Home Mero Baze Mbi 300 ditët e qeta të Damir Fazlliçit

Mbi 300 ditët e qeta të Damir Fazlliçit

960
0

Lindita Çela dhe një koleg i saj i rrjetit investigativ BIRN, kanë hetuar në mënyrë shembullore se si familja e Sali Berishës, dhe konkretisht vajza dhe dhëndri i tij, janë përfshirë në një operacion financiar, ku ka qartazi kapje të shtetit dhe pastrim parash, në historinë e investimit të Damir Fazlliç në Portoromano.

Kjo është një histori, të cilën unë dhe disa koleg të mi e bëmë publike në vitin 2008. Unë i kushtova disa emisione televizive dhe kryeprokurorja Ina Rama në atë kohë mbështeti akuzat tona, duke nisur një hetim serioz.

Por çfarë ndodhi pas perdes?

Sali Berisha u vërsul me egërsi ndaj prokurorisë dhe medias që u mor me këtë çështje. Prokurorët, që kishin çështjen në duar, u kërcënuan dhe frikësuan në palcë. Çështja përfundoi tek një gjyqtar i Familjes, i cili pasi e mbylli pa asnjë argument jurdik, thjesht për procedurë, u gradua për në KLD dhe një shkallë më të lartë gjykate.

Operacioni në të vërtetë përfundoi plotësisht. Argita Berisha dhe kolegia e saj, Flutura Kola, që ndanin të njëjtën zyrë juridike, kishin prokurë të posaçme nga Fazlliç për të qenë zot të kompanive të tij zinxhir, që shërbenin për të justifikuar transaksionet nga Shqipëria në parajsat fiskale në Qipro dhe ishujt e Karaibeve, ku Familja ka arratisur milionat e fituara.

Dy kolegët gazetarë kanë bërë një hetim shembullor si gazetarë, pa pasur në dorë burime informacioni apo akses në llogaritë bankare që ka prokuroria apo Drejtoria e Pastrimit të Parave. Investigimi i tyre, më shumë se akuzë për Argita Berishën, Flutura Kolën apo Jamarbër Malltezin, është akuzë për Adriatik Llallën dhe institucionet hetimore të varura nga kryeministri Edi Rama, siç është Drejtoria e Pastrimit të Parave apo ajo e Krimit Ekonomik, të cilat në 300- ditëshin e tyre të parë, mund të kishin bërë një të dhjetën e punës që kanë bërë dy gazetarë të përkushtuar për 30 ditë.

Së paku, në kohën që prokuroria drejtohej nga Ina Rama, ky hetim u hap dhe prokurorët morën një kosto. Ata morën guximin të thërrasin dhëndrin e Berishës apo avokaten Kola në pyetje. Edhe pse përgjigjet e tyre janë fyese dhe arrogante, ata sërish minimumi janë thirrur. Pata rastin të njihesha me dëshminë e Jamarbër Malltezit dhe të shikoja se sa me qesëndi e merrte ai prokurorinë në atë kohë. Kur ai e pyeste se ku e njihte Damir Fazllicin, dhëndri i Berishës i përgjigjej: “Ma ka prezantuar Mero Baze dhe Bamir Topin, para selisë së PD-së”. Kishte bërë dhe një nga ata shakatë banale si të vjehrrit të vet, duke shtuar se unë i kisha thënë e ka emrin Damir, mos e ngatërro me Bamir.

