Seanca parlamentare e fundit për vitin 2010 është shoqëruar me tone mjaft të ashpra për shkak të aktit normativ të qeverisë për të ulur pensionet e ushtarakëve që kanë përfituar pension të parakohshëm. Opozita ka dalë kundër draftit të hartuar nga Ministria e Financave, ndërkohë që ministri Ridvan Bode e ka mbrojtur draftin. Sipas socialistëve qeveria po nëpërkëmb shtresën e ushtarakëve.
Akti normativ
Ministri i Financave, Ridvan Bode, ka hapur debatin me një argumentim të gjatë, përse mazhoranca ka sjellë në Kuvend aktin normativ që përcakton pensionet e ushtarakëve të dalë në pension të parakohshëm, akt normativ që vjen pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që sipas të djathtës është i padrejtë. Për numrin një të financave, është i padrejtë përcaktimi që Kushtetuesja ka bërë për pensionet e tyre pasi sjell pabarazi shoqërore por edhe vetë brenda radhëve të ushtarakeve. “Një punonjës në detyrë merr më pak se një pensionist që del në mënyrë të parakohshme 5%. Atëherë, përse duhet të rrinë në detyrë ata që kanë bërë 15 vjet punë? Jemi në një absurditet”, deklaroi ministri Ridvan Bode. Deputeti socialist Arben Ahmetaj e quajti aktin normativ si nëpërkëmbje që qeveria u bën ushtarakëve. “Si ka mundësi që ish-ushtarakët të përfundojnë me një pension më të vogël se minimali? Duhet të vendosni dysheme, pasi pensioni i këtij grupimi do të ishte edhe më i ulët”, tha ai. Ministri i Financave tha se qëndrimi i opozitës është demagogji për përfitime politike. “11517 veta të marrin sa dyfishi i 118 mijë fshatarëve që kanë punuar gjithë jetën në bujqësi. Ku i keni parë juve këto?”, theksoi Bode.
Debatet për aktin
Por Pandeli Majko tha se ajo që po bën demagogji është qeveria dhe jo opozita. “Ky ligj, në maj të 2005-ës është diskutuar në komisione parlamentare dhe ka kaluar në Parlament me 100% të votave, përfshirë tënden. Dhe menjëherë sapo erdhe the se kjo është vonë”, u shpreh Majko. “Po këtu çna ndodh? Na vjen një ministër Financash që ka ikur dhe na thotë ju po bëni pensionin 1 milion. Është mashtrim more. Pesë gjeneralë ka ushtria shqiptare, maksimumi nëntë, janë nomeklaturë e Presidentit të Republikës siç janë anëtarët e gjykatës së Lartë dhe të përmendësh këtu pensionin e gjeneralit apo të një numri të limituar kolonelësh… Sot këtu ka kolegë që e dinë shumë mirë se pensionet nuk janë për 11 mijë vetat njëlloj, janë të diferencuara. Nuk mund të marrësh këtu, për të hedhur hi sy Parlamentit, pensionin më të madh të një gjenerali që është nomeklaturë e presidentit. Po ç’duhet të bëjë gjenerali dhe koloneli, të shkojë të punojë shitës tek shumica sipas logjikës së ministrit të Financave. Fakti është politik”, u shpreh Pandeli Majko, deputet i PS. Ngërçi me pensionet e parakohshme të ushtarakëve lindi pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, i cili hoqi tavanet e sipërme të përfitimeve, çka sipas Ministrisë së Financave deformon skemën e pensioneve dhe ka pasoja të forta për buxhetin.
Debat Bode-Ahmetaj për aktin normativ të mazhorancës
Deputeti socialist Arben Ahmetaj deklaroi se akti është “i padrejtë” dhe “nëpërkëmb” ish-ushtarakët e ish-policët të cilët kanë sakrifikuar jetën e tyre. Nga ana e tij ministri i Financave, Ridvan Bode, mbrojti aktin normativ dhe ftoi deputetët të votojnë. Sipas tij ky akt nuk prek pensionet e të gjithë ushtarakëve, apo policëve por vetëm një kategorie ish-ushtarakësh të cilët kanë dalë në pension të parakohshëm. Ai akuzoi PS se për 8 vjet në qeveri nuk ka bërë asgjë për këtë shtresë sociale dhe kërkon të përfitojë politikisht duke keqinformuar. “Nuk përputhet me të vërtetën e pensioneve të ushtarakëve dhe të vërtetën e pensioneve në tërësi. Nuk është fjala për pensionet e ish ushtarakëve apo ish policëve. Ata janë diku te 30 mijë, por bëhet fjalë për 7400 ish ushtarakë të dalë në pension në mënyrë të parakohshme. Të gjithë ata të rinj e pleq që kishit nxjerrë para parlamentit nuk kanë të bëjnë me aktin normativ. I keni gënjyer, i keni mashtruar” nënvizoi Bode.
