Një drejtues automjeti, jo vetëm që nuk i është bindur urdhrit të oficerit të policisë rrugore për të ndaluar, por madje e ka përplasur me makinë këtë të fundit dhe është larguar nga vendi i aksidentit.
Ngjarja ka ndodhur në Durrës, ku oficeri i policisë rrugore, Shkëlqim Cupa i ka kërkuar drejtuesit të automjetit Ledjon Kadilli që të ndalojë, por ky i fundit nuk e ka zbatuar urdhrin. Madje jo vetëm kaq, por Kadilli e ka përplasur me makinë policin rrugor, duke u larguar nga vendi i ngjarjes.
Cupa është dërguar në spitalin rajonal të Durrësit, ku mësohet se nuk ka pësuar dëmtime serioze dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forcat e policisë së rendit, të cilët kanë nisur menjëherë punën për kapjen e drejtuesit të automjetit, si dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
Për arrestimin e Kadillit mësohet se janë ngritur postblloqe të shumta në të gjithë qytetin bregdetar. Ndërkohë nga verifikimet e kryera, rezulton se Kadilli këtë ngjarje e ka të përsëritur pasi në në korrik të vitit 2013, ka aksidentuar një tjetër oficer të policisë rrugore, në postbllokun e Urës së Dajlanit në Durrës.