Kosova shënon sot 6-vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Shteti më i ri evropian feston 6-vjetorin me 106 njohje, por edhe sfidën e përmbylljes së subjektivitetit ndërkombëtar.
Për 6 vjet shtet, Kosova tashmë është anëtarësuar në Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar.
Pavarësisht sfidave e problemeve zhvillimore, lidershipi i Kosovës e sheh 17 Shkurtin si një të arritur kulmore. Kryeministri Hashim Thaçi ka vlerësuar se kjo datë paraqet sendertimin e aspiratave shekullore për liri dhe pavarësi.
“Këto festime i fillojmë në kohën kur po e forcojmë subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit tonë, tani kur kemi arritur 106 njohje ndërkombëtare, kur çdo herë jemi më afër integrimeve euroatlantike, liberalizimit të vizave, procesit të Stabilizim-Asociimit, perspektivës për partneritet për paqe dhe anëtarësim në NATO”, ka thënë Thaçi..
Ndërkohë, Obelisku i Pavarësisë së Kosovës NEWBORN u ngjyros me ngjyrat ushtarake. Në dallim nga herët e tjera, në këtë përvjetor ngjyrat e obeliskut janë ato të uniformave të ushtarëve të vendeve që kanë ndihmuar Kosovës për çlirim. Aktivitete dhe organizimet e tjera, në pjesë të ndryshme të Kosovës kanë nisur që të shtunën.
Mbrëmjen e së shtunës,në Muzeun e Kosovës, është hapur një ekspozitë ku u ekspozuan fotografi të shkatërrimit të trashëgimisë kulture të Kosovës nga viti 1998- 1999.
Kurse, të dielën në orët e mbrëmjes, presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, organizoi pritje solemne për mysafirë të ftuar me rastin e përvjetorit të gjashtë të pavarësisë.
Presidenca ka bërë të ditur se me rastin e gjashtë-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, presidentja Jahjaga, ka marrë telegrame urimi nga shumë liderë botërorë.
Ndërkaq, Kuvendi i Kosovës, të hënën, me rastin e 17 Shkurtit, do të mbajë një seancë solemne, ku pritet të flasin kryeparlamentari Jakup Krasniqi, presidentja Atifete Jahjaga dhe kryeministri Hashim Thaçi.
Më 17 Shkurt, aktivitetet kryesore pritet të nisin rreth orës 11:00, me parakalimin e trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Sheshin “Nëna Terezë”, ndërsa qytetarëve do t’iu drejtohen udhëheqësit e vendit.
Me rastin e kësaj dite, do të bëhen homazhe edhe te Varrezat e Dëshmorëve.
Për këtë përvjetor, krerët e shtetit të Kosovës kanë marrë edhe urime nga burrështetas botëror. Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama përmes një telegrami ka uruar Presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga.
“SHBA-ja vazhdon ta mbështes zhvillimin e mëtejshëm të Kosovës, dhe rritjen e përgjithshme të saj si një demokraci sovrane, e pavarur dhe shumë-etnike”, thuhet në urimin e presidentit Obama.
Krijimi i shtetit të Kosovës, është vlerësuar se i ka dhënë një dimension të ri paqes e stabilitetit në rajon.
Por, pengesë kryesore mbeten raportet me Serbinë, të cilat tashmë po reflektojnë edhe në mospërmbylljen e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.
Mosnjohja nga pesë vende anëtare të Bashkimit Evropian, në njërën anë dhe pamundësia që të bëhet vend anëtar i Kombeve të Bashkuara për shkak të mosnjohjes nga Rusia, në anën tjetër e lë Kosovën si një vend me subjektivitetin ndërkombëtar të papërfunduar.
Që ky hendiket të zbutet sadopak, Bashkimi Evropian ka inicuar një dialog Kosovë – Serbi përmes së cilit po përpiqet të gjej një normalizim mes dyja vendeve, si hapi i parë që më pas edhe vendet që nuk e njohin atë si shtet të zbusin pozicionet e tyre karshi Kosovës.
Rezultati i parë i këtij dialogu ishte Marrëveshja e parë e parimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e arritur më 19 prill. Mes tjerash, kjo marrëveshje parasheh shuarjen e strukturave të Serbisë në Kosovë dhe zëvendësimin e tyre me struktura të reja, të zgjedhura
Marrëveshja mundësoi që pas gjashtë vjet shtet, Kosova të organizoj për herë të parë zgjedhje edhe në komunat veriore të banuara me shumicë serbe dhe “pushtuara” nga strukturat ilegalë të Serbisë.
Këto zgjedhje, nga lidershipi i Kosovës u cilësuan historike dhe e arritur e madhe. Po në praktikë edhe pas mbajtjes së tyre ë veri, shteti i Kosovës nuk ka arritur ende të shtrij sovranitetit në atë pjesë.
Që prej datës 17 Shkurt të vitit 2008 kur Kosova shpalli Pavarësinë, shteti është njohur nga 106 shtete.