Home Aktualitet Baraybar: Lulzim Basha ka qenë me mua në Kukës, por jo si...

Baraybar: Lulzim Basha ka qenë me mua në Kukës, por jo si përkthyes

678
0

Mjeku ligjor peruan, Jose Pablo Baraybar, i cili ka qenë disa herë në Shqipëri vitet e shkuara për të hetuar lidhur me akuzat e Dick Marty, në një intervistë telefonike për “Top Channel” shprehet se ka analizuar dyshimet në Burrel dhe në Kukës.Zoti Baraybar tha se kishte hetuar për llogari të OKB-së, por mbështet dyshimet edhe pse pranon se nuk ka gjetur asnjë provë. I pyetur lidhur me deklaratat se ka patur përkthyes në atë kohë ministrin aktual të Brendshëm, Lulëzim Basha, zoti Baraybar u shpreh se zoti Basha ka qenë bashkë me të në Kukës si zyrtar i UNMIK-ut.Keni thënë se keni hyrë disa herë në Shqipëri, për të investiguar dyshimet që përmenden nga Carla del Ponte dhe së fundi nga reporteri i Këshillit të Europës, Dick Marty. Keni gjetur prova?Epo, e gjitha varet nga çfarë quani prova, sepse ne thamë dhe mendoj se Dick Marty e raportoi mjaft qartë, se çfarëdo që u gjet në të ashtuquajturën shtëpi e verdhë, që në fakt ishte e bardhë jo e verdhë kur ne e vizituam, ishte diçka paraprake, por jo përcaktuese. Do të thoja se vetë shtëpia e verdhë nuk ishte i vetmi burim, apo mjet i fillimit të hetimit, që është pjesë e një kompleksiteti gjërash.
Mendoni se ka dhe te tjera vende si ajo?
Sipas raportit, është edhe një tjetër vend i tillë, në Fushë-Krujë të Tiranës. Këtë dëgjova dhe unë pak a shumë në të njëjtën kohë kur mora informacione mbi shtëpinë e verdhë, por unë vetë nuk kam qenë atje dhe nuk e di, nuk e kam idenë se ku është kjo shtëpi në Fushë-Krujë.Përse keni hyrë në Shqipëri në mënyrë të fshehtë dhe për llogari të kujt keni hetuar dhe analizuar për këto dyshime?Nuk kam hyrë ndonjëherë fshehurazi në Shqipëri, gjithmonë kam mbërritur zyrtarisht në Shqipëri. Dua të them se nuk është se jam përvjedhur maleve apo diçka e tillë. Në dy herët që kam qenë, i pari ishte, le të themi një udhëtim turistik, dhe i dyti ishte për një hetim zyrtar me aty edhe një prokuror shqiptar gjithashtu. Pra, fshehtaz s’kam qenë ndonjëherë.Përderisa nuk ka prova apo dëshmi reale, përse duhet të debatohet pas 11 vitesh një çështje e tillë, e ngritur mbi dyshime? Mos mendoni se po interpretohet politikisht në një rrethanë dhe kontekst të caktuar?
Kjo është një pyetje shumë e mirë, por që nuk duhet të më drejtohet mua, por të tjerëve sepse edhe unë të njëjtën pyetje i kam bërë vetes. Dua të them se ka dy lloje akuzash këtu dhe është shumë e rëndësishme t’i veçojmë ato nga njëra-tjetra. E para që janë çuar njerëz nga Kosova në Shqipëri, në kampet e UÇK-së në territorin shqiptar dhe ky është një fakt që është demonstruar shumë kohë më parë. S’ka asgjë të re këtu dhe që tamam-tamam s’ka të bëjë fare me organet njerëzore, por me faktin që UCK-ja kishte baza edhe në Shqipëri, e më saktë në Kukës. Në 2003-shin, kur kam qenë aty për herë të parë, arrita të shoh një prej këtyre kampeve në Kukës, kam intervistuar njerëz që ishin dërguar atje, por nuk po them se këtyre njerëzve u ishin hequr organet. Çështja e dytë është një set i dytë informacioni që ka të bëjë me rrjetin e trafikimit të organeve dhe kjo është diçka tjetër, e shkëputur, pikërisht këtu hyn në skenë edhe shtëpia e verdhë. Dua të them, përse askush nuk hetoi për këtë? Besoj se Marty raportoi saktë kur tha se komuniteti ndërkombëtar nuk deshi të ndërhynte e të trazonte atë të ashtuquajtur stabilitet të Kosovës, në kohën kur ish-lideri i UÇK-së ka marrë tani një pozitë politike.
Përse nuk keni folur deri tani, por e bëtë këtë pikërisht këto ditë?
Nuk kam folur për këtë deri tani, sepse nuk jam më pjesë e OKB-së, nuk punoj më në Ballkan dhe tani u rihap si çështje vetëm nga raporti i Marty dhe nga asgjë tjetër.
Keni thënë që kishit si përkthyes ministrin aktual të Brendshëm të Shqipërisë, Lulzim Basha. I qëndroni këtij pohimi edhe sot?
Këtë nuk e kam thënë asnjëherë. Lulzim Basha nuk ka qenë me mua në shtëpinë e verdhë. Ai ka qenë sidoqoftë me mua gjatë vizitës së pranverës 2003 në Kukës. Lulzim Basha punonte për UNMIK-un. Kur unë kam qenë atje, ai punonte aty, në 2002-shin ka qenë aty, në Departamentin e Drejtësisë dhe pranverën e 2003-shit erdhi me mua dhe me dikë tjetër në Shqipëri. Ai nuk ishte përkthyesi im, ai punonte për Departamentin e Drejtësisë. S’e kam thënë kurrë që ai ishte përkthyesi im. Ai erdhi me ne në atë ndalesë në zonën e Kukësit, kjo po është e vërtetë.

