Home Alfred Lela Çfarë thonë në Bruksel për politikanët shqiptarë?

Çfarë thonë në Bruksel për politikanët shqiptarë?

735
0

brukselA do ta marrim statusin? është pyetja e parë që gazetarët shqiptarë bëjnë kur takohen me zyrtarë të institucioneve të BE në Bruksel, gjatë vizitave jo të rralla në kryeqytetin e Europës. Përgjigja nuk është gjithmonë e njëjta, por kushti po: çfarë thuhet në takime është off record që do të thotë mund të publikohet, por duke ruajtur anonimatin e burimit. Njëri prej tyre, një britanik që i referohet Saninos më me reverencë sesa Schumanit, për shembull, e thotë british style, pra hapur, se nëse vendimi do të merrej sot, Shqipëria sërish do të përballej me një ‘jo’ sa i takon statusit të vendit kandidat. Është veshur me optimizëm, që do të thotë ka një këmishë me lule në ngjyra të çelëta dhe një kravatë në tonet e qiellit, por pesimizmi i tij krudo për ‘rastin e dëshpëruar’ të Shqipërisë ka të bëjë me zgjedhjet e majit për në Parlamentin Europian.

‘Jo’-ja ndaj Shqipërisë kushtëzohet pikërisht nga këto zgjedhje, nga droja e përndezjes së sentimenteve dhe retorikës së euroskeptikëve. Kjo e përcaktoi edhe ‘përzgjedhjen’ e qershorit si muaj të publikimit të vendimit për statusin një muaj pas riformatimit të Parlamentit Europian. Një institucion i cili në qershor do të ketë rreth 200 parlamentarë nga partitë euroskeptike, theksojnë sondazhe të ndryshme.

Por, kur zulma e zgjedhjeve të ketë rënë, cilat janë shanset e Shqipërisë? Këtu zyrtarët europianë, ndër ta edhe ata që janë marrë ose merren aktualisht me Shqipërinë, shprehin një optimizëm ngurrues. Predispozita është pozitive, thonë, por sërish disa kushte mbeten. Më shumë se ato ‘detyrat e shtëpisë’ që listohen në letër dhe që zakonisht janë 12, 3 apo 5, kësaj here kushtet janë dërrmueshëm ‘klimaterike’. Në kuptimin që klima politike në vend të jetë e tillë sa të lejojë konsensusin e vendeve anëtare të Unionit Europian.

‘Kultura politike konfliktuale’ emërtohet hapur si shqetësimi i madh në të gjitha takimet me eurozyrtarët në Bruksel. Duhet një konsensus mes palëve. Një marrëveshje e gjerë ndërpartiake për Europën, thotë një tjetër, dhe këtu duket një rezonancë me atë që tha në Tiranë drejtori i DASH për Europën Juglindore, Jonathan Moore kur u shpreh se do donte t’i shihte së bashku, Ramën e Bashën, në Bruksel.

Por flitet dhe ka shqetësim edhe për shëndetin e institucioneve, për stabilitetin e tyre. Nuk shihet me sy të mirë, për shembull, fakti se kur pushtetet ndërrohen dhe vjen një parti e re në qeveri, fillon ndërrimi i zyrtarëve duke e dobësuar administratën publike, por edhe duke nëpërkëmbur investimet europiane në trajnime dhe know how.

Këto thonë në Bruksel për Shqipërinë, por thonë edhe më shumë. U bëjnë përshtypje të gjithëve skenat patetike, të të cilave duhet të jenë dëshmitarë, të ‘përleshjeve’ ndërmjet grupeve të politikanëve shqiptarë. ‘Nuk vijnë kurrë të flasin për një axhendë të përbashkët, por për të interpretuar dhe bërtitur ndarjet e brendshme politike’. ‘Secila palë ia hedh fajin tjetrës’. ‘Të marrësh pjesë në një takim të politikanëve shqiptarë të dy palëve në Bruksel, është si të jesh gjyqtar në një ndeshje tenisi. Të këputet koka’, thotë një prej zyrtarëve që i ka negociuar këto ‘duele gjelash’.

Ilustrimi më i fortë i njëfarë gërdie të këtij konfliktualiteti të bartur, por edhe të integritetit të klasës politike shqiptare, është refuzimi i hapur që iu bë vizitës së para pak kohëve të njërit prej tre personazheve kryesore të Tiranës politike. Kur ai u dha në mjediset e Parlamentit Europian ku do të mbante një fjalim, vetëm 3 eurodeputetë ishin në sallë. Edhe ata sepse kishin përgatitur fjalime të vetat dhe donin të bënin publike axhendat e tyre. Parlamenti Europian përbëhet nga 766 deputetë.

*Shënim mbi takimet me eurozyrtarë, gjatë një turi dyditor të gazetarëve nga Shqipëria, Turqia, Serbia, Maqedonia dhe Mali i Zi, organizuar nga Qendra Europiane e Gazetarisë.

Mapo

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here