Dimri demton bujqesine

0
200

Specialistët e bujqësisë në Lushnje thonë se te kulturat e foragjereve, siç është gruri apo misri, efekti i reshjeve është pozitiv.

Përparim Arapi, specialist bujqësie, thotë: “Ne po e prisnim prej kohësh këtë lagështi. Kishte 50 ditë që nuk binte shi. Te gruri ka ndikuar vetëm për mirë”.

Por, ka edhe efekte negative në kultura të tjera. Andrea Muça sqaron: “Më shumë, pasojat negative do të jenë në perimet e fushës, por edhe të serrës sepse temperaturat gjatë natës, kur jashtë është 4, brenda do të jetë 5-6. Sërish është e ulët. Kjo krijon një lloj stresi te bima”.

Ata i bëjnë thirrje fermerëve të marrin masa në ditët në vijim, duke i spërkatur të mbjellat e tyre, pasi bimët në këto kushte preken nga disa lloje sëmundjesh.

Në Bulqizë, reshjet e dëborës kanë dëmtuar frutikulturën. Ulja e temperaturave ka dëmtuar të mbjellat në zonat e njësive administrative Trebisht, Ostren, Martanesh, Zerqan, Fushë-Bulqizë dhe Shupenzë.

Në Stëblevë të Librazhdit, trashësia e dëborës arrin rreth 10 cm. Probleme paraqesin ngricat.

Ndërkohë që pranvera kishte ardhur me temperatura mbi 20 gradë Celsius, askush nuk e kishte menduar një kapriço të tillë të motit, që do të rikthente reshjet e dëborës. Për banorët e zonave malore, një mot i tillë ka shkaktuar dëme të mëdha në pemëtari dhe bujqësi.

“Ka pasur shumë dëme. Ato që kanë çelur, si kumbulla dhe qershi, janë dëmtuar të gjitha”, thonë banorët.

Përgjigju

Please enter your comment!
Please enter your name here