Presidenti amerikan Donald Trump ka mbrojtur përdorimin e medias sociale nga ana e tij në një seri postimesh në Tëitter, pas një vale polemikash për disa komente që ai bëri për dy prezantues të MSNBC TV dhe kritikave për kanalin televiziv CNN. “Përdorimi i medias sociale nga ana ime nuk është presidenciale, është moderne”, shkruajti ai në Twitter të shtunën. Më herët gjatë javës, ai kishte ndërmarrë një sulm të ashpër personal mbi Mika Brzezinski dhe Joe Scarborough. Postimet e tij u dënuan nga demokratët, por edhe nga republikanët, pavarësisht se Shtëpia e Bardhë doli në mbrojtje. Edhe ndihmës të Trumpit më herët kanë shprehur shqetësim për postimet e tij. Por, vetë Presidenti tha se media sociale i jep atij mundësinë të lidhet direkt me publikun duke anashkaluar mediat, që rregullisht ai i akuzon se prodhojnë lajme të rreme. “Media e rreme po përpiqet të na mbyllë gojën, por ne nuk do ta lejojmë. Sepse njerëzit duhet të dinë të vërtetën.
Media e lajmeve të rreme përpiqet të na ndalojë ne të shkojmë në Shtëpinë e Bardhë, por unë jam Presidenti, ato jo”, tha Trump. Gjithashtu, në fjalimin para veteranëve të luftës, ai shtoi se shtypi shkatërroi veten, sepse ata shkuan shumë larg, duke shtuar se “axhenda e tyre, nuk është axhenda e juaj”. Duke iu drejtuar veteranëve të luftës, Trump premtoi se Amerika do të fitojë sërish dhe u prit me brohoritje ndërsa sulmoi mediat: “Ne fituam, ata humbën. Fakti është se shtypi ka shkatërruar veten, sepse ka shkuar shumë larg. Në vend që të tregohej i matur dhe i zgjuar, përdori sëpatën dhe njerëzit e kanë parë këtë. Media e pandershme nuk do të na ndalojë dot të realizojmë objektivat tona për hir të popullit tonë. Kjo nuk do të ndodhë”. Presidenti amerikan ka më shumë se 33 milionë ndjekës në Twitter. Edhe pse po bëhet gjithnjë e më e vështirë në dukje që Presidenti të shokojë këtë audiencë, postimet e tij 140-karakterëshe janë qortuar si nga politikanët, ashtu edhe nga analistët. Disa e konsiderojnë gjuhën e Trump të papërshtatshme për njeriun që mban postin më të lartë në vend.
Lufta ndaj terrorizmit
Ndërsa në fjalimin e tij para veteranëve, jo jashtë vëmendjes ka qenë edhe urdhri për ndalimin e udhëtimit të 6 shteteve myslimane që kanë një lidhje apo ndikim me terrorizmin. Agjencia Reuters raporton se Trump tha: “Nuk mund ta lejojmë që terrorizmi dhe ekstremizmi të përhapen në vendin tonë, ose të gjejmë strehë në brigjet tona, apo në qytetet tona. Ne duam të sigurohemi se kushdo që kërkon të bashkohet me vendin tonë ndan vlerat tona dhe ka aftësinë për të dashur njerëzit tanë”. Gjithashtu ai theksoi se “që nga nënshkrimi i shpalljes së pavarësisë, 241 vjet më parë, Amerika gjithmonë ka afirmuar se liria vjen nga krijuesi ynë. Të drejtat tona na janë dhënë nga Perëndia dhe asnjë forcë tokësore nuk mund t’i heqë kurrë këto të drejta”. Presidenti në fjalimin e tij vlerësoi veteranët ushtrisë të gjitha degëve dhe vuri në dukje punën e administratës së tij për reformuar shërbimet e vetarëve të luftës. Trump, i cili po kalon një fundjavë të gjatë në pronën e tij në Bedminster, New Jersey, u kthye në Uashington për tubim, por nuk e kalonte natën në Shtëpinë e Bardhë, duke preferuar të kthehej në Bedminster. Trump ka mbajtur mitingje të rregullta gjatë muajve të tij të parë në Shtëpinë e Bardhë, kjo si një përpjekje për të bindur njerëzit për punën e tij, duke iu bërë thirrje që të mos dëgjojnë mediat që e sulmojnë, pasi sipas tij, ato japin vetëm lajme të rrema (fake news). Në këtë betejë me median, Trump nuk ka ngurruar që të sulmojë ashpër CNN, një nga televizionet amerikane që është kundër Presidentit të ri. Jo të pakta kanë qenë mesazhet nëpërmjet rrjetet sociale të Trump kundër këtij televizioni.
Koreja e Veriut/Trump biseda me Xi Jinping dhe Abe
Presidenti amerikan, Donald Trump zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin kinez, Xi Jinping dhe me kryeministrin japonez, Shinzo Abe, njoftoi Shtëpia e Bardhë. Në fokus të bisedimeve ka qenë çështja e kërcënimit nga programet bërthamore dhe balistike të Koresë së Veriut. Administrata Trump gjithnjë e më shumë e shqetësuar nga qëndrimi i regjimit të Kim Jong-Un, duke kryer muajt e fundit disa teste me raketa bërthamore në shkelje të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Trump për një farë kohe u bazua mbi mundësinë që Kina, aleati kryesor i Koresë së Veriut, të ushtronte presion mbi Penianin, por ai deklaroi javën e kaluar se përpjekjet kineze ishin të dështuara. Ndërsa disa ditë më parë Trump priti në Shtëpinë e Bardhë, presidentin e Koresë së Jugut. “Epoka e durimit me Penianin ka përfunduar”, deklaroi Trump, duke bërë të qartë se SHBA ka disa opsione për zgjidhjen e kësaj krize.