Home Eduard Zaloshnja Eduard Zaloshnja: Edhe unë jam për hapjen e dosjeve të Sigurimit

Eduard Zaloshnja: Edhe unë jam për hapjen e dosjeve të Sigurimit

684
0

“Unë jam për hapjen e dosjeve [të Sigurimit], dhe të jeni të sigurtë se me hapjen e tyre, shqiptarët do të shohin çudira edhe tek ata që merren me politikë”,- tha sot Presidenti Topi, në përgjigje të sulmeve të drejtpërdrejta që i bëri Kryeministri Berisha ditën e hënë, në përvjetorin e 61 të pushkatimit të 22 intelektualëve në vitin 1951, ku deklaroi se kreu i shtetit nuk firmosi Ligjin e Lustracionit me qëllim që të mos dënonte hanxharët e diktaturës.

“Unë kam firmën time në vitin 2006, së bashku me zotin Majko, në një projektligj që asnjëherë nuk u miratua nga Parlamenti. Pra edhe sot e kësaj dite, ai ligj meriton të miratohet dhe jo të deformohet për t’u bërë antikushtetues”,- iu përgjigj presidenti Topi interesit të gazetarëve, pas pjesëmarrjes së tij në aktivitetin përkujtimor me rastin e 100-vjetorit të themelimit të shkollës “Lidhja e Prizrenit” të fshatit Kolesian në krahinën Lumë të Kukësit.

Unë vetë nuk kam firmosur ndonjë projektligj për hapjen e dosjeve të famëkeqit Sigurim, por kam 20 vjet që mezi pres që ato të hapen. Dhe nuk dua të hapen dosjet që mund të kenë mbetur, pasi kanë futur duart në to me dhjetra njerëz të pushtetshëm. Jo, dua të bëhen publike dy fotokopjet e mikrofilmave origjinalë të dosjeve, që iu dhanë Presidentit dhe Kryeministrit në vitin 1992. Në atë kohë, dëgjonim se filani u hoq nga posti i ministrit e fisteku nuk u aprovua për ministër apo deputet, sepse diçka u kishte dalë tek ato mikrofilmat, por nuk mund ta dinim se sa të vërteta ishin fjalët. Më vonë, pseudonimet që njerëz të ndryshëm kanë patur si spiunë të Sigurimit, qarkulluan nëpër media e vazhdojnë të qarkullojnë, por kur i kemi përballë këta njerëz në studio televizive apo kur shkruajmë për ta, nuk mund ta përmendim dot faktin që kemi dëgjuar se kanë qenë spiunë që kanë marrë në qafë njerëz të pafajshëm si babai im e mijera te tjere si ai. Dhe nuk është rastësi që njerëz të tillë, zakonisht, punojnë apo avokojnë për njeriun e pushtetshëm të radhës…

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here