Zbardhet padia e Ministrisë së Mbrojtjes ndaj ish-ministrit Arben Imami. Burimet nga Prokuroria e Përgjithshme bënë të ditur dje, për “Gazeta Shqiptare” se nën titullin e padisë së ministres aktuale të Mbrojtjes për “Shpërdorim detyre”, “Shpërdorim i kontributeve të dhëna nga shteti”, si dhe “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tender apo ankand publik”, flitet për tenderin e reklamave me vlerën 1.2 milionë USD. Kjo u paralajmërua pak kohë më parë, në një nga seancat parlamentare edhe nga vetë ministrja Kodheli, e cila akuzoi Imamin për “masakër buxhetore në 2013”.
Sipas saj, ushtria u kthye në bazë logjistike të PD-së. “Në kundërshtim me ligjin, paratë e MEICO-s i shpenzuat për spote publicitare dhe aktivitete sportive në shumën 120 mln lekë të reja”, tha Kodheli. Ajo akuzoi gjithashtu se vetëm në periudhën maj-qershor 2013 u harxhuan 62 mijë litra karburant. Gjithashtu para zgjedhjeve të 23 qershorit ishte deputeti socialist Taulant Balla, që në një dalje publike akuzoi ish-ministrin Imami për shpërdorim fondesh publike për fushatë, në favor të Partisë Demokratike në pushtet. “Plot 1 milion dollarë ka shpenzuar ministria e Ben Imamit për reklamë vetëm gjatë muajit të fundit. Para që kanë shkuar në pjesën dërrmuese në llogaritë e mediave pranë pushtetit”, – ishte denoncimi që bëri Balla në qershor të këtij viti.
“Në datën 21 maj, Ministria e Mbrojtjes, përkatësisht Qendra e Kulturës së kësaj ministrie, xhiroi nga buxheti 99.9 milionë lekë për llogari të kompanisë ‘Zoom Event’, e cila për çudi është themeluar vetëm në muajt e parë të këtij viti. Një ditë më vonë, në datën 22 maj”, – citohen akuzat e nënkryetarit të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, “kompania në fjalë ia transferoi fondin një tjetër kompanie, të quajtur, ‘Pro Image’, e cila pastaj ka vijuar të shpërndajë fondin në mënyrë preferenciale. Pjesa dërrmuese e këtyre parave, ose mbi 71%, kanë shkuar vetëm për një grup mediatik, ‘Media 6’. Shpërndarja tregon përdorimin klientelist të parave të shqiptarëve, duke diskriminuar mediat, që nuk i shërbejnë dhe duke favorizuar ato që ia kthejnë paratë me hapësira televizive në fushatë. Për më tepër, përveç aspektit qartazi korruptiv, Ministria e Mbrojtjes me këto reklama ka shkelur hapur edhe nenin 88 të Kodit Zgjedhor, i cili pengon përdorimin e burimeve publike për mbështetjen e subjekteve të caktuara”, – u shpreh aso kohe deputeti i PS-së, Taulant Balla.
Përpara kësaj padie, PS kishte njoftuar se kishte depozituar në prokurori një denoncim për abuzimin me reklamën shtetërore në shifrën 16 milionë dollarë gjatë 5 vjetëve të fundit. Gjithashtu, edhe nënkryetari tjetër i grupit të PS-së, Erjon Braçe, në një nga publikimet e tij pati bërë të ditur se, reklama e Ministrisë së Mbrojtjes, e shfaqur nëpër TV ka kushtuar 1 miliard lekë të vjetra vetëm për një muaj fushatë elektorale. Edhe një nen tjetër i Kodit Zgjedhor shkelet me këtë rast, përkatësisht neni 84 e ndalon qartësisht përdorimin e fondeve publike për reklama dy muaj para zgjedhjeve, duke lënë hapësirë vetëm për reklamat informative mbi procesin zgjedhor dhe njoftimet e tenderave. Në fakt, akuzat për tenderin e reklamave nuk kanë qenë të vetmet që i janë bërë ish-ministrit Imami. Ai është akuzuar edhe për shitjet e pronave të ushtrisë si edhe për tenderin e uniformave të ushtrisë, në prag të 100-vjetorit të Forcave të Armatosura.