Home Aktualitet Viti i Nene Terezes: griset emri i Berishes nga parrulla

Viti i Nene Terezes: griset emri i Berishes nga parrulla

75
0

Parulla e madhe në mes të Tiranës e vendosur disa muaj më parë dhe e shumëdiskutuar për shkak të përmasave të emrit të Sali Berishës në raport me emrin e Nënë Terezës është grisur gjatë orëve të natës midis të mërkurës dhe të enjtes.

Dje, në orët e para të mëngjesit, është vënë re se dikush ka grisur emrin e Sali Berishës nga bezja e madhe që zinte gati të gjithë fasadën e Muzeut Kombëtar prej muajsh.
50 metra larg vendit, ku 20 vjet më parë u hoq zvarre statuja e Enver Hoxhës, dikush ka menduar për të zhdukur një tjetër simbol të madhështisë së rreme. Bezja ishte grisur vetëm në pjesën ku gjendej emri i S. Berishës.

Disa punëtorë të dërguar me urgjencë në orët e para të mëngjesit për të ringjitur pjesën e grisur nuk kanë mundur ta bëjnë këtë gjë dhe pas disa orësh, parulla është hequr fare për të zhdukur çdo gjurmë të aktit simbolik vërtet shumë origjinal.
Grisja ka qenë thuajse “kirurgjikale” dhe autori është përqendruar vetëm në emrin e Berishës. Megjithëse u veprua shpejt për ta zhdukur parullën e grisur nga Muzeu, ajo ishte fotografuar nga qytetarë të ndryshëm tiranas në mëngjes dhe fotoja ka bërë dje “xhiron” e internetit, duke u komentuar gjerësisht.

Komentet në blogje kanë qenë të shumta. “Me siguri do t’i ketë fry Nonë Tereza me largu erën e keqe, – shkruante një komentues i blogut “Peshku pa ujë”, duke satirizuar me faktin që fotoja e Nënë Terezës në parullë ndodhej përbri emrit të Sali Berishës. Si fotoja e Nënë Terezës, ashtu edhe emri i saj në këtë pankartë, ishin në “minorancë” me emrin e Sali Berishës shkruar me germa të mëdha mbizotëruese nga hartuesit e parullës vendosur muaj më parë nga Ministria e Kulturës.
Kjo parullë e shkruar në një beze të stërmadhe që zinte gjithë ballinën e Muzeut Kombëtar në qendër të Tiranës u bë objekt debati në opinionin publik. Në tekstin e saj lajmërohej se ky vit ishte Viti i Nënë Terezës dhe se po zhvillohej nën përkujdesjen e veçantë të Sali Berishës. Emri i këtij të fundit ishte shkruar me germa kapitale, aq të mëdha sa dukej sikur parulla ishte vendosur jo për të lajmëruar vitin e Nënë Terezës, por për të vënë në dukje emrin e Berishës.

Ministria e Kulturës, e cila hoqi dje bezen e grisur, e zëvendësoi atë me shpejtësi me një parullë më të vogël, për sponsorët e rikonstruksionit të ballinës së Muzeut, për të fshehur disi gjurmët e “atentatit” ndaj emrit të Berishës, por fotot e mëngjesit kishin marrë me kohë “rrugën” drejt mediumeve publike online.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here