Home Mustafa Nano Evliya Çelebi-u dhe “kamera” e tij që sheh nga të gjitha anët

Evliya Çelebi-u dhe “kamera” e tij që sheh nga të gjitha anët

286
0

mustafa-nanoGazeta Shqip ka publikuar një pasazh nga libri më i fundit i autorit Mustafa Nano me titullin ‘Pax albanica’. Është një pasazh që ka të bëjë me udhëtarin e famshëm osman të shekullit XVII, që jo vetëm ka shkelur në viset shqiptare, por edhe ka lënë shënime të shumta mbi përshtypjet që i kanë lënë shqiptarët. Po e publikojmë dhe në respublica këtë pasazh:

Evliya Çelebi-u s’ka lënë qoshe të perandorisë e të botës pa shkelur (e prandaj veten e quan ‘the world traveller Evliya’). Ka qenë kudo, në Mekë e Medinë, në Egjipt, në Anadoll, në Rumeli, e deri në Austri e Holandë dhe të bën përshtypje që konin e vëzhgimit, ashtu si dhe mendjen tek-tuk, e ka të hapur, sido që të shumtën e kohës nuk harron të mbajë qëndrimet e veta prej osmani. Siç është rasti, kur thotë: “[Në Vjenë] burrat e gratë nuk i fshihen njëri-tjetrit. [Madje] gratë s’e kanë për gjë të ulen e të çaprashitin me ne otomanët dhe burrat as që thonë ndonjë fjalë përballë kësaj situate, por thjesht bëjnë mënjanë apo largohen tutje. Dhe kjo gjë nuk quhet e turpshme. Arsyeja është se në të gjithë botën e krishterë, janë gratë që kanë komandën, dhe ato sillen në këtë mënyrë të pahijshme qysh nga kohët e virgjëreshës Mari”.

Disa studiues i konsiderojnë kujtimet e tij si shënime dosido në planin stilistik dhe disa të tjerëve nuk u pëlqen fantazia tepër e harlisur që ai shtie në punë për të bërë përshkrimin e shumë ngjarjeve e rrethanave, gjë që e nxjerr si një udhëtar të çakërdisur. Në të vërtetë, ka plot raste që në librin e tij të udhëtimeve, “Seyahâtnâme”, nuk merret vesh ku mbaron realiteti e ku fillon fantazia. Fjala vjen në një fshat të Bullgarisë, Çalik-kavak, ai sheh një grua plot xhinde, me flokët të shpupuritur, që bën magjira të çuditshme. E sheh me sytë e vet, teksa merr hi nga zjarri i shuar i shtëpisë ku kish bujtur Çelebi-u me suitën e tij, dhe i rrethuar nga një gjysmë duzine fëmijësh cullakë, në prani të këtyre të fundit, me dorën e mbushur me hi zë të fërkojë piçkën e vet, dhe më tej, hirit që i mbetet në dorë i fryn me të gjithë forcën e mushkërive. Ajo që ndodh, e lë pa gojë Çelebi-un dhe njerëzit që e shoqërojnë. Fëmijët shndërrohen në zogj, ndërsa ajo vetë në një pulë, dhe ashtu dalin jashtë, në oborr, derisa vjen dikush që u pshurr “zogjve”, dhe në momentin që mbi ta bien stërpika urine, që të gjithë rimarrin format e tyre humane.

Flet me dashuri për shqiptarët, të cilët i has kudo nëpër Ballkan, deri edhe në More, sidomos në More. Origjinën e tyre e lidh me tribunë arabe të Kurashit në Mekë, dhe ky është një pohim që nuk të lë indiferent, pasi nga një familje, a klan i kësaj tribuje ka origjinën dhe Muhameti, Profeti. Dhe për të arritur në këtë përfundim, i bie nga një rrugë ca si shumë e shkurtër. Janë disa fjalë të gjuhës shqipe që e bëjnë ta shquajë këtë lidhje, mes të cilave është fjala ‘arnaut’, që në turqisht bën ‘arnavud’ e që në persisht bën ‘arnabud’, me kuptimin ‘turpi mos i zëntë’. Ai e ka gjetur shpjegimin, sidoqoftë: shqiptarët me origjinë mekane janë nakatosur më pas me italianë e frankë dhe gjatë kalifatit të Omarit, gjuha e tyre, që ata e flasin “në mënyrë të përunjur dhe të butë” (“humbly and gently”) mori këtë formë që ka, d.m.th. diçka midis arabishtes dhe frankishtes. Etimologjinë e emrit të Kurveleshit e lidh me këtë origjinë të shqiptarëve. “Quryelesh”, hamendëson ai se ka qenë emri fillimisht, dhe prej këtu shkohet kollaj te tribuja e famshme “Quraysh”. Ai na bën me dije se shqiptarët që ka takuar e dinin këtë gjë dhe mburreshin.

