Home Kulture 103-vjet më parë në Manastir ka lindur alfabeti i sotëm i shqipes

103-vjet më parë në Manastir ka lindur alfabeti i sotëm i shqipes

2995
0

Nga 14 deri më 22 nëntor 1908 u mblodh Kongresi i Manastirit për të vendosur për problemin e ndërlikuar të alfabetit. U organizua nga shoqëria Bashkimi dhe u propagandua nga Mid’hat bej Frashëri në revistën e tij Lirija:”… ardhi një ditë e pëlqyerë për istorinë tonë, që të nisim liruar’ e papengim të punojmë për mbrodhësin’ e lumtërin’ e kombit tonë, jo me barut edhe me armë, po me kartë e pëndë, andaj kjo çështje e Abecesë lipsetë të jetë fillim, që pa atë nuku do mundim të harijmë qëllimetë tona të lartëra për mbrodhësi të gjuhësë.”- Kështu shkruante Mid’hat bej Frashëri, që e drejtoi këtë mbledhje, ku morën pjesë delegatë të të gjitha besimeve nga mbarë Shqipëria dhe kolonitë shqiptare jashtë.
Ndër pjesëmarrësit e shquar qenë At Gjergj Fishta, dom Ndre Mjeda, Mati Logoreci, Luigj Gurakuqi dhe Hilë Mosi nga Shkodra; Shahin bej Kolonja dhe Petro Nini Luarasi nga Kolonja; Thoma Abrami nga Korça; Sotir Peci nga Bostoni, dhe Bajo Topulli e familja Qiriazi nga Manastiri.
Kongresi zgjodhi një komision prej njëmbëdhjetë anëtarësh nën kryesinë e Atë Gjergj Fishtës për të studiuar problemin e alfabetit e për të dalë me propozime. U arrit menjëherë në mendimin e përbashkët që alfabeti t’i shërbente kryesisht forcimit të unitetit kombëtar. Nismëtar i kësaj fryme qe françeskani At Fishta i cili shpjegoi se sido që ishte i dërguar prej shoqërisë Bashkimi, s’ishte aty thjesht për të mbrojtur abece-në, por për të gjetur një rrugë që çonte në bashkimin e përgjithshëm.
Tre alfabetet kryesorë që u morën në shqyrtim qenë: alfabeti i shoqërisë letrare Agimi të Shkodrës i propozuar nga dom Ndre Mjeda; alfabeti i shoqërisë letrare Bashkimi të Shkodrës, i hartuar nga imzot Prenkë Doçi dhe alfabeti i Stambollit, i hartuar nga Sami bej Frashëri. Toskët ishin më fort për alfabetin tradicional të Stambollit, kurse gegët zakonisht pëlqenin alfabetin e Bashkimit, i cili ishte më praktik për botimet, sepse nuk kishte shkronja jolatine.
U shqyrtuan gjithashtu edhe dy alfabete të tjerë, alfabeti grek i përdorur nga Kostandin Kristoforidhi, dhe alfabeti arab, të cilin shumë myslimanë të devotshëm, sidomos në Maqedoni e Kosovë, vazhduan ta shohin si të vetmen zgjidhje edhe për shumë kohë pas Kongresit. Komisioni vendosi të pranojë variantet e modifikuara të alfabeteve të Bashkimit e të Stambollit.
Të dy mund të përdoreshin në shkolla e në botime. Pranimi nga të gjithë i vendimit të komisionit do të donte ende shumë kohë, por, me vendimin për të mbështetur një zgjidhje kompromisi, kongresi shtroi rrugën për kalimin shkallë-shkallë nga alfabeti i respektuar i Stambollit, te alfabeti i tanishëm i shqipes i bazuar në shkronja latine, duke mënjanuar kështu polemika e kundërshtime e duke hedhur bazat për formimin e gjuhës letrare shqipe. (Radio Vatikani)

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here