Nuk është problem pse ka gënjyer para prokurorisë, por më bën përshtypja arroganca dhe cinizmi për të fyer prokurorët. Në kohën që ai jepte këto deklarata formale para prokurorëve, unë dhe Bamir Topi ishim armiq dhe kundërshtarë të Berishës. Dhëndri i tij ishte aq i sigurt që nuk e prekte njeri, sa gjente kurajo jo vetëm të fshihte një krim që kishte të bënte me pastrim parash, por dhe ta përdorte këtë kundër kritikëve të vjehrrit të vet gjoja me cinizëm. E vërteta është se ndoshta Bamir Topi s’e ka takuar kurrë Fazlliçin, dhe se mua ma ka prezantuar Sali Berisha kur e bija e tij e dërgoi nga Kosova në Tiranë për të lidhur kontratën me kompaninë amerikane që do merrej me fushatën e PD. Ua kam sqaruar këtë rrethanë gazetarëve të BIRN, që u morën me këtë hetim, por nuk mund të mos më bëjë përshtypje, që 300 ditë pas ndryshimit të pushtetit, që frikësonte prokurorët të hetonin, të vetmit që po hetojnë mbeten vetëm disa gazetarë.

Unë e njoh mjaftueshëm Damir Fazlliçin për të qenë i bindur se ai është një sekser karagjoz, që mashtron pa pikë turpi për çdo gjë. Kur unë ia ngrita këto akuza në vitin 2008, dhe ai nuk përgënjeshtronte dot asgjë, këputi një gënjeshtër që më kishte hedhur në gjyq në Angli dhe më kishte dënuar 50 mijë paund. Se si mund të dënohem unë në Angli, për një shkrim të bërë në Shqipëri, në një gazetë shqiptare, vetëm Edi Paloka mund ta besojë. Por e shikoj tani që po përpiqet të mashtrojë përsëri duke u paraqitur si njeri pa probleme me qeverinë e re. Ka përmendur në intervistën e tij dhe një takim me Edi Ramën. Kjo gjë nuk më impresionon. Ai është një biznesmen që ka përfituar kontrata me shtetin shqiptar, na ka shitur dhe blerë energji elektrike, ka futur hundët si ndërmjetës në shitje- blerje armësh në Ballkan, po na sjell në Portoromano gjigandin rus të naftës, dhe natyrisht që është shumë i përfshirë në raportet me shtetin shqiptar. Si i tillë, unë nuk shqetësohem nëse ai takohet me kryeministrin apo ministrin e Energjetikës.

Unë shqetësohem nëse ai nuk hetohet dhe ndëshkohet për kapje të shtetit dhe pastrim parash. Në këtë rast, nuk vlen fare të pyetet Edi Rama e ka takuar apo s’e ka takuar, apo Damian Gjiknuri nëse e ka pritur apo nuk e ka pritur. Për mua është më normale ta presin e ta çojnë për hetim, se sa t’i thonë takohemi me ndërmjetës, por mos u mërzit se nuk të biem më qafë. Në momentin kur Damir Fazlliçi ndjehet i qetë dhe i sigurt në këtë pushtet, duhet të kuptojmë se 300- ditëshi i parë i qeverisë nuk i ka gërvishtur as petën e parë tepsisë së mafias së Sali Berishës. Dhe kjo jo e gjitha për faj të prokurorisë dhe gjykatave. Ajo është betejë e kohës së Sali Berishës. Për të hetuar çfarë ka bërë me këtë dosje Damir Fazlliçi dhe e bija e Sali Berishës, mjafton të shikohen letrat në hipotekë, llogaritë bankare nga krimi ekonomik, transfertat financiare nga pastrimi i pareve dhe ai dhe ajo janë në burg. Nuk i shpëton dot as Adriatik Llalla, as Gjin Gjoni dhe as Xhezair Zaganjori.

Qeveria duhet të bëjë punën e vet në hetimin e skandaleve financiare të Sali Berishës. Sistemi gjyqësor dhe prokuroria, janë realisht një problem, por nuk mund të jenë një alibi. Dy gazetarë, pa asnjë akses në llogaritë bankare dhe hipotekë, pa asnjë akses tek Krimi Ekonomik, kanë arritur në përfunfime logjike në bazë të disa intervistave për kapjen e shtetit dhe pastrimin e pareve. Për 300 ditë dikush duhet ta kishte bërë këtë dhe nga qeveria shqiptare.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here