Home Ekonomi Rriten tarifat e kolaudimit të mjeteve

Rriten tarifat e kolaudimit të mjeteve

627
0

kontrolli-teknikDuke nisur nga 6 shtatori, kolaudimi i makinave do të kushtojë më shtrenjtë. Përmes një udhëzimi të publikuar në Fletoren Zyrtare, Këshilli i Ministrave ka përcaktuar tabelën me tarifat e reja të kolaudimit të mjeteve rrugore me motor dhe rimorkiove të tyre. “Tarifat e shërbimit të kontrollit teknik të detyrueshëm të mjeteve rrugore me motor dhe rimorkiove të tyre në Republikën e Shqipërisë, caktohen sipas lidhjes nr. 1, që i bashkëlidhet këtij udhëzimi dhe është pjesë përbërëse e tij. Niveli i tarifës për shërbimet është shprehur duke përfshirë TVSH-në”, përcakton udhëzimi, i cili ngarkon Drejtorinë e Qarkullimit dhe Sigurisë Rrugore dhe Njësinë e Projektit Koncesionar në Ministrinë e Punëve Publike dhe Transportit për ndjekjen dhe zbatimin e tij. Gazeta publikon të plotë tabelën me tarifat e reja të kontrollit teknik të detyrueshëm të mjeteve rrugore me motor dhe rimorkiove të tyre, me të cilat do të operohet në vazhdim.

Tarifat e reja
Nga 6 shtatori, drejtuesit do të paguajnë më shumë për kontrollin teknik të mjeteve për të gjitha kategoritë. Tarifa e automjeteve me 4+1 vende bëhet 1960 lekë, nga 1800 lekë që është aktualisht (tarifa përfshin edhe TVSH-në). Për automjetet me mbi 4+1 vende deri në 8+1 vende tarifa e kolaudimit shkon në 2730, nga 2500 lekë. Tarifa e kontrollit për kamionët deri në 3.5 tonë, nga 2700 lekë bëhet 2950 lekë me TVSH. Për autobusët deri në 32+1 vende tarifa e kontrollit teknik, nga 2700 lekë bëhet 2950, e njëjtë dhe për autobusët me 32 deri 42+1 vende.

Kontrolli teknik
Kontrolli teknik i automjeteve është detyrim ligjor dhe kryhet në intervale njëvjeçare. Që prej vitit 2010, ky shërbim i është dhënë me koncesion kompanisë zvicerane “SGS Societe Generale”. Për mjetet e reja, kontrolli i parë teknik kryhet në vitin e dytë të përdorimit dhe pastaj në intervale njëvjeçare. Për automjete të veçanta, të përcaktuar në Kodin Rrugor të Republikës së Shqipërisë, ky kontroll kryhet çdo gjashtë muaj. Në faqen e vet zyrtare, “SGS” bën me dije se përdoruesi i mjetit rrugor, kur paraqitet për kontroll teknik duhet të paraqesë lejen e qarkullimit të automjetit, certifikatën e vjetër të kontrollit teknik, vërtetimin nga Zyra e Taksave e DRSHTRR-së që vërteton pagesën e taksave vjetore të regjistrimit dhe të qarkullimit, bashkë me pagesën e gjobave për paraqitje me vonesë në kontroll teknik

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here