Policit që ndodhej afër vendit të ngjarjes ku u vra bankieri Artan Santo dy ditë më parë, i mungonte radio për të dhënë informacion. Mungesën e logjistikës dhe probelmet e tjera me të cilat përballbet policia shqiptare, i ka theksuar edhe një raporti i Misionit të ndihmës policore i Ambasadës Amerikane, ‘ICITAP’. Ministri Tahiri ndërkaq është shprehur se kur erdhi në krye të MB e ka gjetur policinë pa radio.
Misioni i ndihmës policore i Ambasadës Amerikane, ‘ICITAP’, konstaton një sërë problemesh në funksionimin dhe punën e Policisë së Shtetit, në një radiografi të kryer në 17 komisariate dhe stacione policore. Në raport konstatohet se vetëm gjysma e ambienteve të vizituara kanë qenë të pranueshme për kryerjen e detyrave.
Investimi në blerjen e automjeteve tip “shevrolet” për përdorim të Policisë së Shtetit, në vitin 2009 me vlerë 2.1 milionë euro dhe që ka qenë investimi më I madh I 8 viteve të fundit për uniformat blu ka rezultuar I dështuar. Mjetet kanë konsum tejet të lartë dhe nuk plotësojnë kriteret e tjera që duhet të ketë një automjet për përdorim policor.
Vërejtje ka patur që tek kushtet higjenike në godinat e policisë, deri tek armatimi që varjon në vjetërsi 15-50 vjeçar që përdorin uniformat blu.
“Duke parë kufizimet e mëdha buxhetore, ICITAP nxit Qeverinë e Shqipërisë të veprojë me vendosmëri e forcë në përgjigjen e saj ndaj kësaj krize në rritje. Një përgjigje gjithëpërfshirëse e Qeverisë duhet të përfshijë një strategji disa-vjeçare të hartuar me kujdes, për zhvillimin e të gjitha aspekteve të infrastrukturës, automjeteve dhe pajisjeve policore, në bashkëpunim të ngushtë me bashkësinë e donatorëve. Kjo strategji duhet të përfshijë edhe një rishikim të gjerë të mënyrës se si shpërndahet buxheti aktual i policisë (i cili është rreth 85 milionë euro), për të gjetur mënyra më efiçente për t’i përdorur këto fonde në dobi të kërkesave të Shqipërisë për siguri e sigurim. “ thuhet në raportin e ‘ICITAP’.
“Policia e Shtetit po i afrohet një pike krize, përsa i përket efikasitetit të saj operacional, si rrjedhojë e mungesës së thellë të elementeve bazë të cilat u mundësojnë punonjësve të policisë të përballjen me krimin”, thuhet në studim.
Ja se cilat janë disa prej gjetjeve të studimit:
1. 46% e objekteve u vlerësuan si në gjendje të dobët apo shumë të dobët. Disa prej ndërtesave policore që vizituam ishin ndërtuar që në kohën e pushtimit italian, fillimvitet 1940 apo më vonë dhe të papërshtatshme për nevojat e policimit modern në Shqipëri”.
2. 70% të njësive policore të vizituara, automjetet e patrullës, ishin në gjendje të dobët apo shumë të dobët. Në 82% të rasteve furgonat, fuoristradat dhe automjetet e tjera për transportin e personelit ishin në gjendje të dobët apo shumë të dobët. Asnjë prej automjeteve të kontrolluara nuk ishte më pak se 5 vjet i vjetër dhe shumë prej automjeteve të tjera ishin më shumë se 15-vjeçare.
3. Në më shumë se 30% të stacioneve të vizituara, ICITAP zbuloi se armët e përdorura nga Policia e Shtetit ishin në gjendje të dobët ose shumë të dobët. Me përjashtim të disa funksioneve drejtuese, të cilët janë të pajisur me pistoleta Beretta, pjesa më e madhe e personelit kanë pistoleta TT (Tokarev) 54, prodhuar në vitet 1950 dhe kanë probleme që sa vijnë e shtohen në lidhje me sigurinë e tyre.
4. Përdorimi i teknologjisë nga Policia e Shtetit në përgjithësi është poshtë standardit të pranueshëm. Në 46% të stacioneve të vizituara, ICITAP-i zbuloi se niveli i pajisjes me radio personale ishte i dobët ose shumë i dobët. Në pothuajse 90% të rasteve, ICITAP-i vuri re se furnizimi me kompjuterë dhe printera ishte i dobët ose shumë i dobët. Shumica e komisariateve/stacioneve nuk kishin një fotokopje vërtetë funksionale apo printera të mjaftueshëm për të përmbushur nevojat në rritje të dokumentacionit të një komisariati apo stacioni policor. Në shumë raste punonjësit kishin blerë kompiutera, printera dhe/ose bojë printeri me paratë e tyre. Furnizimi i pamjaftueshëm me kompiutera dhe printera kërcënojnë aftësinë e policisë për të përballuar sfidat në rritje në luftën kundër kriminelëve të sofistikuar e me shumë burime.
“ICITAP nxit Qeverinë e Shqipërisë të veprojë me vendosmëri e forcë në përgjigjen e saj ndaj kësaj krize në rritje. Qeveria duhet të përfshijë një strategji disa-vjeçare të hartuar me kujdes, për zhvillimin e të gjitha aspekteve të infrastrukturës, automjeteve dhe pajisjeve policore, në bashkëpunim të ngushtë me bashkësinë e donatorëve”, thuhet në konkluzionet e studimit.