Një formacion i dytë i përfaqësueses tone kombëtare, Shqipërisë, ka mbrojtur suksesshëm nderin e kombit, duke pësuar humbje të ndershme ndaj një Argjentine që në përbërje kishte superyjet e futbollit botëror.
Me që lojtarët e formacionit ‘bazë’ të Shqipërisë refuzuan të luajnë në këtë takim miqësor, ishin rezervistët dhe të rinjtë ata që shpëtuan nderin e kombit, përkundër humbjes prej 4-0. Argjentina luajti më mirë, por duhet të marrim parasysh se në formacionin startues ishte jashtëtokësori Lionel Messi.
Nga fillimi i takimit, Argjentina filloi të dominonte me Shqipërinë krenare që në këtë takim hyri sa për prestigj. Rezultati u bllokua shumë shpejtë. Kush tjetër pos Lionel Messit e gjeti të lirë në zonë Ezequiel Lavezzin, i cili shënoi në portën e Beqajt për 1-0 (6’).
Në vazhdim të takimit Shqipëria nuk arrin të kërcënojë aspak portën e Argjentinës, ndërsa këta të fundit po zhvillonin me sukses stërvitjen e tyre për Copa American.
Ishte Ezequiel Lavezzi ai që në minutën e 43-të asistoi për Lionel Messin, i cili me magjinë e tij shënoi për 2-0 dhe fundin e pjesës së parë.
Në pjesën e dytë vazhdoi presioni i madh i Argjentinës, me Shqipërinë që arriti të bëjë vetëm një goditje drejt portës rivale me anë të Gjergji Muzakës.
Rezultatin e trefishoi Sergio Aguero (75’) që shënoi me ndihmën e të madhit Lionel Messi, kurse rezultatin përfundimtar të këtij takimi miqësor Argjentinë 4-0 Shqipëri, e vuri Carlos Tevez (90’).