Arrest me burg për ish- Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani. E njëjta masë është dhënë edhe për Inspektoren e Përgjithshme të BSH, Elivar Golemi. Pasi trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Blerina Muça ka dëgjuar pretendimet e palës mbrojtëse të të dy të akuzuarve dhe versionin e prokurorisë, ka vendosur që të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg”, e dhënë në mungesë ditën e premte për Fullanin dhe Golemin.
Dy zyrtarët e lartë të Bankës së Shqipërisë, akuzohen nga Prokuroria se për shkak të mosveprimeve të tyre, kanë krijuar kushtet që të cenohet siguria e parave në administrim të këtij institucioni, nga i cili u vodhën 713 milionë lekë.
Seanca
Ish-Guvernatori i Bankës së Shqipërisë është paraqitur në Gjykatën e Tiranës pak minuta para se të shkonte ora 11:00. Nën shoqërimin e forcave të policisë, ai është futur në ambientet e gjykatës me një kostum ngjyrë gri dhe pa kollare, të cilën e ka vendosur vetëm para se të hynte në seancë. Në të njëjtën kohë ka mbërritur në gjykatë edhe Kryeinspektorja e Bankës së Shqipërisë, Elivar Golemi, për të cilën është zhvilluar një seancë e ndarë nga ajo e ish-guvernatorit. Seanca ka nisur në orën 11:00 dhe ka zgjatur plot një orë