Gjykata e Tiranës i vendosi një taksë financiare prej 3 për qind dy fëmiëjve të demostruesit të vrarë më 21 janar 2011, Ziver Veizi. Në rast se paditësit Ana dhe Klajdi Veizi do kërkojnë dëmshpërblim financiar, atëherë sipas gjykatës ata duhet të paguajnë në sekretarinë e gjykatës shumën prej 3 për qind të vlerës financiare që ata do kërkojnë në gjykatë.
Avokati mbrojtës i dy fëmijve të të ndjerit Ziver Veizi deklaroi dje në sallën e gjyqit se një pagesë është bërë nga ana e paditësve, dhe për këtë i paraqiti trupit gjykues një mandat pagese. Por gjyqtari Besnik Hoxha është shprehur se për t’u bërë pjesë me të drejta të plota në procesin gjyqësor ku të pandehur janë efektivat e Gardës së Republikës Ndrea Prendi, Agim Llupo dhe Margarit Kume, duhet që sipas ligjit në fuqi paditësat të japin kërkesën e tyre për shifrën e dëmshpërblimit dhe më pas të paguajnë taksën prej 3 për qind të shumës së kërkuar. Nisur nga kjo situatë avokati Andi Kananaj i ka pohuar trupit gjykues se në ditët në vazhdim do të zgjedhin një ekspert-kontabël ku nëpërmjet konkluzioneve të tij të nxjerrin dhe shumën financiare të cilën do e kërkojnë në gjykatë në formën e dëshmshpërblimit nga anëtarët e Gardës së Republikës.
PADIA E 2 FEMIJEVE
Dy fëmijët e demostruesit të vrarë Ziver Veizi, kanë kërkuar që në seancën e parë të procesit gjyqësor të 21 janar që të bëhen pjesë me qëllim dëmshpërblimin financiar nga ana e gardistit që në 21 janar i morri jetën babait të tyre. Ana dhe Klajdi Veizi jetojnë bashkë me të jëmën e tyre në varfëri ekstreme në komunën Libosfshë të Fierit. Momentalisht ata janë duke vuajtur pasojat e vrasjes së babait të tyre në 21 janar, duke jetuar në kushte tepër të vështira ekonomike dhe pa asnjë përkrahje nga qeveria. Të vetmet ndihma që bëhen për familjen e Ziver Veizit janë ato që janë dhënë nga përfaqësues të Partisë Socialiste si dhe banorë të zonës por edhe biznesmenë të rrethit të Fierit.
RREZIMI I KERKESAVE
Pas debatit lidhur me pagesën e 3 për qindëshit, trupi gjykues i kryesor nga gjyqtari Besnik Hoxha është tërhequr për tu shprehur lidhur me kërkesat e avokatëve mbrojtës të Ndrea Prendit dhe Agim Llupos, kërkesa të cilat u bënë seancën e kaluar. Gjykata vendosi të mos pranojë thuajse të gjitha provat e kërkuara nga mbrojtja, duke pranuar vetëm thirjen si dëshmitare të mjeken me emrin Vaide, e cila në 21 janar i ka mjekuar syrin komandantit të Gardës së Republikës Ndrea Prendi, i cili pretendon se është qëlluar me gur nga demostruesit. Ndërsa për sa i përket kërkesave si kryerjes e eksperimentit hetimor, ekspertizave balsitike të armëve, si dhe thirrjes si dëshmitarë të rreth pesë ekspertëve mjeko-ligjor dhe balistikë, janë rrëzuar me argumentin se këto prova janë në dosjen e prokurorisë, dhe se kur të thiren nga gjykata, mbrojtja do ketë mundësinë të pyesë për interesat e saj.
DESHMITARET
Prokuroria, ka kërkuar thirrjen si dëshmitarë të rreth 10 personave ku i pari në listë është gazetari Fatos Mahmutaj, dhe pas tij renditen emrat e të plagosurve të tjerë si dhe emrat e gardistit Mark Ndoi dhe efektivave të tjerë të këtij reparti. Teksa të gjithë prisnin paraqitjen e dëshmitarëve në sallën e gjyqit, asnjëri prej tyre nuk ka dalë para gjykatës për shkak të mungesës së tyre. Nisur në këto kushte prokuroria kërkoi shtyrjen e seancës gjyqësore, kërkesë që u pranua nga gjykata duke caktuar datën 13 qershor për kryerjen e seancës së radhës.
(sg/shqiptarja.com)