Home Aktualitet Arrestohen 2 police kosovare, denohet akti nga Tirana zyrtare

Arrestohen 2 police kosovare, denohet akti nga Tirana zyrtare

611
0

Autoritetet e Serbisë arrestuan të premten dy pjesëtarë të policisë së Kosovës në zonën kufitare me Kosovën, pasi sipas tyre “ishin të armatosur dhe kjo përbën shkelje drastike të marrëveshjes ushtarako-teknike, të nënshkruar në Kumanovë, më 1999”. Ky akt shkaktoi reagime të ashpra në Tiranë,Prishtinë por edhe në Maqedoni, ku partitë shqiptare atje i bënë thirrje Beogradit të heqë dorë nga këto akte provokuese. KFOR-i nisi hetimet: Do të analizojmë rrethanat dhe më pas do dalim në një rezultat.

Policia: Serbia do t’i lirojë shpejt policët kosovarë
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni ka premtuar se akte si ato të arrestimit të policive kosovarë nga forcat serbe, nuk do të ndodhin më dhe qytetarët nuk do t’i shohin. Ai ka thënë se “Policia e Kosovës do t’i përgjigjet me të gjitha mjetet në dispozicion ndonjë përpjekje të tillë”.

Sipas tij, partnerët ndërkombëtarë, KFOR-i dhe EULEX-i kanë vendosur komunikim me autoritetet serbe dhe policët shpejt do të lirohen.
“Policët nuk janë keqtrajtuar dhe Policia e Kosovës do të vazhdojë që t’i kryejë detyrat e saj konform obligimeve ligjore dhe kushtetuese edhe në kufirin me Serbinë”, ka thënë ai për RTK.

PDSH, Thaci: Beogradi të tërhiqet nga kjo politikë e gabuar
Ndaj arrestimit të dy policëve nga Kosova, nga ana e xhandarmërisë serbe, ka reaguar sot edhe kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni, Menduh Thaçi. Në një deklaratë dhënë RTK-së, Thaçi e ka quajtur këtë veprim të autoriteteve serbe marketing politik në prag të mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në këtë vend.
Ai ka shtuar se pas zgjedhjeve të majit në Serbi, bashkësia ndërkombëtare do t’u tërheq vërejtjen autoriteteve serbe që mos të hidhen më në aventura të këtilla provokuese.
“Partitë shqiptare në Maqedoni kërkojnë nga Beogradi zyrtar që të tërhiqet nga kjo politikë e gabuar antievropiane dhe t’i lirojë policët e arrestuar padrejtësisht”, ka thënë ai.

BDI: Policia serbe akt kriminal dhe vandal
Partia Bashkimi Demokratik për Integrim në Maqedoni ka reaguar kundër aktit të arrestimit të dy policëve të Policisë së Kosovës nga ana e xhandarmerisë serbe në kufirin me Kosovën, transmeton Ina.

“Ne denojmë ashpër aktin kriminal dhe vandal të policisë serbe në kufirin me Kosovën. Është akt në kundërshtim të plotë me frymën dhe trendet e europianizimit të rajonit që nënkupton bashkëpunim të ngushtë policor rajonal, është gjithashtu në kundërshtim me aspiratat deklarative të Serbisë për rajon të qetë dhe të integruar, dhe për zvoglim të dallimeve në mes Kosovës dhe Serbisë. Ndoshta, ky akt mund të shifet edhe në kontekst të periudhës parazgjedhore në Serbi apo si refleksione të strukturave Millosheviqiane atje, por, kjo nuk mund të justifikon këtë akt krimanal, andaj, kërkojmë nga Beogradi zyrtar që të tërhiqet nga kjo politikë e gabuar antieuropiane dhe ti liron padrejtsisht të arrestuarit”, theksoi zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.

Arrestimi, hakerat kosovarë sulmojnë 19 faqe webi serbe
19 faqe webi në Serbi janë sulmuar sot nga hakerat shqiptarë të njohur si “illyrian Hackers Group” për shkak të arrestimit të 2 policëve shqiptarë nga Serbia.
Hakerët shqiptarë kanë lënë mesazhe politike në çdo web-faqe që kanë sulmuar, siç raportojnë mediat kosovare. Ndër mesazhet lexohen se të gjitha arrestimet e bëra nga Serbia janë të qëllimshme dhe pa arsye.
“Nëse mendoni se me dy policë keni rrëzuar Republikën e Kosovës e keni gabim” është një tjetër mesazh.

LSI: Rrëmbimi i dy policëve kosovarë provokim i shëmtuar i Serbisë
LSI nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm të LSI, Luan Rama ka reaguar në lidhje me rrëmbimin e dy policëve kosovarë prej forcave serbe. Duke e dënuar këtë akt, Luan Rama tha se ky është një provokim i turpshëm nga ana e Serbisë.

