Pothuajse dy javët e fundit një fluks opinionistësh që vërtiten rrotull Berishës dhe sidomos djalit të tij, po trashin dita-ditës zërin kundër Lulzim Bashës. Në fillim e fajësuan për mënyrën si u soll me rezultatin e zgjedhjeve, pse pranoi të futej në zgjedhje, pse pranoi të thoshte se zgjedhjet kishin shkuar mirë, pse pranoi të thoshte që kemi fituar dhe pastaj u kthye tek ajo që Berisha e tha sapo u mbyll kutia e fundit, që ato zgjedhje nuk duheshin njohur.
Më pas vijuan kritikat me mungesën e fuqisë së Bashës për të bërë protesta, me faktin që ai po e ndan PD-në në grupin e tij të ri dhe në berishët e vjetër dhe deri tek akuzat e fundit për klientelizëm në qëndrimet ndaj ligjeve të shumicës në Kuvend.
Gjithnjë e më shumë po theksohet nga ana tjetër, se Berisha po bëhet i vetmi pol referues në PD dhe për këtë sillen dhe shembuj ekstremisht banal si kafet e Berishës me ambasadorin amerikan, kinez apo ndonjë tjetër.
Po ashtu dhe fokusi i debateve parlamentare është më shumë i përqëndruar tek ajo ç’thotë Berisha sesa tek qëndrimi zyrtar i PD-së, që formalisht përfaqësohet nga ato që thotë Basha.
Shantazhi duket se është i qartë dhe jo pa pasoja tek Basha. Ai ka reflektuar me nxitim ditët e fundit ndaj këtyre zërave duke bërë gjeste qesharake politike, siç është qëndrimi ndaj ligjit për Arsimin e Lartë, ku vet Berisha ishte më i qartë dhe më serioz pro ligjit se sa kundërshtimi vulgar i Bashës pa asnjë thelb politik. Një lider opozite nuk e ka luksin që qëndrimin për një ligj ta vendosë në bazë të kritikave që i bëjnë figurës së tij, por në bazë të cilësisë së ligjit. Dhe nëse ligji sipas Bashës do çohet në Gjykatë Kushtetuese, atëherë i bie që ai të ketë qenë aq i keq sa Basha duhet ta kishte ngritur zërin javë e muaj më parë, kur në fakt i kishte dhënë ok këtij projekligji me lobistët e tij.
Por a është i gjithë ky shantazh një përpjekje për ta zhvendosur Bashën nga kreu i PD-së?
Kjo nuk ka asnjë shans të ndodh. E para sepse Berisha nuk dëshiron të zvënedsoj formalisht Bahsën, por ta ketë atë të zëvendësuar realisht. Dhe me këtë mënyrë të sjelluri Berisha e ka zhdukur Bashën nga qarkullimi dhe dikton me qëndrimet e tij. Kjo është dhe arsyeja pse rrit presionin ndaj tij.
Së dyti, Berisha e do Bashën kështu siç është sot. Të pafuqishëm, të mundur, të paaftë për të çuar PD-në në fitore dhe të përulur për të mos ia prerë kokën. Është dosja e duhur për një njeri, të cilit i ka hapur rrugën formalisht të jetë kryetar i një partie, që ai nuk ka ndërmend ta lëshojë. Ashtu siç i ka dashur ministrat dhe bashkëpuntorët me cene që t’i mbante nën kontroll, po ashtu dhe Bashën e do pikërisht kështu, të pazotin për asgjë që mund t’i rrezikojë marrjen seriozisht të postit të kryetarit.
Dhe së treti, edhe sikur të ndodh çudia dhe Berisha ta humbiste durimin e t’i thoshte “ik”, Basha nuk do ishte për herë të parë në jetë të tij aq i bindur. Një njeri që ka sakrifikuar aq shumë për të qenë i përulur për dhjetë vite, duke pranuar çdo poshtërim personaliteti, nuk mund ta pranojë lehtë të flaket edhe pse ky është sporti më popullor i Berishës me bashkëpuntorët e tij. Basha e ka pranuar poshtërimin për të qenë formalisht kryetar dhe duke i hapur rrugën Berishës për çdo gjë, por nuk e pranon humbjen edhe të këtij statusi. Dhe megjithëse Berisha bën humor me të duke i lëshuar në shpinë “shokët e çunit”, e di mirë që “shoku i vajzës”, nuk është po aq i përulur si i divorcuar, sa është i përulur si dhëndër brenda në PD. Ndaj e gjithë kjo zhurmë është thjesht për ta bërë edhe më ushtar sesa është. Dhe ai nuk përton të bëhet!
Gazeta Tema