Bankat tregtare kanë raportuar se gjendja financiare e individëve është përkeqësuar edhe më shumë në tremujorin e tretë të këtij viti. Duke raportuar standardet e kreditimit tek Banka e Shqipërisë, subjektet bankare kanë evidentuar se, përkeqësimi i gjendjes financiare të individëve ka dhënë ndikimin më madhor në moslehtësimin e kushteve të kredisë në tremujorin e tretë, me një ndikim negativ-13 për qind, niveli më i lartë në katër tremujorët e fundit.
Përkeqësimi i financave të individëve bashkë me rrezikun e moskthimit të kredisë ka ndikuar bankat që të mbajnë të pandryshuar sjelljen e kredisë për individë.
Ndonëse shihet që faktorë të tjerë që e stimulojnë kredinë të tilla si konkurrenca në sektorin bankar, politika e Bankës së Shqipërisë dhe situata e likuiditetit në banka janë përmirësuar ndjeshëm.
Ekspertët në sektorin bankar në një takim të fundit me gazetarët e ekonomisë shpjeguan se kreditimi për ekonominë do të vijojë të jetë në stanacion nëse nuk përmirësohen burimet e financimit të ekonomisë dhe me këtë rast edhe gjendja financiare e bizneseve dhe individëve. Por qeveria nga ana tjetër pret që bankat të rrisin kreditimin, si mënyra themelore për të nxitur rritjen e ekonomisë.
Bankat raportuan lehtësim të standardeve të zbatuara për kreditë si për blerje banese, ashtu edhe për qëllime konsumi. Balancat e vlerësuara ishin përkatësisht 7.9% dhe 14.0%. Edhe për tremujorin e katërt, bankat presin vazhdim të tendencës lehtësuese të standardeve të kredisë për individët të akorduar si për blerje banese, ashtu edhe për konsum.