HYRJE Aktualitet Dëshmon në Itali ish-shikasi “Remzi Hoxha”

Dëshmon në Itali ish-shikasi “Remzi Hoxha”

0
127

Autoritetet e drejtë sisë italiane kanë ekzekutuar tri letër-porositë e gjykatës së Krimeve të Rënda, për llogari të procesit penal ndaj tre ish-shikasve të akuzuar për rrëmbimin, torturimin me pasojë zhdukjen e shqiptaro-maqedonasit Remzi Hoxha. Ish-shikasi Riza Shehu, ka rrëfyer për gjyqtarët italianë gjithçka dinte për rrëmbimin e biznesmenit Hoxha, më 21 tetor 1995, në Tiranë. Seanca për pyetjen e tij është zhvilluar mëngjesin e 23 qershorit 2010, në gjykatën e Trevizos në Itali. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme dhe Ministrisë së Drejtësisë. Ish-shikasi, Shehu, i cili dyshohet të ketë dijeni direkte për rrëmbimin, torturimin dhe zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, ka konfirmuar sërish para gjykatësve italianë të njëjtat fakte që u kishte pohuar hetuesve shqiptarë gjatë hetimeve paraprake, duke nxjerrë mjaft detaje të reja që pritet të hedhin dritë mbi ngjarjen e rëndë. Ndërsa dje në Gjykatën e Pistojës, në Itali, pyetjeve të gjykatësve u janë përgjigjur Flora dhe Gjok Hasanaj, burrë e grua, ish-punonjës të bazës së SHIK-ut në Vain të Lezhës, ku sipas prokurorisë është mbajtur peng biznesmeni Hoxha. Dëshmia e Shehut dhe dy bashkëshortëve, do të sillen në Gjykatën e Krimeve të Rënda përmes letër-porosisë.
Dëshmitë
Mëngjesin e 23 qershorit 2010, Riza Shehu është paraqitur në Gjykatën e Trevizos në Itali, për t’iu përgjigjur pyetjeve të prokurorisë së Krimeve të Rënda shqiptare, avokatëve mbrojtës të tre ish-shikasve të akuzuar për rrëmbimin, torturimin me pasojë zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha. Për të qenë të pranishëm në seancën gjyqësore, drejt Italisë ka udhëtuar kreu i pesëshes gjykuese, Gurali Brahimllari, që po shqyrton dosjen penale ndaj Arben Sefgjinit, Avni Koldashit dhe Ilir Kumbaros, të tre ish-funksionarë të SHIK-ut. Gjithashtu, në seancë ka marrë pjesë dhe prokurori i çështjes, Xhevat Hana. Seanca për pyetjen e Riza Shehut ka zgjatur më shumë se tre orë, dhe është zhvilluar në gjuhën italiane. Në fakt, nuk jepen shumë detaje lidhur me çfarë ish-shikasi ka pohuar para gjykatës, por mësohet se ka folur për mjaft detaje që hedhin dritë mbi krimin e rëndë të 15 viteve më parë. Ai ka pranuar faktin se Remzi Hoxha është marrë nga punonjësit e SHIK-ut, por nuk di asgjë më shumë për fatin e tij. Edhe dy bashkëshortët, Flora e Gjok Hasanaj, të cilët kanë punuar në Vain, kanë treguar dje para gjykatës italiane, se në bazën e SHIK-ut ku kanë punuar, janë sjellë persona të ndryshëm, por nuk kanë shpjeguar nëse ndonjëri prej tyre ishte shqiptaro-maqedonasi Remzi Hoxha. Letër-porositë me dëshmitë e tyre pritet të mbërrijnë së shpejti në gjykatën e Krimeve të Rënda, ku procesi ndaj ish-shikasve Arben Sefgjinit, Ilir Kumbaros dhe Avni Koldashit, është drejt fundit. Tre të pandehurit akuzohen për rrëmbimin, torturimin me pasojë zhdukjen e shqiptaro-maqedonasit Remzi Hoxham, si dhe për rrëmbimin e torturimin e Ziso Kristopoullit dhe Avdyl Loshajt.

Përgjigju

Please enter your comment!
Please enter your name here