Deputeti zviceran i përgjigjet paralajmërimeve të kryeministrit kosovar

Dik Marti: Padia e Thaçit s’më dëmton, kam imunitet

Raportuesi i Këshillit të Evropës, Dik Marti ka thënë se padia e paralajmëruar ndaj tij nga ana e kryeministrit në dorëheqje të Kosovës, Hashim Thaçi, nuk do të prodhojë asgjë. Deputeti zviceran tha se padia në këtë rast nuk funksionon pasi raportuesit e Këshillit të Evropës kanë imunitet. Ndërkohë klasa politike shqiptare dhe kosovare kanë kërkuar nga Gjykata e Hagës hetimin deri në fund të kësaj çështjeje.
Deklarata
“Thaçi e di mirë që raportuesit e Këshillit të Evropës kanë imunitet dhe ngritja e padisë në këtë rast nuk do të thotë asgjë”, ka thënë Marti në një intervistë për gazetën “Veçernje Novosti”. Deputeti zviceran i cili akuzoi kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, për trafik organesh në Kosovë e Shqipëri tha se nuk është e rëndësishme të bësh vetëm një padi, por të shikosh sa rezultat jep ajo. “Është lehtë të padisësh dikë, është e domosdoshme para se gjithash, që të ndërmerren të gjitha hapat, për të parë se çfarë do të ndodhë”, ka thënë raportuesi i Këshillit i të Evropës, i cili javën e kaluar publikoi një raport në të cilin akuzoi kryeministrin Thaçi se është “bos i mafias” dhe se ka qenë i përfshirë në një “rrjet të tregtimit të organeve njerëzore”.
Akuzat
Dik Marti ka thënë se këtë çështje duhet ta ndjekin organet përgjegjëse në Kosovë, Serbi si dhe ato ndërkombëtare. “Drejtësia në Kosovë, instancat ndërkombëtare të drejtësisë, por edhe drejtësia serbe është kompetente”, ka thënë Marti, meqë sipas tij, ka pasur edhe viktima serbe. Më tej ai vazhdoi duke thënë se “problemi është se dëshmitarët nuk janë të mbrojtur, për të cilën gjë, fatkeqësisht tashmë jemi vërtetuar. Ka pasur dëshmitarë që janë vrarë”. Kosova dhe Shqipëria, e cila po ashtu është apostrofuar në raport, kanë kërkuar nga drejtësia ndërkombëtare, që të fillojë hetimet në të dy vendet, duke hedhur poshtë në të njëjtën kohë pretendimet se në territoret e tyre është zhvilluar tregti me organe njerëzore. Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se do ta padisë Martin për shpifje. Ndërkohë, një ditë më parë, kryeministri Sali Berisha ftoi EULEX dhe Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës që të hetojnë në Shqipëri, pasi sipas Berishës, edhe vetë kjo Gjykatë është akuzuar për fshehje të provave Berisha e cilësoi Martin si “avokat të verbër të Serbisë së Madhe”. Po ashtu, ditën e mërkurë, edhe ministri i Jashtëm shqiptar, Edmond Haxhinasto tha në një takim me homologen kosovare Vlora Çitaku se është e rëndësishme që këtij hetimi t’i shkohet deri në fund. Klasa politike shqiptare ka hedhur poshtë akuzat duke i cilësuar si shpifje dhe Dik Martin e ka quajtur “demagog”. Ndërsa politika kosovare ka deklaruar se këto akuza e kanë dëmtuar shumë Kosovën.

Petriç: Akuzat, të pabazuara në fakte
Ambasadori austriak Volfgang Petriç, e cilësoi raportin e Dick Marty të pabazuar në fakte. I pyetur nga “Top Channel”, Petriç tha se e priti me skepticizëm atë, pasi të tilla akuza ishin ngritur edhe më parë nga Beogradi apo Moska. “Këto akuza prej 10 vjetësh qarkullojnë lart e poshtë, dje në Beograd e Moskë e sot për çudi nga një senator zviceran. Akuzat mbeten shumë misterioze, aq më tepër që këto vitet e fundit në rajon vepron NATO, EULEX dhe Kombet e Bashkuara”, tha Petriç. Ai vazhdoi se vendet e BE-së janë përgjegjëse për këtë raport dhe duhet të merren seriozisht me këto akuza për të zbardhur se ku qëndron e vërteta dhe kush mund të fshihet pas akuzave ndaj qeverisë së një shtetit të pavarur.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here