Ish-ushtarakët në protestë para Kuvendit
Përfaqësues të shoqatave të ish-ushtarakëve në pension, në rezervë dhe në lirim, u mblodhën paraditen e djeshme para godinës së parlamentit shqiptar për të protestuar kundër aktit normativ të qeverisë ‘Për sigurimet shoqërore suplementare të ushtarakëve të të gjitha kategorive’. Ata kërkuan të mos votohet akti normativ dhe konsiderohet ‘antikushtetues’ nga ushtarakët. Kryetari i shoqatës së ish-ushtarakëve, Medi Pogaçe i bëri thirrje të gjitha partive parlamentare për të mos votuar aktin normativ të cilin e cilësoi si “famëkeq”. Sipas tij akti “iu mohon të drejtën kushtetuese, ligjore dhe morale ushtarakëve në pension, në lirim dhe në rezervë’. Sipas tij “nga ky akt normativ preken të gjithë kategoritë, por më shumë ata që pensioni i parakohshëm, pasi atyre i është hequr dhe e drejta e profesionit, nuk mund të bëjnë një punë të dytë, ndërkohë që kanë një familje për të mbajtur”. Akti normativ parashikon që llogaritja e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi të ushtarakëve të bëhet mbi pagën mesatare referuese neto të çastit, kur një përfitues merr pension. Në këtë mënyrë, përfitimi nga pensioni përllogaritet si pjesë e përfitimit faktik mujor nga puna dhe teorikisht nuk mund të jetë më i madh sesa paga neto që një ushtarak apo punonjës policie merrte gjatë kohës që ishte në punë. Opozita kundërshton aktin e prezantuar nga mazhoranca. Një javë më parë, Kuvendi i Shqipërisë shtyu aktin normativ për sigurimet suplementare të ushtarakëve, pas kërkesës së kryetarit të Komisionit parlamentar të Ekonomisë, Edmond Spaho, i cili kërkoi më shumë kohë për shqyrtimin e draftit.
PS –Rulit: Keni favorizuar korrupsionin, shko në Prokurori
Opozita, përmes deputetit Sajmir Tahiri, ka sulmuar në Kuvend ministrin e Bujqësisë, Genc Ruli, për skandalin me koncesionin e kromit në Bulqizë, duke theksuar shkeljen e rëndë të ligjit prej tij me anashkalimin e Kuvendit dhe ndryshimin me vetëm firmën e zotit Ruli të kushteve të kontratës koncesionare me kompaninë “ACR”. “Zoti Ruli, një kompani koncesionare që shfrytëzon pasuritë e shqiptarëve, ka kërkuar ndryshimin e kontratës. Ju ndryshoni marrëveshjen me firmën tuaj. Unë do të doja të besoja se e keni bërë këtë nga devotshmëria, por ju këtë s’e besoni as vetë. Por ju e keni bërë këtë për të favorizuar korrupsionin e oborrit që merr lekë nën tavolinë”, ka deklaruar Tahiri. Por Ruli, ka dalë të mbrohet lidhur me akuzat e bëra nga opozita. “Jo çdo ide që keni juve është e vërtetë. Ne kompaninë e kemi marrë dhe i kemi thënë: bëni investime sepse miniera ka qenë e rrënuar. Ju e keni lënë ashtu. Kur u hoq drejtori dhe kur kompania u tërhoq, në vend të saj erdhi një kompani austriake, që iu imponuan gjobat dhe investimet do t’i kryente jo vetëm aq sa ishte koncesioni, por më shumë”, është shprehur Ruli. Por deputeti Tahiri ka replikuar duke theksuar se këto deklarata nuk mund ta shpëtojnë zotin Ruli nga përgjegjësia ligjore në prokurori, për atë që është një abuzim prej disa miliona eurosh me një firmë të vetme. “Mbi ç’bazë ju shkelni mbi Parlamentin, duke amenduar një ligj të tij me firmën tuaj? Unë pres që ju të shkoni ta thoni këtë në prokurori”, i është drejtuar Tahiri Rulit.