Home Aktualitet Babai i Denisit: “Gjykata ma vrau djalin perseri”

Babai i Denisit: “Gjykata ma vrau djalin perseri”

662
0

fatmri-almadhiVendimi i gjykatës ishte qesharak, jeta e djalit tim nuk vlente 60 mijë lekë”. Kështu shprehet për “Gazeta Shqiptare” babai i Denis Almadhit, 11-vjeçarit që dy vite më parë humbi jetën pas një operacioni të kryer në sy. Fatmir Almadhi pohon se, ditën që gjykata dha vendimin për dy mjekët irlandezë që morën pjesë në operacionin e djalit të tij, ata e vranë sërish Denisin. “Njërin nga mjekët e lanë të lirë, ndërsa një tjetër e gjobitën vetëm 60 mijë lekë. Ata kanë kryer eksperiment me djalin tim dhe kjo gjë nuk është normale”, – shprehet babai i vogëlushit. Edhe pse kanë kaluar më shumë se dy vite që nga dita kur ata e çuan Denisin për të bërë operacionin që do t’i merrte jetën, askush në familjen Almadhi nuk e ka harruar atë mëngjes. Nëna e Denisit bashkë me vajzën e saj, në 7 nëntor të vitit 2012 e kanë dërguar atë në spital dhe kanë pritur që operacioni të përfundonte pas disa orësh, por pas atij operacioni që zgjati pafundësisht, Denis Almadhi nuk u zgjua më. Në sytë e nënës dhe motrës së tij, ende nuk janë tharë lotët e asaj dite, ndërsa në dhomën e vogël të kësaj familjeje, në çdo anë që të hedhësh sytë, në të gjitha fotografitë e varura në mur sheh fytyrën e qeshur të Denisit.

Gjykata, pak ditë më parë vendosi që njërin nga mjekët irlandezë ta dënojë vetëm me gjobë 60 mijë lekë, ndërsa mjekun tjetër e shpalli të pafajshëm. E prisnit ju këtë vendim?
Ai është një vendim qesharak. Ne akoma nuk jemi njohur me vendimin e zbardhur të gjykatës, me gjithë dosjen, por, me aq sa dëgjuam atë ditë në sallë, çdo gjë na u duk qesharake. Nuk e kuptojmë se si mund të merret jeta e një njeriu dhe gjykata të japë vetëm dënim me gjobë 60 mijë lekë?! Pse, jeta e djalit tim kaq vlente, 60 mijë lekë?

Sipas jush, sa duhej të ishin dënuar mjekët irlandezë?
Ne duhet të theksojmë se, nuk kërkojmë dënimin e tyre me burgim të përjetshëm, duam vetëm të dimë se çfarë ka ndodhur në sallën e operacionit. Donim vetëm të vërtetën, donim vetëm që mjekët të mbanin përgjegjësitë e tyre; jo duke i dënuar përjetë, por nuk prisnim as që ta dënonin njërin prej mjekëve me 60 mijë lekë dhe mjekun tjetër, kirurgun irlandez ta shpallnin të pafajshëm. Atë ditë që gjykata dha vendimin e saj, ma vrau sërish djalin. Pse, kjo është drejtësia në vendin tonë?! Madje, as gruaja ime që ka qenë atë ditë në spital, nuk u mor asnjëherë në rolin e dëshmitarit. Por, shkeljet në këtë rast filluan që në momentin që, një ditë pas operacionit, dy mjekët irlandezë u lejuan që të fluturonin jashtë Shqipërisë.

Ju, akoma nuk e keni zbuluar se çfarë ka ndodhur atë ditë në sallën e operacionit me djalin tuaj dhe përse ai ndërroi jetë?
Ne kemi më shumë se dy vjet që e kërkojmë këtë të vërtetë, kërkojmë vetëm të dimë se çfarë ka ndodhur atë ditë në sallën e operacionit, pse vdiq djali im. Na thanë në fillim “nga temperatura e lartë”, pastaj “mungonte medikamenti”, ndërsa një version përfundimtar se çfarë ka ndodhur ne nuk e dimë. Madje, këta nuk kanë marrë as dëshminë e mjekëve që e operuan, pasi gjykimi ndaj tyre është bërë në mungesë, por nuk është marrë as dëshmia e mjekëve të tjerë që ishin të pranishëm në sallën e operacionit.

Po në fakt, ju, si e cilësoni operacionin që kanë bërë mjekët irlandezë me djalin tuaj?
Unë e dërgova djalin me këmbët e tij në spital, djali im ishte shumë mirë. Neve na thanë se është një operacion shumë i thjeshtë dhe se nuk ka rrezikshmëri. E vetmja gjë që do i bënin ishte vetëm një operacion i vogël te kapakët e syve, por nuk na thanë se kishte rrezikshmëri dhe unë nuk e dërgoja djalin. Ata kanë kryer eksperiment me djalin tim. Por, nuk e kuptoj se si mund të bëhet një eksperiment me një jetë njeriu dhe më pas mjekët të lihen të lirë dhe të lihen të shkojnë në vendin e tyre?! Ne ende nuk e kemi parë dosjen e plotë të gjykatës, që të shohim me detaje se çfarë kanë thënë në këtë dosje, por i themi këto nga ato që kemi dëgjuar në sallën e gjyqit, gjatë seancave, ku kemi qenë të pranishëm, sepse kemi qenë në çdo seancë që është bërë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here