Home Politike Zbardhet programi qeverisës 2013- 2017

Zbardhet programi qeverisës 2013- 2017

681
0

programi-psProgrami i qeverisë “Rama” që pritet të prezantohet sot në Kuvend, është shpërndarë për të 140 deputetët. Integrimi, lufta kundër krimit dhe korrupsionit, punësimi, arsimi, shëndetësia, ekonomia, financat publike etj janë prioritetet kryesore të programit të qeverisjes 2013-2017 i përbërë prej 80 faqesh dhe që u zbardh mbrëmë nga “A1Report!”.

Dokumentit me kapakë të kuq i paraprin një parathënie e shkruar nga Kryeministri Edi Rama, titulluar: “Shqipëria e gjeneratës tjetër”.

“Jam krenar për besimin, që një shumicë e pazakonshme zgjedhësish investuan tek ne, Aleanca për Shqipërinë Europiane.” Njësoj siç luftuam të bashkuar për të fituar këtë besim të madh, do të luftojmë edhe më tutje, me ende më shumë përkushtim ndaj vendit dhe njerëzve, për të jetësuar ndryshimin që Shqipëria e kërkoi më 23 qershor, me forcën e një vote plebishitare të ngjashme vetëm me atë të vitit 1992. Vizioni ynë është një Rilindje shqiptare. Misioni ynë është të ecim më shpejt për të ndërtuar Shqipërinë e Gjeneratës Tjetër,”- thekson Rama në parathënie.

Programi që do të qeverisë vendin për 4 vite të ardhshme është i bazuar në 3 shtylla: Liri, Përgjegjësi, Solidaritet.

Ai është i detajuar në 5 kapituj, të cilët janë: Integrimi në Bashkimin Europian, Shqipëria europiane në rajon dhe në botë, shteti i së drejtës dhe demokratizimi shoqërisë, zhvillimi ekonomik dhe shërbimet publike.

Baza kryesore është lufta kundër korrupsionit, krijimi i Byrosë kombëtare të hetimit, integrimi në BE por dhe siguria e jetës, zhvillimi ekonomik, arsimi, shëndetësia dhe kujdesi për qytetarët.

Programi është diskutuar dhe në grupin parlamentar të PS, të mbledhur pasditen e djeshme. “Unë besoj fort se me këtë vetëdije, shqiptarët votuan Rilindjen. Dhe Rilindje do të jetë”, shkruan Rama në parathënien e tij, teksa në programin e qeverisë janë shënuar dhe CV e të gjithë ministrave të kabinetit qeveritar.

PËRMBAJTJA E PROGRAMIT
Parathënie “Shqipëria e Gjeneratës Tjetër”
Integrimi në Bashkimin Evropian
Shqipëria evropiane në rajon dhe botë
Shteti i së drejtës dhe demokratizimi i shoqërisë
Shteti i së drejtës dhe demokratizimi i shoqërisë
Zhvillimi ekonomik
Shërbimet publike
Programi nis me axhendën e integrimit për periudhën 2014-2020. Pikat kryesore të tij janë: me opozitën të shfaqim një kulturë kompromisi; të garantojmë një kurs reformash radikale; të ofrojmë stimuj për të promovuar profesionalizmin.

Në fushën diplomatike: partneritet strategjik me SHBA-në; marrëdhënie strategjike me fqinjët; marrëdhënie strategjike me Italinë, Greqinë dhe Turqinë; me prioritet do të shihen të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, Mal të Zi e Preshevë; mbledhje të përbashkëta periodike me qeverinë e Kosovës.

Në fushën e mbrojtjes: strukturë e re për Forcat e Armatosur, duke ulur numrin e personelit; rishikim, pagës bazë të punonjësve të policisë.

Lidhur me çështjen e pronave, do të përfundohet krijimi i Regjistrit të Pasurive të Paluajtshme dhe nuk do të ekzistojë më termi ish-pronar.

Në fushën e drejtësisë, programi i mazhorancës së majtë synon hartimin e një strategjie kundër korrupsionit në drejtësi dhe krijimin e një Byroje Kombëtare Hetimi.

Do të rishikohet ndarja administrativo-territoriale; do kalojë në sitë gjithë legjislacioni ekzistues; do promovohen burime të reja, që ushqejnë rritjen ekonomike; do të mbushet ‘gropa’ që po krijon tkurrja ekonomike; do të ristrukturohet biznesi; do të synohet rritja ekonomike përmes eksporteve të lëndëve të para, përmes ristrukturimit ekomomik dhe reformave; do të nxitet prodhimi vendas dhe rritja e eksporteve dhe do të mbështetet biznesi i vogël dhe i mesëm.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here