Home Ekonomi Vendimi i Qeverise, paga minimale do behet 22,000 leke

Vendimi i Qeverise, paga minimale do behet 22,000 leke

836
0

Instituti-i-Sigurimeve-ShoqeroreÇdo person i punësuar dhe vetëpunësuar do të paguajnë më tepër për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore. Këshilli i Ministrave ka vendosur një rritje të ndjeshme të pagës minimale për efekt të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, çka do të ndikojë direkt në rritjen e masës së kontributeve. Gjithçka përcaktohet në një vendim të djeshëm të qeverisë, i cili i shtrin efektet nga data 1 janar 2015. Më shumë duket se do të preken të vetëpunësuarit, të cilët e paguajnë vetë të gjithë vlerën e kontributeve mujore. Ky është ndryshimi i tretë që bën qeveria në harkun kohor të një viti, pas atij të muajit shkurt e korrik të vitit që kaloi.

Ndryshimet dhe masat e reja

Sipas vendimit të ri të qeverisë, paga bruto mujore, për efekt të llogaritjes së kontributit të sigurimeve shoqërore do të jetë jo më pak se 22000 lekë deri 97030 lekë për të punësuarit dhe vetëpunësuarit. Ndërkohë që paga mujore, për efekt të llogaritjes së kontributit të sigurimit të kujdesit shëndetësor do të jetë jo më pak se sa paga minimale, e barabartë me 22 000 lekë dhe deri në shumën e pagës bruto, sipas deklaratës së listë-pagesës, për personat e punësuar dhe sa dyfishi i pagës minimale, e barabartë me 44 000 lekë, për personat e vetëpunësuar dhe punonjësit e papaguar të familjes me të cilët i vetëpunësuari punon e bashkëjeton ligjërisht.

Aktualisht, paga minimale mujore, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore ishte jo më pak se 19 406 lekë. Kjo do të thotë se në total, paga minimale është rritur me 2 594 lekë, çka do të ndikojë direkt në rritjen e masës së kontributeve shoqërore e shëndetësore që paguhet çdo muaj. Më konkretisht, nëse deri më tani një person i vetëpunësuar paguante në muaj 4 463 lekë sigurime shoqërore, me ndryshimin e ri do të paguajë 5 060 lekë në muaj ose 597 lekë më shumë. Ndërkohë që sa u takon sigurimeve shëndetësore, tashmë do të paguhen 1 496 lekë në muaj, nga 1 320 lekë që paguani deri më tani ose 176 lekë më tepër në muaj. Pra, në total këta persona do të paguajnë 773 lekë në muaj më tepër kontribute të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Ndryshim nuk ka pësuar vetëm paga minimale mujore, për efekt të llogaritjes së kontributit të sigurimit të kujdesit shëndetësor, për personat e vetëpunësuar në bujqësi, e cila mbetet 4 620 lekë. Në total, shuma minimale mujore e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, me vendimin e ri do të jetë 6 138 lekë, ku 5 390 lekë janë sigurime shoqërore dhe 748 lekë janë sigurime shëndetësore. Ndërkaq, “Gazeta Shqiptare” publikon sot të plotë disa nga pikat më të rëndësishme të vendimit të qeverisë, të cilat i gjeni bashkëlidhur shkrimit.

PAGA PËR EFEKT TË LLOGARITJES SË KONTRIBUTEVE

1 Paga bruto, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore e të kujdesit shëndetësor, është paga e caktuar sipas legjislacionit në fuqi, ose në kontratën e punës, sipas rastit, me kohë ose vëllim pune dhe shtesat e tjera, me karakter të përhershëm, që lindin nga marrëdhëniet e punës. Paga bruto evidentohet në listëpagesën tip, e cila është deklaratë për pagesë dhe dokumenti bazë për evidentimin e kontributeve individuale.

2. Në pagën bruto, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe sigurimin e kujdesit shëndetësor, nuk përfshihen:

a) përfitimet që punëmarrësi merr nga fondet e sigurimeve shoqërore;

b) kompensimet nga rritja e çmimeve;

c) dhuratat në të holla, që nuk kanë karakter të përhershëm dhe të përgjithshëm;

ç) të ardhurat nga detyrimi ushqimor, të caktuara me vendim gjykate;

d) vlera e antidoteve, që punëdhënësi jep në natyrë, për personat e punësuar, sipas legjislacionit në fuqi;

dh) shpërblimet me karakter jo të përhershëm, të lejuara në mbështetje të legjislacionit në fuqi, shpërblimet nga fondi i veçantë, për rastet e fatkeqësive në familje, për sëmundjet e gjata, për dëme, në raste fatkeqësish të mëdha natyrore, dhe për veprimtari të shquara;

e) vlera e shpenzimeve për të punësuarit, që kryejnë veprimtari jashtë qendrës së banimit, të cilat jepen bazuar në legjislacionin në fuqi dhe që nuk janë pjesë e pagës;

ë) honoraret apo shpërblimet e tjera të kësaj natyre, që nuk kanë lidhje me marrëdhëniet aktuale të punës.

3. Paga bruto mujore, për efekt të llogaritjes së kontributit të sigurimeve shoqërore, nga data 1.1.2015 e në vazhdim, të jetë, si më poshtë vijon:

a) jo më pak se sa paga minimale mujore, e barabartë me 22 000 (njëzet e dy mijë) lekë dhe deri në 97 030 (nëntëdhjetë e shtatë mijë e tridhjetë) lekë, për personat e punësuar

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here