Drejtori i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë në Tropojë, Rustem Gjonaj është arrestuar nga policia gjatë ditës së sotme, pasi u zbulua se vidhte energjinë elektrike.
Arrestimi i tij erdhi në kuadër të operacionit të përbashkët mes OSHEE dhe Policisë së Shtetit për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme të energjisë elektrike, aksion i cili ka nisur në të gjithë vendin.
Emri i Gjonajt u denoncua disa ditë më parë nga Partia Demokratike për fatura të pashlyera të energjisë elektrike në vlera të mëdha. Sekretari i Përgjithshëm i PD, Arben Ristani tha se kreu i OSHEE Tropojë ksihte 16 milionë e 900 mijë lekë energji të papaguar. Ristani akuzoi se Gjonaj ka pasur edhe një të kaluar problematike, ku sipas tij është dënuar për armëmbajtje pa leje, dhe largim nga vendi i qëndrimit.
Më herët për vjedhje të energjisë elektrike janë arrestuar edhe drejtori i OSHEE-së, Has, Sulejman Brati, ai i OSHEE-së në Lushnje Dine Aliaj si dhe i Mallkastrës, Arben Myftaraj.