Home Politike Zgjedhjet vendore:Ja bashkitë që rrezikon të humbasë Partia Socialiste

Zgjedhjet vendore:Ja bashkitë që rrezikon të humbasë Partia Socialiste

648
0

Zgjedhjet lokale të 8 majit të ardhshëm janë një provë shumë e rëndësishme për opozitën. Zgjedhjet e shkuara, PS në bashkëpunim me LSI, arriti të dominonte në qytetet kryesore të vendit duke filluar nga Tirana, Durrësi, Vlora, Fieri, Elbasani, Korça, Berati, Gjirokastra, etj. Sfida e këtyre zgjedhjeve është mbajta e këtyre qyteteve dhe për një mandat tjetër. Në dukje është një sipërmarrje e vështirë duke parë që PS tashmë nuk është në koalicion me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Edi Rama ka nisur të porositë të gjithë bashkëpunëtorët për nisjen e përgatitjeve intensive për të arritur një rezultat pozitiv në zgjedhje që të vërtetojë dhe qëndrimin e opozitës se zgjedhjet e shkuara parlamentare janë vjedhur dhe nuk i ka humbur PS.
Bashkitë që rrezikon PS
Tirana është kryebeteja për të dy kampet politike. Partia Socialiste do të përdorë të gjitha bateritë e saj për të fituar mandatin e katërt në kryeqytet dhe ta kthejë përfundimisht këtë qytet në një bastion të saj. Edi Rama do ta vendosë sërish veten e tij në dispozicion për të fituar mandatin e katërt në qytetin që prej dhjetë vitesh ka atë timonier. Nëse në Tiranë situata është disi e favorshme për opozitën, ndryshe ndodh në qytetet e tjera. Durrësi është qyteti i cili pritet që të ndryshojë kah në këto zgjedhje. Vangjush Dako në mandatin e shkuar ka fituar me një rezultat shumë të ngushtë duke pasur edhe ndihmën e LSI-së, ndërsa në këto zgjedhje jo vetëm që s’do ketë ndihmë, por do ta ketë rival të drejtpërdrejtë, pasi pritet që e djathta të nxjerrë kandidat Lefter Kokën e LSI-së. Po ashtu dhe Elbasani pritet të ketë një rrezik të madh për opozitën. PD në këtë qytet do të futet me ambicie të qartë për të marrë maksimalen që të dalë triumfuese në zgjedhje. Të njëjtën fat si Elbasani ka dhe Bashkia e Korçës. Elektorati në këtë qytet gjithmonë është i lëkundur duke pasur fitues nga të dy palët. Niko Peleshi do të kërkojë një mandat të dytë për të çuar në fund projektet e tij në krye të bashkisë. Po ashtu të diskutueshme janë dhe Lushnja, Patosi, Gjirokastra, Fieri, etj.
Përplasjet në qytetet kryesore
Pas betejës së fortë për Tiranën, qyteti i dytë më i rëndësishëm është Durrësi. Në këtë qytet pritet që rivaliteti të jetë mes dy partive të majta si Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Përveç Vangjush Dakos, pritet të jetë në garë dhe Lefter Koka, i cili do të ketë dhe mbështetjen e Partisë Demokratike. Koka ka qenë një herë kryetar i Bashkisë së Durrësit, por pakënaqësitë me Edi Ramën e bënë që të mos dilte për një mandat të dytë. Aktualisht, ai mban postin e deputetit dhe ka një reputacion në zonën e Durrësit. Qyteti bregdetar i Vlorës është një tjetër fushë beteje mes mazhorancës dhe opozitës. Shpëtim Gjika kërkon një tjetër mandat jo vetëm për punët që ka bërë por dhe për faktin se Vlora historikisht është një bastion i së majtës, dhe fitorja është thuajse e sigurt. PD për të thyer bastionin socialist të Vlorës do të nxjerrë një figurë të rëndësishme të saj në këtë qytetet. Bëhet fjalë për Ardian Kollozin, i cili do të dorëzojë mandatin e deputetit për të qenë i parë në qytetin e Flamurit. Në qytetin e Elbasanit nga Partia Socialiste do të jetë sërish në garë Qazim Sejdini i cili është ndër bashkiakët më të vlerësuar nga ana e Edi Ramës. Sejdini është i lidhur ngushtë dhe me anëtarësinë socialiste në këtë qytet, për shkak të funksioneve partiake që ka mbajtur. Por dhe punët e kryera në këtë qytet janë avantazh i madh për Sejdinin. Përballë tij e djathta ende nuk ka publikuar një emër, por mendohet se prefekti aktual i Elbasanit do të jetë sfidanti i Qazim Sejdinit. Shefqet Deliallisi, aktualisht prefekt i qarkut Elbasan, do të kërkojë të kthejë blu Elbasanin, që nga koha e Adrian Turkut.

Përplasjet PD-PS
Tirana
Edi Rama vs Lulzim Basha

Durrës
Vangjush Dako vs Lefter Koka

Vlorë
Shpëtim Gjika vs Ardian Kollozi

Elbasan
Qazim Sejdini vs Shefqet Deliallisi

Korçë
Niko Peleshi vs Andrea Mano

Bashkitë që rrezikon PS
Bashkia Tiranë
Bashkia Durrës
Bashkia Elbasan
Bashkia Korçë
Bashkia Lushnjë
Bashkia Patos

Bashkitë që PS ka avantazh
Bashkia Berat
Bashkia Fier
Bashkia Vlorë
Bashkia Kuçovë
Bashkia Gjirokastër

Bashkitë që rrezikon PD
Bashkia Sarandë
Bashkia Tepelenë
Bashkia Përmet
Bashkia Peqin
Bashkia Lezhë (LSI)
Bashkia Peshkopi

Bashkitë që PD ka avantazh
Bashkia Shkodër
Bashkia Bajram Curri
Bashkia Kukës
Bashkia Rubik
Bashkia Kavajë

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here