Home Shendetesi Virozat e stinës

Virozat e stinës

862
0

Janë bërë lajm i pandashëm i mediave në këto ditë pushimesh ku pak lajme prodhohen për to nga politika. Madje edhe politika mund të flasë për virozat e stinës, thjesht sa për të qenë në ekran, por të  ketë edhe lidhje me interesin momental të ndjekësve të paktë mediatikë në periudhën e pushimeve. “Mos rrini në diell pas orës 12.00, shikoni me kujdes ushqimet që hani, kujdes fëmijët dhe moshat e treta”- është porosia standarde që japin mjekët e që dinë të citojnë mediat.Por në fakt, pushuesit e rinj që iu pëlqen të argëtohen deri vonë në orët e para të mëngjesit, e kanë të vështirë të çohen herët për të shkuar në plazh,  e shumica e fillojnë ditën pikërisht atëherë kur mjekët sugjerojnë të mos dalin në diell; rreth orës 12.00. Kjo ka bërë që numri i të prekurve nga të famshmet “viroza të stinës” të mos anojë fare as nga fëmijët, as nga mosha e tretë, por nga një numër i madh të rinjsh që e gjejnë veten të këputur nga lodhja, me fyt të ënjtur nga dhimbja, me hundë të bllokuara, parregullsi në tretje e madje edhe kollë e ethe të forta.Mu në mes të gushtit spitalet e Sarandës dhe të Himarës ishin plot me pushues që janë viktimë e “virozëve të stinës”, që në fakt nuk janë asgjë tjetër veçse “viroza të turizmit shqiptar”. Ja disa raste: Në njërin nga hotelet me shumë yje afër Sarandës, ku dhoma kushton po aq sa përtej bregut, uji i ngrohtë sigurohet me panele diellore (shkëlqyeshëm në kursim energjie). Mirëpo kjo do të thotë se dush me ujë të ngrohtë mund të bëhet vetëm ditën. Në mbrëmje, dush skocez akull i ftohtë për të tërë; e megjithëse kjo mund të duket aventurë e këndshme për pushimet e verës, trupi reagon ndryshe. Ndaj pas vetëm dy ditësh qëndrimi në hotelet me dushet skocezë të paneleve diellore, shumica e pushuesve përfundojnë në dyert e farmacive apo të spitaleve, ku iu jepet përgjigja standarde: “Keni marrë ndonjërën nga virozët e stinës”.Rasti tjetër: Një grup peshuesish ndalin në një market relativisht të madh në Jug. Mes sendeve të tjera, blejnë edhe kremin e plazhit për mbrojtje nga dielli, asnjëri prej të cilëve nuk kushton  më pak se përtej bregut. Hapin çadrën, lyhen me kremin e sapo-blerë, dhe pasdite, të gjithë e shohin trupin t’iu skuqet nga alergjia që nuk i linte rehat me kruajtjen dhe bezdinë që iu shkaktonte. Përveç kësaj, edhe frikë, se askush nuk po e kuptonte nga vinte mbushja e trupit me pulla të kuqe. Farmacisti nuk lëshonte ilaç pa recetë për këtë alergji, sepse nuk ishte i sigurt nga ca ishte shkaktuar, ndaj sugjeroi të rinjtë t’i drejtoheshin spitalit. (Ka edhe farmacistë të tillë, që pranojnë se nuk janë në gjendje të japin ilaçe pa rekomandimin e mjekut?! Pozitive, edhe pse të rinjtë varën turinjtë. Spitali më i afërt ishte 60 km larg). Në spital, i bashkëngjiten një grupi tjetër lëkurë-skuqurish. Mjeku ua hodhi sytë përciptazi: “ Keni përdorur krem plazhi të skaduar. Nuk iu ka mbrojtur fare dhe dielli pas orës 12.00 këto ditë ka qenë shumë i dëmshëm. Ka pasur vërdallë shumë viroza të stinës. Ato kanë ndikuar në gjendjen tuaj”. Prapë virozat e stinës?Një grup tjetër të rinjsh që iu pëlqen aventura vendosën të akomodohen në një kamping çadrash nga të shumtat që janë përhapur vitet e fundit në rivierë. Pagjumësisë prej muzikës së lartë