Në këtë mes, të befason duke rrëfyer një ngjarje, së cilës nuk i është referuar pothuaj askush deri më sot. Ndoshta ngaqë ka lidhje me legjendat e jo me historinë. Ai flet për një mauzoleum, në rrethinat e Elbasanit, në nderim të një arabi me emrin Jabal-i Alhama, i cili ka qenë bashkëkohës e bashkëluftëtar i Profetit Muhamet, e që në një rrethanë të caktuar na qenka bërë paraardhësi i sojit të shqiptarëve; medemek shqiptari i parë, i pari fare, në këtë botë; një lloj Adami (Ademi) i shqiptarëve. Ai ishte nga tribuja “Quraysh”. Ishte një gazí shumë trim, që “i bëri dhuratë profetit shumë kokë e gjuhë të prera armiqsh”. Gjatë kalifatit të Omarit qëlloi që – nuk dihet nëse me apo pa dashje – i nxori një sy një sheiku arab, i cili, me syrin e vet në pëllëmbë të dorës, shkoi te kalifi, dhe i tha: “Omar, është e drejta ime mbi bazën e ligjit të Profetit që t’i marr një sy Jabal-i Alhama-s”. Dhe u vendos që, mbi bazën e ajetit kuranik që thotë se “një jetë për një jetë, një sy për një sy …”, të bëhej ashtu si kërkoi sheiku. Jabal-i nuk donte të mbetej me një sy, prandaj ia mbathi tok me njerëzit e klanit të tij, dhe e mbajti frymën te Perandori i Bizantit, Herakli. Herakli është i njëjti perandor, të cilit, kështu thotë tradita myslimane, Profeti Muhamet i ka dërguar një letër (e njëjta letër i është dërguar dhe të parit të Egjiptit, të Etiopisë e të Persisë), ku e fton që t’i nënshtrohet atij, e të kthehet në fenë islame. Bernard Lewis thotë në librin e tij “Islami e Perëndimi”, se këto letra, sipas kritikës moderne, madje edhe sipas shumë studiuesve myslimanë, nuk janë autentike.

Herakli e lejoi të jetonte në Progonat e Dukat. Kështu, Jabal-i Alhama erdhi këtyre anëve deri atëmot të pabanuara dhe këtu zë fill familja shqiptare. Duke qenë se këto vise ishin nën hyqmin e frengjëve (“under Spanish rule”, thotë ai saktësisht), në harkun e një kohe të shkurtër u krijua gjuha shqiptare, që në thelb është një përzierje frëngo-arabe. Dhe kjo familje me kalimin e kohës u përhap në të gjithë Shqipërinë, në Vlorë, në Berat, në Elbasan, në Shkodër etj. Përrallë e lezetshme apo jo?

Çelebi-u bën një vizitë edhe në Shkodër, ndalet ca më shumë tek e folmja e tyre dhe krahas fjalëve buk (bukë), uy (ujë), mish, dele, pulë apo numrave që i ka transliteruar në mënyrë të saktë, pasi në përkthimin anglisht kanë ardhur në formën që njohim ne sot (‘nand’ për ‘nëntë’ dhe ‘dhet’ për ‘dhjetë’), ka mbajtur shënim dhe shprehje jo fort të hijshme të jetës së përditshme, si “mos ha mut”, tikifshan tam (të qifsha t’tam), tikifshan byth (të qifsha në bythë), të pjerdhsha në hundë (ekziston sot kjo shprehje në Shkodër?) etj.

