehej në pushtet në mënyrë të përshpejtuar ndryshe, ai e kish të qartë, se do t’i duhej të priste të paktën 8 vjet. Madje sikur socialistët të punonin mirë, ndoshta edhe nuk do të rikthehej dot fare. Duket Berisha qe shumë koshient për një gjë të tillë.

***

Grushti i shtetit i 14 shtatorit provon edhe një herë se Berisha është një bixhozçi politik që në momente të caktuara, është i gatshëm të rrezikojë të gjitha letrat. Një gjë e tillë ka qenë një tipar i politikës së Adolf Hitlerit. Por ndërsa ka rrezikuar disa herë gjithçka, Berisha nuk ka humbur asnjëherë gjithçka. Edhe kur ka dështuar në pokerin e tij politik. Kjo i dedikohet stadit të ulët të zhvillimit institucional të Shqipërisë dhe në radhë të parë, mosfunksionimit të prokurorisë dhe drejtësisë. Prokuroria dhe drejtësia nuk kanë pasur kurrë një axhendë të vetën në hetimin e krimeve që kanë të bëjnë me ngjarje me impakt të thellë politik sikundër janë veprimtaria e piramidave financiare, ngjarjet e marsit ‘97, grushti i shtetit i 14 shtatorit ‘98, tragjedia e Gërdecit, tenderimi dhe kostoja e rrugës Durrës-Kukës apo masakra e 21 janarit. Presioni dhe ndikimi i politikës mbi prokurorinë dhe drejtësinë ka qenë tepër i madh për të lejuar hetim dhe gjykim të pavarur. Ky handikap ka pasur impaktin e tij negativ në rrjedhën e proceseve politike në Shqipëri. Negativisht kanë ndikuar, edhe ca ndërhyrje të “ndërkombëtarëve” që kohë pas kohe, kanë sugjeruar që të mos arrestohet Sali Berisha, sepse kjo mund të shkaktonte destabilizimin e vendit. Pavarësia e drejtësisë është vënë para detyrimit politik për të respektuar nevojën për “stabilitet”. Në fakt, duke bërë një gjë të tillë, duke e shpëtuar Shqipërinë nga incidente destabilizuese afatshkurtra nëpërmjet paralizimit të drejtësisë, kanë qenë edhe “ndërkombëtarët” vetë që janë investuar, si pa dashje, në destabilizimin afatgjatë, thuajse 20- vjeçar, të saj.

***

Akuzat e Haxhisë kundër Berishës vijnë në një kohë kur situata në Shqipëri ka të përbashkët diçka thelbësore pikërisht me kohën kur u vra Azem Hajdari. Berisha është përsëri në opozitë dhe përsëri akoma edhe më i frikësuar për mundësinë që një ditë të përfundojë në bankën e akuzës për krime si ai i 21 janarit apo “Gërdecit”. Në gjuhën e tij ndihet po i njëjti ankth për t’u rikthyer sa më shpejt (“me çdo mjet” thonë publikisht bashkëpunëtorë të tij) në kolltukun e pushtetit të pandëshkueshmërisë. Bashkë me Berishën në opozitë u rikthyen edhe shpërthimet e dinamitit, edhe pse këtë herë, jo të përqendruara në shtylla tensioni. Rastësi? Nuk do të habitesha aspak sikur vite më vonë, ndonjë tjetër “Izet” i penduar nga ata të oborrit të Berishës, të deklaronte në publik se edhe këto që shpërthejnë tani “i nxiste po Ai”. Për dreq, edhe drejtësia ka mbetur po ajo që qe në vitin 1998. Por, për fatin e keq të Berishës, as “ndërkombëtarët” dhe as shqiptarët nuk janë më ata.

shqip

2 COMMENTS

  1. NE LISIN QE BIE PERDHE, BAN DRU GJITHKUSH, I MIRI E I KEQI. TURP PER KETE ARTIKULL QE SHKRUHET TASH MBASI BERISHA ASHT NE OPOZITE E DISA BUKESHKALE LAVIRA TE PAPERSPEKTIVE KERKOJNE LEMOSHE NGA PUSHTETARET. S' KA PAS PSE ME I THANE BERISHA: " DIL AZEM", SE AI ISHTE LIDER I DHJETORIT, NJERI ME NISIATIVE E TRIM I PAMPOSHTUN. ATA QE E VRANE I MUNDON KOMPLEKSI I FAJIT E DUEN ME IA FATURUE BERISHES. UNE NUK KAM ASGJA ME ASKEND, POR SHKRIME TE TILLA MONSTRUOZE, NA BAJNE ME DITE SE JETOJME MES HIPOKRITEVE, BUKSHKALEVE E LAPANJOZVE PA KURRFARE DINJITETI.

  2. Thuhet qe e kane cuar drejt vdekjes, por nuk flitet gje per vrasesit. Lojra fjalesh . Askush nuk eshte i besueshem nga keta qe prononcohet. Nese dikush e do drejtesine, atehere le te rihapet hetimi per keto krime e vrasje. Gjithcka qe thuhet perdoret per politike . E verteta eshte veshtire te gjendet.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here