Home Aktualitet Atifete Jahjaga, nga oficere e policise ne presidente

Atifete Jahjaga, nga oficere e policise ne presidente

712
0

Ambasadori amerikan në Kosovë, Christopher Dell e kishte thirrur në telefon dje (pardje) në mëngjes zëvendësdrejtoren e përgjithshme të Policisë së Kosovës, Atifete Jahjaga. Thirrja kishte qenë befasuese. Së pari nga kush vjen dhe së dyti çfarë i thotë. I thotë nëse do të bëhet president e Kosovës. Dhe oferta është joshëse. Oficerja policore me gradë kolonele e pranon ofertën që të jetë kandidate konsesuale për president të Kosovës.Por, emri i saj është dëgjuar për shumicën e njerëzve për herë të parë kur ia përmendi Hashim Thaçi.Atifete Jahjaga është numri dy në Policinë e Kosovës. Vjen nga një familje e njohur nga rrethina e Gjakovës. Dyzetvjeçarja, në formularin e pasurisë në Agjencinë Antikorrupsion ka deponuar të dhëna se është e martuar me Astrit Kuçin dhe nuk ka fëmijë. Merr pak më shumë se një mijë euro rrogë në muaj për punën e saj në Policinë e Kosovës.Në polici është angazhuar qysh në vitin 2000 dhe tash ka arritur gradën e koloneles.“Prej rreshterit është graduar majore, e më pas kolonele. Atifetja, juriste e diplomuar, karrierën e saj në polici e ka filluar si përkthyese, më pas police në departamentin e policisë kufitare, e pastaj në njërin nga departamentet më të rëndësishme të policisë, atë të trajnimit”, shkruan në biografinë e saj në faqen e Policisë.Jahjaga ka kryer trajnime të shumta, duke përfshirë kryesoret në SHBA. Fotoja e saj më e shpeshtë që gjendet ëshë ajo me ish-presidentin George W. Bush, dhe gjithashtu shihet edhe me Sekretaren e Shtetit, Hillary Clinton, gjatë vizitës së saj në Kosovë.Ambasadori amerikan në Kosovë, Christopher Dell, kreu i PDK-së, Hashim Thaçi, njëherësh kryeministër, Isa Mustafa i LDK-së opozitare dhe Behgjet Pacolli, kandidati i AKR-së për president, në një konferencë të përbashkët për shtyp sonte bënë të ditur se është arritur marrëveshje për tejkalimin e ngërçit politik i krijuar për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.Në bazë të një memorandum të marrëveshjes së arritur midis kreu i PDK-së, Hashim Thaçi, njëherësh kryeministër, Isa Mustafa të LDK-së opozitare dhe Behgjet Pacolli, kandidatit të AKR-së për president, i cili është tërhequr nga gara, oficerja e lartë e Policisë do  të jetë kandidatja konsensuale për presidente të Kosovës. Ajo do të jetë e përkrahur nga PDK, LDK dhe AKR-së në seancën parlamentare javën e ardhshme, kur pritet të votohet presidenti i shtetit dhe me këtë të zgjidhet kriza institucionale.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here