Dalja nga projekti duke shtuar 3 kate më tepër ka çuar në arrestimin e pronares së një firme ndërtimi dhe inxhinierit të saj, gjithashtu edhe në sekuestrimin e pallatit 10-katësh.
Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, me anë të efektivëve të Komisariatit nr.2 në bashkëpunim me Seksionin për Korrupsionin vunë në pranga Nadire Qinami (Dano), 58 vjeç, banuese në Tiranë, pronare e firmës së ndërtimit “Brilant” Sh.p.k dhe Enea Koçiasi, 34 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë inxhinier pranë kësaj firme ndërtimi.
Arrestimi i tyre u bë pasi nga verifikimi i dekumentacionit rezulton se kanë shtuar në objektin me leje i cili ishte parashikuar të ishte 7-katësh edhe 3 kate të tjera duke e ngritur objektin në 10 kate.
Pas arrestimeve, mësohet se është vendosur sekuestro preventive e pallatit 10 katësh tek rruga “Frederik Shiroka”, pranë zonës së njohur si “21 Dhjetori” në kryeqytet.
Materialet ju referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprat penale “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Dhënie e ndihmës për ndërtim të paligjshëm”.