Por shqiptarët i përshkruan dhe si njerëz të dhënë shumë pas jetës së qejfit e pas argëtimeve, të cilat ai nuk i sheh me sy të mirë, por nuk mund të mos i mbajë shënim në emër të ndjenjës së detyrës së kronikanit. Ai flet për argëtime kolektive homofilike, të cilat i evidenton si mënyrë jetese në shumë vende të Shqipërisë. Në Europën e krishterë sheh kudo që “the women are in charge” (në komandë janë gratë), e që deri edhe perandori habsburgas i hap rrugën një gruaje, ndërsa në disa vise të Shqipërisë ai sheh shumë homoseksualë. “Gjirokastritët”, thotë, “kanë një zakon të keq; në raste dasmash apo [festash fetare], ata pispillosen me xhinglat më të mira që kanë, dhe jepen pas pijeve alkoolike; djemtë kapen dorë më dorë me dashnorët e tyre, i përqafojnë fort, dhe vallëzojnë së toku në stilin e të krishterëve; kjo që bëjnë ata është një gjë shumë e prapë, pasi është rit i të pafeve; por ky është zakoni i tyre, e ne nuk mund të mos e themi”.

Në Elbasan, të cilin e përshkruan si të ishte një kopsht i parajsës apo më tej si “nusja e Shqipërisë në Rumeli”, e më potershëm akoma, si “nusja e botës”, i kanë bërë përshtypje shumë gjëra. Çelebi-u ka bredhur botën, por si zor të gjesh një vend a një qytet tjetër, që t’i ketë lënë atë shije të bukur e të magjishme që i ka lënë Elbasani. Edhe Tursun Beu, reporteri i pushtimeve të Sulltan Mehmetit II që e ka vizituar Elbasanin nja dy shekuj përpara Çelebi-ut, nuk e fsheh hiç goditjen që i ka dhënë ai vend “i rrethuar me male të pakalueshme dhe me fushën plot ujë të bollshëm, që ka bërë që tokat e bukës të jenë pjellore e të pasura”.

Në ditën e pazarit, të dielën, Çelebi-ut ia marrin mendjen turma e madhe që duhet çarë me bërryla, çupat që kanë ardhur nga fshatrat e që kanë fytyrën e një zane a formën e një engjëlli, djemtë e vajzat e këndshme të qytetit, që – ky është kulmi i vlerësimit; një mysliman që thotë këtë e çon veten në kufijtë e blasfemisë – “bien në sy për bukurinë e hijeshinë e tyre dhe për tiparet e tyre pothuaj hashemite (‘hashemit’ do të thotë ‘që e ka prejardhjen nga Hashimi, stërgjysh i profetit Muhamet’)”. “Dyert e shtëpive [atje] janë të hapura ditë e natë; për ta është turp të jenë pa miq në shtëpi, e të hanë veç në prani të shërbyesve; ata nuk japin shenja se e bëjnë për të madhe edhe nëse dikush u jepet në derë natën vonë, me shpurën e vet e me kuaj”, thotë. Dhe vijon: “Në shumë dyer vilash e sarajesh, në pjesën e sipërme, janë shkruar në arabisht vargje të tilla, si ‘Dita jote është e bekuar nga kamja e lavdia / porta e shtëpisë tënde është e hapur për cilindo që ka nevojë’ apo ‘Nderin e shtëpisë e ka në dorë i zoti i saj / ndërsa nderi i të zotit matet me bujarinë e tij’”.

Ai flet më poshtë edhe për një si park jashtë qytetit, që “nuk gjendet as në Turqi, as në Arabi e as në Persi”, e që ai e quan ‘Buzurg Seng’ (Shkëmbi i madh). Dhe në këtë pikë, ai i lë mënjanë skrupujt osmanë, gati e lëshon veten pas një kërshërie e empatie që e rrëmben dhe përshkruan një skenë idilike mes djemsh që, po të ish piktor, do të kish marrë formën e një dëshmie të rrallë artistike: “Këtu vinë të rinj të panumërt, që nuk e fshehin se u ka rënë në kokë për djem të tjerë, buzët e kuqe të të cilëve janë si trëndafila e qershi. Të parët u këndojnë këngë të dytëve dhe kështu shfaqin ndjenjat e tyre të ëmbla e të trishtuara në një mënyrë të atillë saqë edhe bilbilat, prej admirimit, nuk guxojnë të nxjerrin zërin. Në çdo cep të sheh syri njerëz që bëjnë dashuri, që argëtohen, që pinë e që dehen, me muzikë e këngë e dëfrime të natyrave të tjera ditë e natë …”.

