Home Sport Barça mposht City-n me rrezultatin 2-0

Barça mposht City-n me rrezultatin 2-0

599
0

mesiMe rikthimin e Champions-it bien poshtë dyshimet për Barcelonën dhe bindjet për Mançester Sitin. Anglezët, që në stadiumin “Etihad” luanin për herë të parë në histori 1/8-at e finaleve të Ligës së Kampioneve, tregojnë se eksperienca vlen shumë në këtë kompeticion, përballë një Barcelone që në gjashtë sezonet e fundit kishin shkuar gjashtë herë, të paktën në gjysmëfinale. Dhe në fund triumfojnë katalanasit, jo pak, por 2-0. Ky rezultat është një goditje e ashpër për ishullorët, të cilët tani shohin më pranë eliminimin sesa shpresën për të bërë një mrekulli të madhe.

Zotërim topi i kotë
Ashtu si në vitet e arta të katalanasve, Mançester Siti nuk e prek thuajse kurrë topin në 15 minutat e para të lojës, duke mbetur i rreshtuar me lojtarë të shumtë në brendësi të zonës së tyre të rreptësisë, aq sa në çerekorëshin e parë statistikat flasin për 141 pasime të Barçës dhe vetëm 41 për të zotët e shtëpisë. Gjithsesi, e gjithë kjo supremaci në prekje të sferës nuk vlen asgjë, sepse ndeshja mbetet e pazhbllokuar, ndonëse kur Siti del jashtë zonës së tij, i tremb jo pak katalanasit. David Silva inspiron Negredon, që për dy herë me radhë frikëson Barcelonën, fillimisht me një goditje të dobët, ndërsa pak minuta më vonë e sheh Valdesin që t’i bllokojë një top në vijën fatale, pas një rrëmuje në zonë që bëri tifozët e Sitit që të ulërinin më kot për golin e avantazhit. Barcelona… shuhet e gjitha në një goditje nga distanca e Ksavit, që pritet pa probleme nga Hart, ndërsa pjesa e parë mbyllet sërish me protagonizmin e Negredos, që ka në kokën e tij dy krosime të saktë për të shënuar, por shifrat 0-0 nuk do ndryshojnë pas vërshëllimës së arbitrit suedez.

Penalltia “vrastare” 
Me të dyja skuadrat që nuk kishin shpenzuar shumë energji në 45 minutat e para, pjesa e dytë nis me dy protesta të ashpra nga të dyja skuadrat, që kërkojnë me forcë nga një penallti. Të parët që protestojnë ndaj “milionerit” Jonas Erikson janë spanjollët, të cilët pretendojnë një prekje të topit me dorë në zonë nga Klishi, pas një krosimi të Sançezit, por më kot. Kalojnë pak sekonda dhe ishte radha e Sitit për të kërkuar 11- metërshin, për një markim të ashpër të Maskeranos ndaj Negredos, por edhe këtë herë faulli nuk është bindës për arbitrin. Gjithsesi, duke parë këmbënguljen e të dyja skuadrave për penallti, Erikson bindet në minutën e 52-të, kur Demikelis ndalon Mesin e lëshuar drejt portës me një ndërhyrje nga prapa. Përveç faullit, “bilbili” lë me të drejtë Sitin me 10 vetë, ndërsa për Barcelonën vjen rasti i artë për të kaluar në avantazh, ndonëse ka shumë dyshime mbi faktin nëse faulli ndaj Mesit duhej dënuar me penallti ose jo. Gjithsesi, nga pika e bardhë “Pleshti” nuk fal, por godet saktë në portë dhe Hart duhet t’i dorëzohet atij. Pelegrini mundohet të ringrejë në këmbë Sitin e tij me dy zëvendësime radhazi, por Barcelona shfrytëzon në maksimum superioritetin numerik, aq sa në minutën e 90-të do të vinte edhe kundërsulmi perfekt me Alveshin e lëshuar në zonë nga Nejmar, që dërgon topin poshtë këmbëve të portierit anglez dhe i jep goditjen përfundimtare skuadrës nga Mançesteri, e cila për të shpresuar një kualifikim në “Kamp Nou” ka nevojë për një mrekulli hyjnore, jo vetëm për ndeshjen perfekte.

