Kryeministri shqiptar Edi Rama është kthyer në subjekt të “Rai Arte”, jo si shef i ekzekutivit shqiptar, por si artist pjesëmarrës i Bienales së 57 në Venecia.
Reportazhi i realizuar për të përqëndrohet te pasioni estetik i njeriut që ka në duar frerët e vendit, si dhe dellin e tij artistik. Pasi arriti të bëhej një pedagog pikture në Akademinë e Arteve në Tiranë, – kujton autori, – Rama e zhvilloi karrierën e tij në rezidencën artistike “Cite International des Arts”, në Paris, qytet në të cilin jetoi për disa vite në azil politik, për t’i shpëtuar përndjekjes në vendin e vet.
Pas rikthimit e gjen veten ministër Kulture, e më vonë zgjidhet kryetar i Bashkisë së Tiranës, e falë një serie nismash – siç thotë “Rai”, – synonin të ngjiznin tharmin e një ndjenje krenarie dhe përkatësie qytetare.
Projektet e tij të rikualifikimit të fasadave urbane dhe të hapësirave publike “shëruan” një frakturë të krijuar mes qytetarëve dhe autoriteteve shtetërore, e cila buronte nga rrëzimi i regjimit komunist në Shqipëri. Rama e shpjegon vet veprën e tij.
“Është një ‘wallpaper’ i realizuar nga një seleksionim i vizatimeve rastësore që i kam hedhur në letër në zyrën time. Praktikisht ato janë bërë vet. Mendja ime është në tjetër vend, kur dora bën këto që shikoni. Gjatë një telefonate, gjatë ndonjë pushimi fillon me letrën e parë që gjej mbi tavolinë, e kështu vazhdon më tej”, tha Rama.
“Dhuntitë artistike të kryeministrit shqiptar, Edi Rama”, titullohet reportazhi, e pikërisht ato kërkon. Skrivania e vendosur në zyrën e tij është e mbushur me penela dhe lapsa të të gjitha ngjyrave, të cilat i përdor për të ngopur pasionin e tij artistik.
Kështu, në duart e Ramës, axhenda e tij dhe ndonjëherë edhe dokumente shtetërore shndërrohen në një telajo për skica instiktive.
Këto dhunti i sollën edhe ftesën e Christine Macel për të marrë pjesë në “Viva Arte Viva”, titulli i zgjedhur për edicionin e Bienales së Artit të Venecias, ku Edi Rama prezanton një lloj posteri mural të një seleksioni të punëve të tij, një lloj dialogu artistik me Olafur Eliasson, në të cilin shkrihet lidhja e ngushtë e të dy artistëve, sa i përket çështjeve të ekologjisë dhe luftës kundër varfërisë.