Detaje të reja kanë dalë sot në dritë për vrasjen e dy të rinjve, që dyshohet se kishin shkuar për të kryer një grabitje në Selitë. Burime nga policia pohojnë se megjithëse dy viktimat Adnan Luli dhe Ervin Shaba janë qëlluar me plumba në kokë, në maskat që mbanin nuk janë konstatuar shenja të plumbave.
Këto detaje të reja i japin një drejtim krejtësisht tjetër hetimeve për vrasjen dy ditë më parë të dy të rinjve, nga Flamur Ymeri, i cili deklaroi në polici se dy personat kishin hyrë në banesën e tij për të vjedhur. Ndërkohë pas rezultateve të fundit të hetimeve, familjarët e Ymerit po pyeten në Policinë e Tiranës.
Ndërkohë sot, Prokuroria e Tiranës kërkoi masën e sigurisë arrest me burg për shtetasin Flamur Ymeri, i cili vrau dy të rinj në banesën e tij, duke pretenduar se ishin grabitës. Organi i akuzës ka dërguar dosjen për gjykim, ndërsa vlerëson se 52-vjeçari Ymeri i ka kapërcyer kushtet e vetëmbrojtjes. Grupi hetimor punoi dje me orë të tëra në banesën e Ymerit, pasi një nga predhat e gjetura nuk korrespondon me asnjë nga armët e gjetura në vendin e ngjarjes. Kjo predhë e ka detyruar grupin hetimor që të rindërtojë edhe një herë skemën e krimit, pasi dyshohet se ndaj 23-vjeçarit, Adnan Luli dhe 25-vjeçarit, Ervin Shaba është qëlluar edhe me një armë tjetër, e cila rezulton e zhdukur dhe akoma nuk është gjetur.
Hetimet
Burime pranë policisë sqarojnë se përveç pistës së grabitjes, grupi hetimor është duke hetuar edhe pista të tjera, siç është ajo e konflikteve mes Ymerit dhe babait të njërit prej viktimave. Dyshohet se familja e Ervin Shabës, e cila ndodhet vetëm disa blloqe larg banesës së 52-vjeçarit, prej kohësh ka konflikte të pazgjidhura me të. Ndërkohë, për djalin tjetër, Adnan Lulin, i cili është djali i ish-deputetit të Shkodrës, Gëzim Lulit, dyshohet që të ketë shkuar në shtëpinë e Ymerit vetëm për të ndihmuar shokun e tij.
Sipas Policisë dhe Prokurorisë së Tiranës, mësohet se vitet e fundit, pronari i vilës, shtetasi Flamur Ymeri, i ka dhënë një shumë parash borxh me një interes të caktuar babait të Ervin Shabës. Pak kohë më vonë, për shkak të pretendimeve për moskthimin e këstit siç duhej, mësohet se Flamur Ymeri ishte përfshirë në konflikt me borxhliun dhe duke vënë në veprim përmbarimin, i ka bllokuar banesën që kishte në pronësi babai i Ervin Shabës. Pronari i vilës në Selitë, i njohur për aktivitet biznesi në zonë, pas bllokimit të shtëpisë së borxhliut me anë të përmbarimit kishte nisur procedurat për kalimin e pronësisë së kësaj banese. Sipas burimeve nga hetimi i çështjes, mësohet se familja e njërit prej viktimave, Ervin Shabës, ndodhet vetëm disa blloqe larg banesës së Flamur Ymerit në zonën e Selitës. Për shkak të njohjes nga fakti i banimit në një zonë, ata kishin marrë një shumë parash te biznesmeni që tashmë është arrestuar për vrasjen e dy të rinjve brenda banesës së tij.