Vrau të riun në autobus, arrestohet në Fier autori.
Dëshmia e bashkautorit: Viktima na tha të mos shanim, na goditi me çadër.
Artur Zeqiri qëlloi në zemër Saimir Çeden për fjalët banale.
Daja i viktimës: E vranë për një fjalë, s‘e ndihmoi njeri.
Autori i dytë i vrasjes së të shtunës në autobusin e linjës Qendër-Uzina e Autotraktorëve u arrestua dje në Fier nga Policia e Tiranës. I dyshuari për ekzekutimin e 22-vjeçarit në urban është shtetasi Artur Zeqiri, 32 vjeç, nga Vlora. Ai u ndalua në Fier nga Njësia e Forcës së Posaçme të Policisë së kryeqytetit, ndërsa personi i parë i implikuar në krim, Ilir Drita, ishte ndaluar nga Komisariati Nr.1 mesnatën e së shtunës. Artur Zeqiri dyshohet se ka qenë personi që qëlloi me thikë 22-vjeçarin Sajmir Çedja, kamerier në një lokal në kryeqytet, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Burime nga Policia e Tiranës thanë se 32-vjeçari Artur Zeqiri, menjëherë pas krimit është larguar me automjete të rastit nga kryeqyteti, duke tentuar të fshihet në vendlindjen e tij, në Vlorë, po është bllokuar gjatë udhëtimit të tij në Fier. Ndërsa mbrëmjen e së shtunës, dy orë pasi ndodhi ngjarja brenda në urbanin e tejmbushur me pasagjerë, forcat e Policisë arrestuan bashkautorin e tij, 32-vjeçarin Ilir Drita, i cili pranoi ngjarjen, duke rrëfyer edhe motivet, pavarësisht se sipas tij nuk mbante mend shumë gjëra për shkak se ka qenë nën efektin e alkoolit. Personi që ka kryer vrasjen, duke e goditur 22-vjeçarin Çedja dy herë me thikë, një herë në mëlçi dhe një herë tjetër pranë zemrës, është transportuar gjatë mbrëmjes në drejtim të Tiranës, për t’u marrë në pyetje rreth krimit.
Autobusi ku u vra kamerieri 22-vjecar, Saimir Çedja
MOMENTI I NGJARJES
Ilir Drita, 32-vjeçari i arrestuar si bashkëpunëtor në vrasjen e të riut Sajmir Çedja në urbanin e ish-Uzinë së Autotraktorëve, ka pranuar krimin gjatë marrjes në pyetje, duke shpjeguar edhe rrethanat e ngjarjes. Sipas Policisë, të dyshuarit për vrasjen e Çedjes mendohet se kanë qenë në gjendje të dehur kur kanë nisur debatet me viktimën për çështje banale. Nisur nga deklarimet e të arrestuarit Drita, pas debateve mes tyre, mësohet se viktima ka qëlluar njërin nga të dyshuarit me çadër, çka ka irrituar këta të fundit, të cilët pas përleshjes me grushte e kanë qëlluar disa here më thikë 22-vjeçarin. Konflikti sipas deklarimeve ka qenë i rastësishëm. Në momentin kur Drita dhe autori i ngjarjes, Artur Zeqiri, kanë hipur në autobusin që ishte i mbushur me pasagjerë, ata kanë nisur të flasim me një fjalor banal dhe të shtyhen me femrat që ndodheshin në urban, duke i ngacmuar. Në këtë kohë, Sajmir Çedja, i ndodhur pranë tyre, u ka kërkuar që të rregullojnë fjalorin dhe të mos i ngacmonin vajzat aty, pasi në vend të tyre mund të ishin edhe motrat e tyre, apo edhe motrat e viktimës. Pas vërejtjes që u ka bërë 22-vjeçari, autorët kanë nisur të debatojnë me të, duke i kërkuar llogari se çfarë i duhej atij të ndërhynte. Njëri nga autorët e ka shtyrë viktimën, i cili i ka goditur me çadrën që mbante në dorë. Pasi ka nisur përleshja, shoferi ka ndaluar autobusin, pasi pasagjerët e tjerë të alarmuar i kanë kërkuar që të zbrisnin. Në këtë kohë, dy autorët, Drita dhe Zeqiri, kanë nisur të godasin me grushte 22-vjeçarin, më pas 35-vjeçari Zeqiri ka nxjerrë një thikë nga xhepi dhe e ka goditur atë 2 herë. Goditja pranë zemrës i ka shkaktuar vdekjen të riut, i cili është nxjerrë pa jetë nga autobusi.
Daja i viktimës: E vranë për një fjalë, s‘e ndihmoi njeri
Daja i viktimës, Fadil Alldervishi
Flet Fadil Alldervishi: Sajmiri ishte djalë që nuk ngacmonte askënd.
“Djali vdiq në autobus, e qëlluan kur kthehej nga puna”
“E vranë për një fjalë goje dhe nuk e ndihmoi askush”. Kështu shprehet daja i Sajmir Çedjes, i cili u vra mbrëmjen e së shtunës në urban kur po kthehej në shtëpi.
adil Alldervishi tregon momentin kur familjarët mësuan ngjarjen që për ta ishte e pabesueshme, pasi nipi i tij i shmangte gjithmonë konfliktet. Alldervishi shprehet me keqardhje për faktin që askush nuk i erdhi në ndihmë nipit të tij, edhe pse urbani ishte plot me njerëz kur ndodhi ngjarja. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, ai u shpreh se trupi i Sajmirit ka qëndruar shumë gjatë në autobus dhe është dërguar në spital, pasi kishte ndërruar jetë.
Kush ju njoftoi për ngjarjen?
Fillimisht po shihnim lajmet në televizor, por mbiemri nuk dilte i saktë te titrat dhe në fakt e kaluam, edhe duke shpresuar se mund të mos ishte ai. Kujt ia merrte mendja se Sajmirit mund t’i ndodhte diçka e tillë. Por, as dy minuta pasi kishim parë lajmet, na morën në telefon disa komshinj që banojnë afër nesh këtu në Shkozë dhe na thanë se Sajmiri kishte bërë sherr me disa njerëz në urban.