Ka shumë gjasa që asociimi që i bëhet prej kohësh Elbasanit me tundime e pasione sensuale brenda gjinisë ta ketë burimin te ky rrëfim që Evliya Çelebi-u e bën në librin e tij “Seyahâtnâme”. Por nuk kuptohet pse kjo gjë ka ndodhur veç për Elbasanin. Atij e njëjta pamje i hapet edhe në Gjirokastër (e përmenda më sipër) apo në Berat, banorët e të cilit “tërhiqen në mal apo edhe në ndonjë qoshe të qytetit”, dhe atje “like so many libertines may spend an entire week eating, drinking and carousing” (harxhojnë një javë të tërë mes shthurjes, me të ngrëna, me të pira). Dhe përshkrimin e këtyre situatave e bën në të shumtën e kohës mes një asnjanësie etike që të çudit; në mos, mes një vetëpërfshirjeje emotive që ia komprometon qasjen prej myslimani rigoroz. Ai flet për këtë “shthurje” me tone të hareshme, a thua se i ka ardhur mirë që ata bënin argëtime kësodore dhe se do t’i vinte keq nëse nuk do të kish pasur fatin të ndodhej këtyre anëve, ku më të bukurat e gjërave që sheh kanë qenë, megjithatë, të një natyre krejt tjetër. Elbasanin ai e vizaton – këto i ka veçuar në një studim të vetin edhe Hasan Kaleshi – si “qytetin e poetëve dhe të studiuesve”, ndërsa në Berat i kanë rënë në sy gjashtë kafene, ku mblidhen “poetë, studiues e shkrimtarë të dijshëm, të cilët janë të sjellshëm e elegantë, inteligjentë e të matur, dhe të dhënë më shumë pas gëzimeve të jetës sesa pas fesë”.

Duhet thënë se Çelebi-u është i pari, por jo i fundit autor që nënvizon qasjen homofilike të shqiptarëve. Dyqind vjet më pas është albanologu Johann Georg von Hahn që ndalet te ky argument. Madje, në librin e tij “Studime shqiptare” ka nja dy-tri faqe me titullin “Dashunia për çunat”. Çelebi-ut i kish rënë në sy më së shumti homoseksualiteti i toskëve (duke përjashtuar Elbasanin), ndërsa Hahn-it, ai i gegëve. “[Në Gegni] dashunia dorike për djem vazhdon ashtu siç e përshkruejnë shkrimtarët e Greqisë së vjetër”, ia bën ai. Një vendas, gegë, që i shpjegonte zakonet shqiptare, i thotë Hahn-it se gegët, në ndryshim nga toskët e osmanllinjtë që i përdorin çunat si gratë e përdala, “kanë ndjenja të pastra si drita e diellit dhe dylberi nderohet si një shenjt; këto ndjenja [për çunat] janë nga më të naltat që ka zemra e njeriut”. Hahn-it i kish bërë përshtypje që toskët “kanë këndue ma fort kangë dashnie femnash”, e që gegët “nuk u këndojnë kangë marrëdhënieve të tyre me seksin femër”. Për më tepër, “feja nuk ushtron ndikim mbi këtë dashuni [të çunave për çunat]; muhamedani dashuron të krishtenin dhe i krishteni muhamedanin; madje ka ndodhë që nji i krishtenë të bahet muhamedan, sepse dylberi muhamedan e vinte këtë konditë”.

Dëshmitë e Çelebi-ut e të Hahn-it mbi homoseksualitetin e shqiptarëve të zonave të ndryshme në kohë të ndryshme janë bajagi trallisëse kur i ballafaqon me reagimet homofobike në kor në ditët e sotme.

Previous articleBerisha, padrinoja që nxorri në pritë Azem Hajdarin?
Next articleVizita e Papës dhe lëngata e një kryeqyteti

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here