Home Politike Akuzat ndaj Gjikes, Rama: Te flase drejtesia

Akuzat ndaj Gjikes, Rama: Te flase drejtesia

639
0

rama-gjikaKryeministri Edi Rama reagoi sot për herë të parë ndaj akuzave të prokurorisë për kryebashkiakun e Vlorës, Shpëtim Gjika.

Duke i cilësuar si tepër të rënda, kreu i qeverisë theksoi se shpreson që këto akuza të mos qëndrojnë.
“Akuza e prokurorisë është shumë e rëndë dhe artikulimet e këtyre akuzave janë tepër të rënda. Duam të shpresojmë se një abuzim kaq skandaloz me detyrën nuk qëndron”.

“Ne kërkojmë nga drejtësia të bëjë punën e saj pa asnjë pengesë politike. Dëshira jonë është ta shohim Gjiken të çliruar nga akuza dhe duam të provojë pafajësinë me argumente dhe fakte të besueshme, por duhet të jetë e qartë për të gjithë dhe ne nuk bëhemi mburojë politikë e asnjë të akuzuari për korrupsion e abuzime shtetërore. Duam Shqipëri të drejtë e të barabartë me këdo e për këdo, e kjo vlen në radhë të parë kur akuza drejtohet nga ne drejt njërit prej nesh”,- theksoi më tej Rama.

Rama theksoi se, si mik dhe si socialist do i qëndrojë Shpëtim Gjikës pranë në këtë moment, por si kryeministër do të inkurajojë prokurorinë të kryejë detyrën e nisur.

“Prandaj si socialist dhe mik i Shpëtim Gjikës, unë ndihem keq për të dhe në çfarëdo situatë do jem njerëzisht pranë tij dhe familjes së tij dhe sikur ai të ketë gabuar aq rëndë. Por, si kryeministër unë inkurajoj prokurorinë të bëjë detyrën deri në fund dhe duam që drejtësia dhe jo politika të thotë fjalën e fundit lidhur me të”.

Leje ndërtimi false, Gjika rrezikon 7 vjet burg. Kryebashkiaku: Thashetheme

Kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika, do të përballet me drejtësinë, duke rrezikuar një dënim deri në shtatë vite burg dhe gjobë, pasi dyshohet se përmes falsifikimit të dokumenteve, ka favorizuar dy subjekte të ndërtojnë pa leje në qytetin bregdetar.

Në dosjen e prokurorisë thuhet se Gjika, në bashkëpunim me Eleni Dardhaj, punonjëse në Drejtorinë e Planifikimit të Territorit pranë Bashkisë Vlorë, kanë falsifikuar dy procesverbale të mbledhjes së Këshillit të Rregullimit të Territorit, duke u hapur rrugë në këtë mënyrë, ndërtimeve pa leje në zemër të qytetit. “I pandehuri Shpëtim Gjika, në cilësinë e Kryetarit të KRRT-së së Bashkisë Vlorë, ka lëshuar vendimet me nr.1/11, datë 24.03.2010 dhe nr.4/3, datë 15.07.2010, që janë dokumente të cilat kanë në përmbajtjen e tyre rrethana të rreme, pasi dy sheshet e ndërtimit dhe dy lejet e ndërtimit që përmenden në këto dokumente sikur janë marrë në shqyrtim dhe janë miratuar nga KRRT-ja e Bashkisë Vlorë, në të vërtetë nuk janë marrë në shqyrtim dhe nuk janë miratuar nga KRRT-ja e Bashkisë Vlorë”, – deklaroi Fjorida Ballauri, Drejtore e Kabinetit të Prokurorit të Përgjithshëm. Shpëtim Gjika, i kontaktuar nga “GSH”, tha se do të dalë sot në një komunikim me mediat, për të sqaruar pozicionin e tij lidhur me akuzat. Veç Gjikës, nën akuzë është dhe një punonjësve e bashkisë, si dhe gjashtë persona të tjerë, drejtues apo pronarë të firmave që kanë përfituar nga lejet e ndërtimit të dhëna nga bashkia.

Kryebashkiaku Shpëtim Gjika: Thashetheme paszgjedhore
VLORE – Kryebashkiaku Shpëtim Gjika e ka cilësuar absurde akuzën e ngritur ndaj tij për falsifikim të procesverbaleve të KRT-së së Bashkisë së Vlorës 3 vjet më parë, për të favorizuar dy subjekte ndërtimi që ngritën pa leje dy pallate shumëkatëshe. I pyetur dje nga gazeta “Panorama”, Gjika u shpreh se e gjithë çështja është thashethem para dhe paszgjedhor. “Deklarata e Prokurorisë së Përgjithshme është absurde dhe absurditetin e saj e shton edhe më tepër fakti që bëhet në një ditë pushimi, por jo pushim për bashkinë, e cila është e angazhuar me projektet e saj zhvilluese. Çdokush është i lirë të dyshojë, por dyshimi nuk kthehet në provë me thashetheme para dhe paszgjedhore”, u shpreh kreu i bashkisë më të madhe në jug të vendit.

“Gjithsesi, – shtoi kryebashkiaku vlonjat, – qëndrimi im më i detajuar do të bëhet në ditët në vazhdim”.

Lajmi i Prokurorisë së Përgjithshme për mbylljen e hetimeve dhe shpalljen të pandehur për kreun e Bashkisë së Vlorës u dha për mediat para se të ndodhte shpërthimi me tritol i godinës në zonën e Skelës. Në kohën kur interesimi i qytetarëve dhe medias jo vetëm në Vlorë, por në mbarë vendin, ishte i përqendruar te kjo ngjarje, kryebashkiaku Gjika nuk është parë në publik, ndërkohë që shpërthimin e ka ndjekur nga afër prefekti i Vlorës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here