të bareve përreth, bisedave pa kokë e pa këmbë që një fletë ndarëse çadre nuk i ndalonte dot, iu shtua në mëngjes ankimi i dy pjesëtarëve të grupit, që nuk hapnin dot sytë në mëngjes. Jo nga pagjumësia, por sepse ishin ënjtur aq shumë, sa as nuk hapeshin, as nuk mbylleshin dot. Kafshim insekti, nga të shumtat që qarkullonin brenda çadrave që nuk kishin asnjë kusht minimal sigurie, qoftë edhe diszinfektimin paraprak me solucionet e shumta që përdoren kundër insekteve. Shpirti i aventurës i çoi të rinjtë në det; por pas dy ditësh, kur enjtja e syve në vend që të ulej, fitonte terren e pastaj zaptoi edhe syrin tjetër, vrapi u mbajt në spital. “Nuk është mjeku roje. Por e ka klinikën private tek rrugica e dytë majtas, kthehu tek çadra jeshile, është pallati i verdhë përballë, sa kalon lavazhin”. Direktiva të shkëlqyera shqiptare. Mjeku viziton i qetë, mbush dy receta, të dërgon tek farmacia përballë (farmacistja e njeh shkrimin, është ime bijë), dhe rehaton pacientët “Asgjë për t’u shqetësuar. Kafshim insekti. Përdornin pikatoren dhe kokrrat që iu dhashë. Pesë ditë mos u futni në det. Ka shumë papastërti që pengojnë efektin e ilaçit po ra uji në sy, por ka edhe shumë viroza stine vërdallë, e mund tëtë ngadalësojnë normazilmin e gjendjes suaj”.
Pesë ditë? Prapë virozat e stinës?Po nëse uji në mesnatë është mjaftueshëm i vakët (jo i ngrohtë); nëse produktet e plazhit janë brenda afatit të përdorimit (jo të të rrezikojnë me skadencë) e nëse kampingjet funksionojnë vetëm pasi të kenë marrë lejen nga institucionet shëndetësore për minimumin e higjienës apo sigurisë për pushuesin, atëherë virozat e stinës do ishin bërë më pak të famshme se ç’janë tani.Nuk është aspak e moralshmë të paguash mijëra euro reklama për t’u thënë shqiptarëve “Ju kushton më shtrenjtë të pushoni në Shqipëri”; por nëse vendos për një mijë e një arsye të rrish në vendlindje, e në vend të pushimeve të përfundosh më “viroza stine”, është akoma më e pavlefshme.
“Po mendohem sërish për vitin tjetër. Këtu më pëlqen shumë pastërtia e detit dhe mundësia për aventura në natyrë me shoqërinë. Por aty ku kam pushuar tre vitet e fundit, asnjëherë nuk më ka kapur ndonjë viroz stine. As mua, as pushuesit e tjerë,-dëgjohet në stolin pritës për tek mjeku roje në spitalin plot me pacientë e me mjekë me pushime në Jug. – Por në fakt,-vazhdon lëkurë-skuquri,- edhe në një rast kur rrëshkiti një pushues nga trampolina, i pari që u hodh ta ndihmonte ishte roja i plazhit që paguhet nga hoteli. Thirri menjëherë kolegët dhe për një minutë erdhi mbi të rrëzuarin një pjesëtar i stafit të hotelit me çantën e ndihmës së parë. Çdo hotel ka të paktën një pjesëtar të stafit të trajnuar për dhënien e ndihmës së parë si edhe të gjitha pajisjet mjekësore për ta siguruar atë. Prandaj as aksidentet, as virozat e stinës nuk janë kaq popullore ”.Pikërisht. Ka mjekim të menjëhershëm zonat e populluara të plazhit, por ka edhe masa të marra paraprakisht nga ofruesit e pushimeve nëpër qendra e resorte, që i lejojnë pushuesit të futen 15 ditë  në det nga të 15-a ditët që kanë prenotuar; e jo të notojnë 5 e të vërdallisen pas mjekimit të “virozëve” për 10 të tjera.Virozat gjejnë vend e bëjnë kuvend. Ndaj në Shqipëri ato janë bërë kaq popullore.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here