“Më lejoni që gjithashtu në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim të denoncoj aktin provokativ të rrëmbimit të dy punonjësve të policisë së Republikës së Kosovës prej forcave serbe si një akt të shëmtuar që jo vetëm provokon rëndë klimën e dialogut dhe të bashkëpunimit që është i domosdoshëm edhe për Kosovën, edhe për Serbinë në funksion të integrimit evropian të të dy shteteve”, tha ai.

Arrestimi i 2 policëve kosovar nga serbët, KFOR nis hetimet
Një komision ushtarak i KFOR-it ka mbërritur në vendin ku janë arrestuar dy policët kufitarë të Kosovës nga ana e autoriteteve të Serbisë, për të vërtetuar dhe hetuar rastin.
Pas analizimit të rrethanave, KFOR-i pritet të dalë edhe me një rezultat në lidhje me arrestimin e dy policëve kosovarë. Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, thotë se është në kontakt me autoritetet ndërkombëtare, sidomos me EULEX-in, për të ushtruar ndikimin që policët, ndaj të cilëve është shpallur ndalesa prej 48 orësh në burgun e Kurshumlisë, të lirohen dhe të kthehen në shtëpi.

“Kemi kërkuar, përmes mekanizmave ndërkombëtarë që i kemi në dispozicion, përmes EULEX-it, e po ashtu edhe përmes Përfaqësuesit Special të BE-së, Samuel Zhbogar, t’i shfrytëzojnë të gjitha mundësitë e presionit ndaj Serbisë që të lirohen policët e kidnapuar. Gjithashtu, i jemi drejtuar me shkresa Komisionit Evropian dhe institucioneve tjera që të bëjnë një presion maksimal për lirimin e policëve, të cilët pa asnjë arsye janë kidnapuar në territorin e Kosovës”, thotë Rexhepi.

Edhe misioni për sundim të ligjit i Bashkimit Evropian, EULEX, thotë se po i hulumton rrethanat dhe lokacionin e ngjarjes. EULEX-i shpreh habinë për këtë veprim pas frymës pozitive dhe arritjes së marrëveshjes për menaxhim të integruar të kufirit gjatë dialogut Kosovë – Serbi.

MPJ: Serbia të heqë dorë nga akte të tilla
Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë dënon me forcë arrestimin e të dy policëve të Republikës së Kosovës.
Një deklaratë për shtyp nga MPJ vlerëson se “akte të tilla kriminale të motivuara nga struktura e mentalitete të vjetra e arkaike nuk i shërbejnë aspak frymës së re të bashkëpunimit e fqinjësisë së mire në rajon mes vendeve që aspirojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian”.

“MPJ kërkon nga autoritetet përgjegjëse në Beograd të kthejnë në vendin e tyre policët e Republikës së Kosovës dhe të heqin dorë nga përsëritja e akteve të tilla në të ardhmen”, përfundon deklarata zyrtare e Ministrisë së Jashtme shqiptare.

Aleanca Kuq e Zi: Serbia provokon shqiptarët, kërkon konflikt
Aleanca Kuq e Zi e konsideron si një provokim të Serbisë, arrestimin e dy policëve kosovarë në Merdarë. Përfaqësues të Aleancës Kuq e Zi kërkuan hetim ndërkombëtar për ngjarjen, pasi sipas tyre veprimet e autoriteteve Serbe kanë për qëllim nxitjen e konflikteve me shqiptarët.

“Shteti shqiptar hesht për provokimin e radhës së Serbisë. Të lirohen menjëherë policët kosovarë.”- nënvizuan përfaqësuesit e AK-së. Sipas Aleancës Kuq e Zi, Bashkimi Europian duhet t’i japë fund “përkëdheljes ndaj Beogradit”.

Qeveria e Kosovës kërkon lirimin e menjëhershëm të policëve
Qeveria e Republikës së Kosovës dënon ashpër arrestimin e dy policëve të Kosovës nga ana e organeve te Serbisë, dhe kërkon lirimin e menjëhershëm të tyre dhe pa kushte.

“Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson se ky është një akt qyqar i Qeverisë së Serbisë, është në kundërshtim me vlerat evropiane të fqinjësisë së mirë, kundër bashkëpunimit rajonal dhe cenon rëndë marrëveshjet e arritura në mes të Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky akt cenon rëndë raportet në mes të dy shteteve të pavarura, Kosovës dhe Serbisë, thuhet në reagimin e Qeverisë së Kosovës”,- thuhet në deklaratën për media të qeverisë kosovare.

“Qeveria e Kosovës ju bën ftesë të gjitha institucioneve ndërkombëtare, para së gjithash Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të ndërmarrin hapat e domosdoshëm, për të ndikuar te Beogradi zyrtar, për ti ndalur këto veprime arbitrare dhe të kundërligjshme”,- vijon deklarata.

