Home Sport Van Persi shkelqen kundra Olimpiakos

Van Persi shkelqen kundra Olimpiakos

546
0

Robin van Persie celebrates scoring opening goal against Aston VillaMë në fund një natë e vërtetë prej Mançester Junajtid. Në një sezon të mbushur me vështirësi dhe shumë pikëpyetje, skuadra e Dejvid Mojesit vendos të rilindë në ndeshjen më të vështirë të sezonit, pasi ishte ftuar që të përmbyste disfatën 2-0 në Greqi kundër Olimpiakosit. Dhe në fund, me një super Van Persi që shndërrohet në hero, pasi shënon një tripletë personale, vulos shifrat finale në 3-0 dhe dërgon të përlotur në shtëpi helenët. Një kualifikim përrallor, një kualifikim që risjell në mendje Mançesterin e frikshëm të epokës Ferguson, i cili meriton çerekfinalet, por sesa do të zgjasë kjo eufori, kjo është diçka që ekipi i Dejvid Mojesit do e vërtetojë në vazhdim.

Përbindëshi Van Persi Në minutat e fundit përpara fillimit të takimit, trajneri ndryshon planet e tij duke lënë në stol Felainin dhe në vend të tij zgjedh 40- vjeçarin Gigs, që shihet si zëvendësuesi i tij i mundshëm, nëse Dejvid Mojes do shkarkohej. Por pavarësisht “interesave” që ishin në lojë, mesfushori uellsian nuk zhgënjen, përkundrazi luan në nivel të lartë, duke regjistruar ndeshjen e 140 në Ligën e Kampioneve dhe tashmë është vetëm dy paraqitje larg rekordit absolut të Raul Gonzalezit në Kupat e Europës. Olimpiakosi nga ana e tij ndryshon planet, ofron një mesfushë shumë numeroze, por kjo zgjedhje do vërtetohet e gabuar në fund. Gjithsesi, helenët janë të parët që i shkojnë pranë golit, me Perezin që dërgon larg kuadratit një pasim perfekt të Kampbellit, një gol që mbase do të mbyllte ndeshjen ende pa filluar mirë. Por kjo sirenë alarmi zgjon Runin, por numri 10 është i pafat, kur devijon vetëm në shtyllë krosimin e gjigandit Gigs. Junajtid karikohet, fiton kurajë, por teksa hasin disa vështirësi që të shkojnë me lehtë në portë, ai që i hap shpresat për kualifikim është Holebas i Olimpiakosit, që shkakton një faull në zonë ndaj Van Persit dhe në minutën e 24-t, “Djajtë e kuq” kanë rastin të ngushtojnë diferencën. Nga pika e bardhë paraqitet holandezi që nuk gabon dhe publiku i pranishëm në “Teatrin e Ëndrrave” tashmë është i sigurt për një natë magjike. Ndeshja hapet totalisht, sepse tani edhe Olimpiakosi e kupton që nuk i leverdis të mbrohet, por teksa De Gea bën një pritje “hollivudiane” ndaj Perezit, në sekondat finale të pjesës së parë, Runi pason tokazi për Van Persin që nuk gabon dhe dërgon shifrat në 2-0. Tashmë gjithçka barazohet dhe në 45 minutat e mbetura përmbysja është më se e mundshme.

Sërish Van Persi Pjesa e dytë nis edhe më furishëm sesa e parë, me Uejn Runin e ekzaltuar, që arrin të driblojë këdo që i del përpara, ndërsa helenët struken në zonën e tyre, me shpresën se të paktën do arrijnë ta dërgojnë takimin në shtesë, pse jo te penalltitë. Por kjo shpresë e Olimpiakosit zgjat vetëm 6 minuta, sepse goditja e dënimit që fitohet nga Uelbek shndërrohet në një gol fantastik nga Van Persi, që me të majtën e tij mposht sërish portierin Roberto dhe këtu gjithçka mund të mbyllet. Përmbysja është kompletuar dhe pavarësisht faktit se trajneri i grekëve, Mishel, forcon sulmin në minutat e mbetura, “Djajtë e kuq” arrijnë të rezistojnë pa hasur shumë vështirësi në administrimin e këtij triumfi dhe në fund festojnë nën “zhurmën” e gëzueshme të tifozërisë së tyre. Më pak i lumturi është heroi Van Persi, që në një tentativë për të mbrojtur topin dëmtohet dhe e mbyll takimin mbi barelën e stafit mjekësor, ndonëse vetëm sot pritet të mësohet saktësisht diagnoza e dëmtimit të bomberit holandez.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here