“Arbitri? Na mohuan një gol të rregullt”
Tata Martino mendon se arbitrimi nuk ndikoi në fatin e takimit. “Nuk kam qejf të merrem me gjykimin pas ndeshjeve. Më thanë që faulli ndaj Mesit ishte jashtë zonës. Gjithsesi, ne na u mohua gjithashtu një gol, kur Fabregasi ishte në pozicion të rregullt”, deklaroi trajneri i Barçës. Sa i përket ndeshjes, ai u shpreh: “Mançester Siti është një ekip që luan futboll të shpejtë dhe me pasime vertikale. Mendoj se ishte një ndeshje e bukur, por ne fituam dhe kjo ka rëndësi. Kurrsesi nuk do të pushojmë pas kësaj sfide, pasi jemi aktivë në të gjitha kompeticionet”. Për duelin e kthimit, tekniku argjentinas mendon se do të jetë më e vështirë: “Ata do të vijnë vetëm për fitore. Ka për të qenë një ndeshje që do kërkojë shumë energji, por unë kam besim të madh te skuadra ime

“Treguam që s’jemi dobësuar”
Cesk Fabregas e cilëson këtë fitore si një përgjigje për të gjithë skeptikët. “Kemi dëgjuar gjatë gjithë kësaj kohe që ne nuk jemi ekipi që kemi qenë, apo që jemi dobësuar shumë. Ishte një fitore 2-0 në transfertë, ndaj një prej ekipeve më cilësorë të Europës. U treguam të gjithëve se sa vlejmë. Kemi hedhur një hap të rëndësishëm për kualifikimin, edhe pse nuk ka përfunduar ende”, – deklaroi mesfushori spanjoll i Barcelonës.

“Barça nuk është e fortë”
“Rezultati 2-0 është me të vërtetë shumë i rëndë për ne. Kur ishim 11 kundër 11 në fushë, mendoj se ishim pak më superiorë. Me daljen e Demikelis gjërat u vështirësuan, por nuk e merituam atë humbje. Gjithsesi, ne nuk dorëzohemi”, – tha mbrojtësi Vinsent Kompani. “Mbase e mbivlerësuam disi Barcelonën. Nuk janë kurrsesi ekipi më i fortë që jemi ndeshur. Nuk janë aq të fortë sa duken, pavarësisht lojtarëve cilësorë”, – shtoi ai.

“Akuzojnë arbitrin sa herë fitojmë”
“Nuk është aspak çudi për mua që ankohen për arbitrimin, pasi kjo gjë ka shumë kohë që ndodh. Sa herë që fiton Barcelona, njerëzit do fillojnë të flasin që u ndihmuam nga gjykimi. Unë mendoj se e merituam plotësisht fitoren ndaj Mançester Sitit dhe se ishte një faull i qartë në dëm të Mesit, në rastin e penalltisë”, – deklaroi mbrojtësi i katalanasve, Dani Alvesh.

Prezencat, Ksavi barazon Raulin
Mesfushori i Barcelonës, Ksavi Hernandez, ka luajtur ndeshjen e tij të 144-t kundër Mançester Sitit, duke barazuar kështu rekordin e ish-kapitenit dhe sulmuesit të Real Madridit, Raul Gonzales Blanko, ndërsa rekordi mbahet nga Rajan Gigs. Për sa i përket kartonëve të kuq, Siti është rivali i 25-të që e mbyll ndeshjen me një lojtar më pak përpara Barcelonës, ndërsa penalltia në favor të Mesit ishte e 36-ta në Europë, në favor të katalanasve.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here