Home Kulture Teatri Metropol, nis rikonstruksioni

Teatri Metropol, nis rikonstruksioni

908
0

Bashkia e Tiranës ka nisur projektin e rikonstruksionit të teatrit te Metropolit. Kryebashkiaku Veliaj tha se investimi në këtë godinë ishte bërë i domosdoshëm, jo vetëm për shkak të rrënimit ndër vite, por edhe për t’iu përgjigjur ritmit të jetës së gjallëruar artistike që zhvillohet në këtë teatër.

“Kemi rikuperuar axhendën e shfaqjeve, por duhet të rikuperojmë edhe infrastrukturën, ndaj ka ardhur koha që të ndërhyjmë. Më vjen mirë që po nisim rikonstruksionin e sallës “Çehov” dhe hapësirave mbështetëse, për t’i kthyer dinjitet kujtdo që zë këtë skenë për të dhuruar qytetit art. Njerëzit jetojnë edhe me art, kulturë, muzikë e teatër, ndaj është e rëndësishme që të investojmë si në infrastrukturë ashtu edhe në kulturë. E keni vënë re që kur investojmë njëkohësisht edhe në infrastrukturë, edhe në kulturë, kultura që ndërtohet ruan edhe infrastrukturën, ndaj të dyja jo vetëm që nuk janë të ndara, por janë të lidhura rrënjësisht me njëra-tjetrën”, tha Veliaj.

Veliaj vlerësoi punën që është bërë në këtë teatër, duke rikthyer interesin e qytetarëve artdashës, por, theksoi se punimet nuk do të pengojnë realizimin e shfaqjeve në vazhdim

“Jemi në fazën e projektimit të Teatrit Kombëtar dhe besoj se bashkë me Teatrin e Metropolit dhe Teatrin Eksperimental, sot realisht ka një ofertë kulturore në Tiranë. Më gëzon zemra kur shoh njerëz që vijnë nga Tetova, Prishtina, Ulqini për jetën kulturore të Tiranës. Nëse më parë në Tiranë ndodhte një herë në muaj një aktivitet kulturor, sot është dilemë, se çdo natë ka aktivitete, për të bërë një zgjedhje se ku duhet të kalosh mbrëmjen. Më vjen mirë që Tirana është jo vetëm kryeqyteti administrativ i shqiptarëve dhe Shqipërisë, por edhe kryeqyteti i kulturës”, u shpreh kryetari i bashkisë së Tiranës.

Vetëm vitin e kaluar në Teatrin e Metropolit janë zhvilluar më shumë se 220 shfaqje dhe aktivitete kulturore, një institucion që së shpejti do të transformohet në një qendër të denjë kulturore.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here