Tentuan të vjedhin skrap në një ndër magazinat e ish-uzinës së Azotikut në Fier, vihen në pranga drejtori së bashku me juristin, magazinierin dhe përgjegjësin e rojave. Policia e Fierit bën të ditur se në kuadër të operacionit të koduar “Skrapi” është bërë e mundur arrestimi i drejtorit të ish-uzinës së Azotikut, Ferdinand Noksani, juristi i kësaj ndërmarrjeje, Julian Hoxha, shtetasi Sotiraq Llazi me detyrë magazinier si dhe përgjegjësi i rojave Ali Licaj. Ndërkaq Adelina Daka, financiere e ndërmarrjes po hetohet në gjendje të lirë.
Sipas policisë 4 personat e arrestuar dhe financierja e cila po ndiqet penalisht në gjendje të lirë akuzohen për vjedhje duke shpërdoruar detyrën, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë tentuar të vjedhin skrap në një magazinë të uzinës së ish-azotikut. Sipas burime të policisë së Fierit në këtë magazinë ndodhen materiale me vlerë 11 milionë lekë.