Home Skender Minxhozi A duhet shkarkuar Presidenti?

A duhet shkarkuar Presidenti?

715
0

bujar-nishaniPozita duket se nuk po i duron dot tundimit verbal, për të hedhur në publik një tezë, e cila deri tani është konsideruar si një tabu nga pikëpamja politike institucionale e shifrore. Kreu i komisionit të sigurisë Braho, por edhe deputetë socialistë, kanë filtruar idenë e inicimit të procedurave për largimin e Bujar Nishanit nga posti i kreut të shtetit. Për momentin nuk ka të dhëna të mjaftueshme për të dalluar nëse kemi të bëjmë me një “balonë prove” të lëshuar nga maxhoranca, për të testuar pulsin e palëve, apo për një tentativë konkrete për të larguar Nishanin nga presidenca. Gjasat janë që të jetë varianti i parë dhe jo i dyti. E kjo për më shumë se një arsye. Më së pari, ajo që e mbron sot Nishanin nga sulmet eventuale të Ramës dhe Metës, është e njëjta mburojë kushtetuese që mbrojti edhe Moisiun e Topin nga Berisha.

Neni 90 i Kushtetutës sanksionon se duhen dy të tretat e deputetëve, për të rrëzuar kreun e shtetit, për shkelje flagrante të Kushtetutës apo kur kryen një krim. Shumica e sotme ka “vetëm” 85 vota, nga 140 që është totali i mandateve të Kuvendit të Shqipërisë. Prej muajsh përflitet për një afrim të votave çame drejt të majtës, por sërish kjo nuk do ta shtynte “baticën” deri në këmbët e kreut të shtetit. Së dyti, një silurim hipotetik i Nishanit do të krijonte një lëkundje të fortë sizmike në kokën e shtetit. Ky do të ishte një operacion, përballë të cilit u tërhoq edhe Berisha, megjithë tundimin e fortë që kishte. Natyrisht që ish-kryeministri ishte shumë i dobët numerikisht në Kuvend, por forca e maxhorancës së sotme nuk e bën më të lehtë operacionin në fjalë, i cili nuk është thjesht numerik apo mekanik, por ka komplikacione të konsiderueshme politike e institucionale.Bujar Nishani është një president i njëanshëm. Ai u zgjodh në krye të shtetit, teksa ishte ministër i brendshëm, e jo një figurë konsenusi, ashtu siç ka qenë kurdoherë e këshillueshme të ndodhë për një vend ende shumë të polarizuar si Shqipëria.

Sjellja e tij pas 23 qershorit, është ajo e një presidenti që e konsideron veten të rrethuar nga armiq. Me këtë logjikë ka ngritur ai edhe stafin me të cilin punon, me këtë logjikë ka ndërtuar edhe marrëdhëniet me palët politike.E thënë kjo, Nishani është një figurë institucionale me të cilin shumica duket e shtrënguar të bashkëjetojë gjatë. Shqipëria nuk e ka luksin të durojë një përplasje politike, në emër të largimit të kryetarit të shtetit para fundit të mandatit. Kur për një avion, me plot kuptimin e fjalës “mushkonjë”, tensioni politik i ngrit në kupë të qiellit, mund të imagjinohet çfarë tendosjeje do të shkaktonte largimi i presidentit. nga revista Java

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here