Jahjaga: Arrestimet sulm mbi integritetin territorial të Kosovës
Presidentja e Republikës së Kosovës Atifete Jahjjaga ka dënuar arrestimin e dy pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga Policia e Republikës së Serbisë, në vendkalimin kufitar ndërmjet dy vendeve në Merdare.

“Arrestimi i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në detyrë, është sulm mbi integritetin institucional e territorial të Republikës së Kosovës. Arrestimet e shpeshtuara të qytetarëve të Republikës së Kosovës nga autoritetet e Republikës së Serbisë, nuk kontribuojnë në vendosjen e marrëdhënieve të mira ndërmjet dy vendeve”,-thuhet në reagimin e presidentes.

LDK: BE dhe SHBA t’i bëjnë trysni Beogradit
Lidhja Demokratike e Kosovës dënon rrëmbimin e dy pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga xhandarmëria serbe.

LDK-ja u bën thirrje institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës dhe mekanizmave ndërkombëtarë që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për lirimin e dy policëve të rrëmbyer dhe kthimin e tyre në Kosovë.

“LDK-ja konsideron se aktet e tilla janë tërësisht të papranueshme dhe nuk i kontribuojnë normalizimit të marrëdhënieve dhe fqinjësisë së mirë ndërmjet dy vendeve”, thuhet në një komunikatë për shtyp.

“LDK-ja fton bashkësinë ndërkombëtare, Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të gjitha vendet e botës demokratike, që t’i bëjnë trysni Beogradit zyrtar për ndaljen e provokimeve të tilla të rënda ndaj Kosovës

AAK: Qeveria reagon me deklarata bajate
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) shpreh indinjatën e vet të thellë me rastin e rrëmbimit të dy policëve të Policisë Kufitare të Republikës së Kosovës.

“Ky veprim armiqësor i Qeverisë së Serbisë vjen si pasojë e nënshtrimit të vazhdueshëm të Qeverisë së Kosovës, e cila në vend se të ndërmarrë veprime konkrete për zbatimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe mbrojtjes së integritetit dhe sovranitetit të vendit, del me deklarata të çuditshme dhe bajate, gjoja për Serbinë evropiane dhe se gjoja Serbia e paska pranuar Pavarësinë e Kosovës”, thuhet në një komunikatë të AAK-së, sipas së cilës pozita inferiore dhe nënshtruese e Qeverisë së Republikës së Kosovës ka lejuar që vendit tonë t’i vritet polici, t’i kidnapohet polici dhe, mbi të gjitha, të përdhoset uniforma e shtetit të Kosovës.

“AAK kërkon nga Qeveria e Kosovës që të mos bëjë analizë politike por të ndërmarrë veprime praktike dhe të drejtpërdrejta në mbrojtje të shtetit dhe dinjitet të tij. AAK kërkon nga bashkësia ndërkombëtare që të rishikojë pozicionin e shtetit serb në proceset integruese, duke qenë dëshmitarë se politika e vjetër e Beogradit nuk ka ndryshuar”

Vëllai i policit: Samiu është mirë, nuk po i keqtrajtojnë
Shefki Beqiri, vëllai i policit të arrestuar, Sami Beqiri, gjatë një bisede telefonike për “Klan Kosova”, ka bërë të ditur se vëllai i tij, i arrestuar të shtunën nga autoritetet serbe, është mirë.

“Vëllai pas një kohe më ka telefonuar më ka bërë të ditur se janë në burgun e Kurshumlisë dhe se janë mirë dhe nuk po i keqtrajtojnë. Ai më ka thënë se ishin duke patrulluar brenda territorit të Kosovës dhe nuk është e vërtetë se janë futur në Serbi”, ka rrëfyer Shefkiu.

Sami Beqiri dhe Shukri Binaku u arrestuan nga policia serbe, teksa po patrullonin në kufirin Kosovë-Serbi, në Merdarë. Sipas Ministrit të Brendshëm të Serbisë, Ivica Daçiq, ata kishin hyrë në zonën e Serbisë, dhe për këtë arsye edhe janë arrestuar.

31 Mars- Serbia arreston dy policë të Kosovës në Merdarë
Policia e Serbisë sot në orën 10:30 në rajonin e Merdarit ka arrestuar dy policë të Kosovës. Lajmin e konfirmon ministri serb i Punëve të brendshme Ivica Daçic. Sipas tij dy kosovarët ishin të armatosur me dy pushkë automatike, dy revole dhe aparaturë speciale për matjen e largësisë

“Në pranga kanë rënë Shukri Bunjaku dhe Sami Beqiri”, ka thënë Daçic në konferencën e shtypit të organizuar për këtë rast .

“Çfarë kanë kërkuar ata në territorin e Serbise dhe sipas cilës marrëveshje?”ka  thënë Daçic, duke shtuar se Serbia nuk do t’i durojë më këto akte.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here