Policia e Laçit ka vënë në pranga mëngjesin e sotëm një nga autorët e dyshuar për vrasjen e trefishtë në Thumanë. Burime nga policia bëjnë me dije se është arrestuar në qytetin e Laçit një nga anëtarët e familjes Kodra, 56-vjeçari Gurali Kodra.
Babai i tre personave të dyshuar si autorë për masakrën në Thumanë ka marrë përsipër autorësinë e vrasjeve. Gurali Kodra ka pranuar para policisë se është ai autori i vrasjes së Fran Çekut, Arben Çekut dhe Eno Ramës. “Vrasjen e trefishtë në Thumanë e kam kryer unë. Kam qëlluar me automatik dhe pistoletë. Djemtë e mi nuk kanë qenë në vendine ngjarjes.”- ka dëshmuar Kodra.
Tre djemtë e Gurali Kodrës, Pëllumb, Daniel dhe Besnik Kodra janë shpallur në kërkim si autorë të dyshuar për vrasjen e 3 anëtarëve të familjes Çeku mbrëmjen e së premtes.
Policia ka publikuar ditën e sotme edhe foto e tre djemve të shpallur në kërkim. Një ditë më parë polica vuri 10 mijë euro shpërblim për personin që do të jepte informacion për vendodhjen e autorëve të masakrës së Thumanës. Policia e Durrësit vë në dispozicion të qytetarëve gjithashtu edhe numrin e telefonit: •0694110217.Si dhe numrat e telefonit:129 dhe 126.
NGJARJA
Tre pjesëtarë të një familjeje në Thu manë të Krujës janë ekzekutuar 100 metra larg banesës së tyre, ndërsa një tjetër është plagosur rëndë. Ngjarja e rëndë ku humbën jetën 79-vjeçari Fran Çeku, djali i tij 44 vjeçar, Arben Çeku dhe nipi i tyre 20 vjeçar, Eno Rama ndodhi pak para mesnatës së të premtes. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Durrësit dhe ajo lokale bënë me dije se në këtë ngjarje ka mbetur e plagosur rëndë dhe bashkëshortja 66vjeçare e Franit, Luçie Çeku.
Vrasja e trefishtë ka tronditur banorët e Thumanës, ndërsa mbi 200 forca policore dhe të FNSH-së kanë mbërritur në vendngjarje dhe janë vënë në ndjekje të autorëve të krimit. Pas kryerjes së veprimeve hetimore ka rezultuar se masakra në familjen Çeku ka marrë shkas nga një sherr banal, i cili nuk kishte lidhje të drejtpërdrejtë mes autorëve dhe viktimave. Ndërkohë, janë shpallur në kërkim vëllezërit Daniel, Pëllumb e Besnik Kora, pasi dyshohen të jenë autorë të kësaj ngjarjeje.